E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis viti akademik në Universitetin e Elbasanit, interes i lartë për shëndetësinë, teknologjinë dhe ekonominë

TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” ka çelur vitin e ri akademik 2026–2027, duke mirëpritur rreth 1300 studentë të rinj.

Kjo shifër përfaqëson një trend në rritjeje krahasuar me vitet e mëparshme dhe konfirmon interesin për ofertën akademike të një prej institucioneve me traditë në arsimin e lartë shqiptar.

Në nisje të vitit të ri akademik, rektorja e Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, prof. dr. Elvira Fetahu, nënvizoi rëndësinë e cilësisë akademike dhe të rolit të universitetit në shoqëri.

“Në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” besojmë se cilësia dhe përkushtimi janë çelësi për të ndërtuar një institucion që frymëzon, edukon dhe kontribuon realisht në zhvillimin e shoqërisë. Synimi ynë është të krijojmë një mjedis akademik ku dijet marrin formë përmes bashkëpunimit, kërkimit shkencor dhe angazhimit qytetar”, tha Fetahu.

Universiteti i Elbasanit përbëhet nga pesë fakultete dhe ofron 98 programe studimi në nivelet e diplomës profesionale, Bachelor, Master Profesional, Master Shkencor dhe doktoraturë. Në ofertën akademike përfshihet edhe Programi i Integruar i Studimit në Drejtësi, si dhe programe të zhvilluara në gjuhën angleze.

Të gjitha programet e studimit janë të hapura, ndërsa interesimi më i madh këtë vit është përqendruar te fushat e shëndetësisë, sportit, ekonomisë dhe teknologjisë së informacionit.

Në nivelin Bachelor, programet më të preferuara janë Infermieria e Përgjithshme, Edukimi Fizik dhe Sportet, Financë-Kontabilitet, Teknologjitë e Informacionit dhe Informatika Ekonomike.

Ndër programet profesionale, më të kërkuarat janë Teknik Mjedisi, Teknologji Laboratori, Sekretari e Specializuar, Edukator 0–3 vjeç dhe Mekatronikë.

Programet e mësuesisë vijojnë të kenë interes të qëndrueshëm. Universiteti thekson se të gjitha programet e mësuesisë me rëndësi kombëtare do të vijojnë të jenë të hapura.

Për studentët që ulen për herë të parë në auditorët e UNIEL, zgjedhja e universitetit lidhet me traditën akademike të institucionit, cilësinë e stafit, infrastrukturën dhe mundësitë që ofrohen gjatë viteve të studimit. Për shumë prej tyre, formimi universitar shihet si një hap drejt përgatitjes profesionale dhe integrimit në tregun e punës.

Për studentët e programeve prioritare ofrohen gjithashtu bursa të financuara nga Qeveria Shqiptare, duke krijuar mundësi shtesë për mbështetjen e të rinjve gjatë studimeve.

Me traditën akademike, ofertën e gjerë të programeve, stafin e kualifikuar, infrastrukturën moderne, fokusin te kërkimi shkencor dhe zgjerimin e bashkëpunimeve kombëtare e ndërkombëtare, Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” vijon të konsolidojë rolin e tij në arsimin e lartë.

Në qendër të këtij zhvillimi mbetet studenti, me synimin që formimi akademik të shoqërohet me kompetenca praktike, përvojë profesionale dhe mundësi reale për integrim në tregun e punës.

Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” ofron 32 programe Bachelor, 46 programe Master, 8 programe profesionale, 3 programe doktorature, Programin e Integruar të Studimit në Drejtësi, si dhe 8 programe të ofruara në gjuhën angleze.

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›