Rritje ekonomike 4.5 për qind
Ekonomisti i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Oliver Blanchard tha se rritja botërore ekonomike parashikohet të jetë rreth 4.5 për qind këtë vit dhe gjatë vitit që vjen, gjë që u cilësua si një ritëm rritjeje mjaft i lartë nga specialisti i FMN-së.
Blanchard tha për shtypin në zyrat qendrore të FMN-së në kryeqytetin amerikan, se parashikimet e fundit tregojnë se ritmet e rritjes ndryshojnë nga ekonomitë e avancuara tek ato në zhvillim. Ai thekson një shqetësim të ri që janë çmimet e të mirave materiale, të cilat janë rritur më shumë nga parashikimet.
Ai tha se rritja e çmimeve ushqimore përbën më shumë problem për vendet në zhvillim, ku kredibiliteti i bankave qendrore mund të jetë i vakët. Por ende, tha ai, rimëkëmbja globale është e pabalancuar. Blanchard shtoi se burimi për rritje të ulët daton përtej krizës së fundit financiare ndërkombëtare.