E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritje ekonomike apo përgatitje për më të keqen?

Nga Emirjon Senja

Propozimi i këtyre ndryshimeve ligjore si dhe miratimi i disa rregulloreve brenda një kohë të shkurtër në lidhje me funksionimin e sistemit bankar duket të mos jenë të rastësishme në një periudhë kur kreditë me probleme kanë arritur në 18 për qind dhe ekonomia nuk po rritet me ritmet e parashikuara nga qeveria duke dhënë një tjetër sinjal negativ. Duke ndjerë këtë rrezik, Banka e Shqipërisë po merr masat që të rrisë kontrollin mbi sistemin bankar.

Ajo uli në fund të shtatorit normën bazë të interesit për lekun më synim stimulimin e aktivitetit të ekonomisë së vendit duke e ulur në minimumin historik të saj, 5 për qind. Gjasat janë që një masë e tillë të ndërmerret përsëri përgjatë muajve në vijim nëse ekonomia vijon të përforcojë edhe më tej nën kapacitetin e saj. Një gjë e tillë është paralajmëruar edhe nga vetë Guvernatori Fullani. Nga ana tjetër, FMN dhe Banka Botërore parashikojnë rritje minimale ekonomike të vendit gjatë vitit të ardhshëm.

Përkundër veprimeve të hapura të Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë, për ti dalë përpara problemeve me sistemin bankar si dhe uljes së ndjeshme të shpenzimeve kryesisht gjatë muajit të shkuar, Kryeministri Berisha vijon me retorikën sikur vendi të ishte duke përjetuar një parajsë ekonomike. Nga njëra anë premtohet rritje ekonomike, shtrim rrugësh, rritje pagash dhe pensionesh, etj., dhe nga ana tjetër përgatitet në mënyrë të përshpejtuar kuadri ligjor për administrimin e situatës në rast të falimentimi. Këto situata nuk shkojnë të dyja bashkë. Ose kemi ecuri të mirë të ekonomisë, për rrjedhim rritje të kreditimit, rritje të fitimit të bankave, zhvillim, etj., ose ekonomia nuk po rritet dhe qeveria po merr masat për përballimin e pasojave.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›