Rrjeti elektrik vret një fëmijë në ish-Kënetë
Energjia elektrike shkakton viktimën e radhës në zonën informale të ish-Kënetës. Aty ku telat që përcjellin energjinë elektrike shtrihen nën këmbë dhe pak cm mbi kokë, një 3-vjeçare ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Loreta Roçi, vetëm 3 vjeçe, është ndarë nga jeta ditën e djeshme, teksa luante në oborrin e shtëpisë së saj, që ndodhet fare pranë shkollës 9-vjeçare "Jeta e Re", në ish-Kënetë. Zija dhe dhimbja kanë mbërthyer familjen e fëmijës, viktimë të korrentit, por edhe familjet e tjera që jetojnë në këtë zonë. Rrjeti elektrik në këtë zonë është i ndërtuar kryesisht nga të ardhurit dhe rreziku i telave që varen mbi kokat e tyre dhe shtrihen nën këmbë është i pranishëm në mënyrë të vazhdueshme. Banorë të ish-Kënetës apelojnë ndaj kësaj situate të rëndë, që vazhdon të shkaktojë viktima mes 35 mijë të ardhurve që jetojnë në zonën e ish-Kënetës. Në këtë zonë kanë humbur jetën nga rënia në korrent individë të moshave të ndryshme, të rinj, mesoburra, madje edhe një grua shtatzënë. Në 10 vitet e fundit janë regjistruar më shumë se 30 viktima nga energjia elektrike. Vdekja e Loretës së vogël është e para për këtë vit dhe të gjithë luten të mos ndodhë më, por frika endet mbi ta. Në ish-Kënetën e populluar nga familje të ardhura nga rrethe të ndryshme të vendit, njerëzit kanë investuar për t‘i siguruar vetes furnizimin me energji dhe ujë të pijshëm, të cilat mungonin plotësisht në zonë. Investimet e kryera, në shumicën e rasteve, janë jashtë kushteve të sigurisë teknike.