E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adoleshenti plagos rëndë dy gra me makinën e babait

Një adoleshent, cili nuk e ka mbushur ende moshën për drejtimin e automjetit, ka shkaktuar një aksident të rëndë teksa udhëtonte me shpejtësi me makinën e babait të tij. Dy gra janë plagosur rëndë rreth orës 13:20 të ditës së djeshme, në afërsi të shkollës 9-vjeçare "Hekuran Maneku", në unazën e qytetit Patos. Policia tha se E.Abazi, 16 vjeç, lindur dhe banues në Patos, ka qenë duke drejtuar automjetin e babait të tij, Vladimirit, tip "Mercedez Benz", me targa FR8055C. Ai ka qenë duke udhëtuar me shpejtësi tej normave të lejuara në unazën e qytetit. Në momentin kur goma e makinës ka prekur në një gungë të rrugës, makina ka dalë jashtë kontrollit, duke përfunduar mbi trotuar, ku kanë qenë duke ecur shtetaset Margarita Beqaj, 38 vjeçe, dhe Eglantina Çela, 24 vjeçe. Automjeti i ka marrë përpara dy gratë dhe më pas ka thyer murin rrethues të shkollës "Hekuran Maneku", duke përfunduar me rrota lart në oborrin e saj. Policia që mbërriti menjëherë në vendngjarje kërkoi ndihmën e një autoambulance për personat e dëmtuar nga ky aksident, përfshirë edhe vetë shkaktarin e tij. Dy gratë janë transportuar menjëherë në spitalin e Fierit, ndërsa 16-vjeçari E.Abazi është mjekuar në Patos, pasi plagët që ka marrë kanë qenë të lehta. Mjekët e spitalit të Fierit thanë se të dyja të plagosurat mbërritën në gjendje tepër të rëndë. Policia shoqëroi 16-vjeçarin, i cili nuk kishte leje drejtimi të mjetit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›