E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrofshin kolltukët në Teatër!



Se si na erdhën të rinjtë në këtë festival nuk ndryshon shumë nga ajo e projekteve të Teatrit Kombëtar, qoftë larg të ndodhë e kundërta. Karriget, divanet dhe stolat vazhdojnë të funksionojnë në skenë derisa aktorët as kryq nuk i lidhin duart për të bërë të paktën gjimnastikën e mëngjesit, sa për të mos iu dukur burrave barku, e femrave trashësia e linjave trupore. Kjo e fundit vlen më shumë për “modelin” që ofrojnë aktorët e TK-së

Regjisorja e re, Alma Hoti, pjesëmarrëse e festivalit teatror për të rinjtë me dramën “Shtëpia e Bernarda Albës”, u vlerësua si regjisorja më e mirë për konceptimin skenik të veprës, duke marrë shpërblimin prej 100 mijë lekësh, si dhe të drejtën për ta vënë disa herë këtë shfaqje në skenën e TK-së. Gjithë këto “privilegje” i shkuan fitueses së të rinjve, në mënyrë të befasishme kur shënoi dhe mbylljen e javës teatrore të festivalit. Pa dyshuar në vlerësimin e jurisë, e përbërë nga aktori Ndriçim Xhepa, regjisori Mikel Kalemi dhe një përfaqësuese e Ministrisë, Joli Gjovreku - regjisorja një ditë më parë ka shprehur në media rezerva në lidhje me trajtimin që iu bë nga Teatri Kombëtar. “Lufta” e saj qëndronte tek ndërprerja e shfaqjes në çastet e fundit, për të cilën shumë shpejt doli dhe reagimi i drejtorit të TK-së, Kristaq Skrami, duke e cilësuar si një “gabim” teknik fikjen e dritave në sallë, ndërkohë që jepej shfaqja.

Por e gjitha kjo, si për t’i vënë kapak, në mbyllje, kësaj gjendjeje të “trazuar” midis regjisores dhe stafit të TK-së - befasia ishte çmimi. Ndërsa vlerësimet kanë vazhduar duke shpallur aktorin më të mirë për të rinjtë, Klodi Keço, për interpretimin në shfaqjen “Morsa”, aktori më i mirë joprotagonist u shpall Marsela Lena për rolin e realizuar në dramën “Shtëpia e Bernarda Albës” dhe skenografia më e mirë i takoi Beqo Nanajt për konceptimin skenik të shfaqjes “Morsa” nga Luixhi Pirandelo.

Ndonëse është vlerësuar nga regjisorët e rinj si përkrahje tepër modeste nga shteti, ky festival sa vjen dhe po tregon dhe dobësitë e saj. Këtë vit angazhimi ishte i prerë si me thikë, midis nevojës për t’u ngjitur në skenë dhe pse nuk ka para, dhe mundësisë që u jepet edhe 30-vjeçarëve për t’u shfaqur si të rinj, ndonëse mund të kenë mbi pesë vite që kanë mbaruar Akademinë, dhe tani në skenë shënohet puna e parë në CV.

Çalimi në regji, si dhe shfaqja e aktorëve në skenë pa përvojë në ushtrimin e zanatit, janë fatura që i shkojnë atmosferës teatrore në vend, ku mungon konkurrenca dhe përcjellja e traditës së teatrit soc-realist vazhdon të prodhojë dobësitë në aplikimin e eksperimenteve teatrore.

Puna e regjisores Sonila Ulqinaku ishte “shuplaka” që iu dha teatrit për të kuptuar se si ndreqet koha dhe merret mesazhi nga thesi i traditës siç ishte vënia në skenë e veprës së Kin Dushit e shkruar para 50 vitesh gati. Kështu që teatri ynë vazhdon të ketë boshllëk në ide, përderisa veprat e gatshme ofrohen dhe puna mbi to bëhet pa mundim nga regjisorët - emrat janë garanti dhe abuzimi njëkohësisht. Se si na erdhën të rinjtë në këtë festival nuk ndryshon shumë nga ajo e projekteve të Teatrit Kombëtar, qoftë larg të ndodhë e kundërta. Karriget, divanet dhe stolat vazhdojnë të funksionojnë në skenë derisa aktorët as kryq nuk i lidhin duart për të bërë të paktën gjimnastikën e mëngjesit, sa për të mos iu dukur burrave barku, e femrave trashësia e linjave trupore. Kjo e fundit vlen më shumë për “modelin” që ofrojnë aktorët e TK-së.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›