Bashkia, sërish asnjë aktivitet për Ditën e Flamurit
Është data 27 nëntor dhe në rrugët e kryeqytetit shqiptar nuk shihet asnjë flamur i valëvitur për të treguar atmosferën e ardhjes së pavarësisë. Edhe këtë vit, Bashkia e Tiranës e ka braktisur festën më të rëndësishme të kombit shqiptar. Burime zyrtare nga ky institucion bënë të ditur dje për “standard” se asnjë aktivitet, qoftë vendosje flamujsh, nuk është parashikuar nga bashkia, duke lënë tërësisht në hije festën e vetme kombëtare që përcakton Kushtetuta e vendit dhe që është themelimi i shtetit ku sot jetojmë.
“Asgjë”, – ishte përgjigja nga zëdhënësit e bashkisë, kur pyetëm dje nëse do të kishte ndonjë aktivitet. E gjithë kjo situatë duket se do të sjellë një reagim të egër nga shumica e Këshillit Bashkiak, e përbërë nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.
Duke folur për gazetën në lidhje me këtë çështje, kryetari i këshilltarëve demokratë, z. Ferdinand Poni, tha se kjo “tregon frikën që ka Edi Rama ndaj festës kombëtare, një frikë e pakuptimtë që nuk mund të ketë sqarim logjik”.
Sipas tij, reagimi i këshilltarëve do të jetë i ashpër, duke lënë hapur rinisjen e një mocioni mosbesimi ndaj kryetarit të bashkisë, që tashmë do të ketë bekimin e shumicës së këshilltarëve. Skenar i ngjashëm u zhvillua edhe vitin e kaluar, por atëherë mazhoranca qeverisëse nuk kishte shumicën në Këshillin Bashkiak.
“Është turp, - përgjigjet Erlindi, një qytetar, i pyetur paraditen e djeshme nga gazeta, - nuk ka kuptim që dita më e rëndësishme e kombit të festohet në Kosovë, Maqedoni, Nju Jork, Milano dhe në çdo qytet të vendit e të mos festohet në Tiranë”.
Por, me gjithë lumin e akuzave dhe reagimeve qytetare që pati një vit më parë, Bashkia e Tiranës sërish ka vendosur të mos e përfillë Ditën e Flamurit, një ditë e përkujtueshme kudo ku ka shqiptarë.
Tirana duket e fjetur, e qetë, nuk ka asnjë “shenjë” festuese kuqezi dhe qetësinë e thyejnë vetëm zhurmat e makinave. Nuk është marrë asnjë masë përgatitore për të përfshirë qytetarët shqiptarë në këtë datë të rëndësishme. Bashkia e Tiranës rëndësi i ka dhënë vetëm datës 29 nëntor, ku si dhe vitet e tjera do të organizohet “Nata e bardhë”, ku qytetarët do të mjaftohen vetëm duke marrë “free hugs”.
Ndërsa Dita e Flamurit e ‘Skënderbeut’ dhe ‘Ismail Qemalit’ duket e parëndësishme përballë asaj të çlirimit, “një nonsens” thonë historianët. Kjo nuk është hera e parë që 28 Nëntori nuk pritet në mënyrën që i takon, pasi edhe vitin e kaluar në këtë datë, përveç urimeve të politikanëve, nuk u organizuan evenimente që simbolizojnë shpalljen e pavarësisë. Përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe në sheshin “Skëndërbej”, nuk shihet asnjë flamur i varur, që ndoshta do të mund t`i shohim në ... “Natën e bardhë”...