Rroga e deputetit ne Maqedoni, mbi 1 mijë euro
Në Maqedoni shumica e qytetarëve nuk dinë të ardhurat e të zgjedhurve të tyre, të cilët me vota i çojnë në ulëset e parlamentit.
Rroga e pastër mbi 1.000 euro, të ardhurat shtesë për rrugë, ushqime dhe beneficione të tjera janë gjitha ato mundësi që trashin xhepin e deputetëve.
Qytetarët nuk kanë qasje për t’u informuar për gjitha privilegjet dhe përfitimet që kanë të zgjedhurit e tyre, ndërsa në anën tjetër, anketat e fundit tregojnë për papërgjegjësi dhe mospërmbushje të misionit nga ana e shumicës së deputetëve.
Halim. M, nga Tetova, një votues i rregullt i një partie politike, thotë se nuk din gjë se sa është rroga e deputetit, por siç shpjegon ai, "nuk din edhe se kush është deputeti që duhet të kujdeset për problemet e tij apo të ndonjë bashkëqytetari".
Një pjesë e deputetëve të pyetur nuk japin detaje se sa është rroga e tyre, sa janë beneficionet dhe përfitimet, për të qenë transparent pranë opinionit.
Nga rritja e fundit e rrogave në Maqedoni, rroga e pastër e deputetit shkon rreth 60 mijë denarë, mirëpo kësaj shifre i bashkëngjiten edhe harxhimet e tjera, që në mënyrë të perfeksionuar nxirren nga deputetët.
Organizatat joqeveritare gjithashtu shprehin zhgënjim të madh ndaj deputetëve, duke i konsideruar ata si njerëz tejet të paaftë për të përmbushur misionin e tyre.