E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrolli për armë, policia dy orë “luftë” me të zotin e shtëpisë



POGRADEC - Një kontroll i zakonshëm policie për armëmbajtje pa leje është shndërruar në një operacion të rrezikshëm si pasojë e rezistencës me armë të të zotit të shtëpisë. Myfteri Verdha nga fshati Leshnicë në Pogradec, për afro 2 orë bëri rezistencë me armë, teksa ishte rrethuar nga forca të shumta policie. Sipas policisë, 40-vjeçari ndodhej në banesën e tij kur i shkuan disa efektivë për të kryer një kontroll për armëmbajtje pa leje. Por, Verdha, jo vetëm që nuk i ka lejuar ata të kryenin kontrollin, por me tepër shpejtësi ai ka marrë një armë nga arsenali që mbante në banesë, duke kërcënuar policinë. Më pas ka qëlluar në drejtim të tyre, duke iu rrezikuar jetën. Blutë kërkuan menjëherë përforcim të forcave, duke ditur se personit që do i kryhej kontrolli për armë ishte me precedentë të mëparshëm dhe paraqiste mjaft rrezikshmëri shoqërore. Policia kishte pasur të dhëna në rrugë operative se Myfteri Verdha posedonte një arsenal armësh në shtëpi. Me gjithë thirrjet e bluve për t’u dorëzuar, 40-vjeçari i ka bërë rezistencë arrestimit për rreth dy orë. Blutë shfrytëzuan rastin për ta kapur atë në momentin kur ai doli për pak momente jashtë. Sipas burimeve, Verdha po tentonte të largonte nga banesa nënën dhe gruan e tij. Ai i shoqëroi për pak momente ato për t’u larguar, por blutë ndërhynë duke bërë edhe neutralizimin e tij. Kontrolli i parashikuar për armëmbajtje pa leje vazhdoi më pas normalisht. Sipas policisë, në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan tri pistoleta, një automatik kallashnikov, 9 kallëpe tritoli, si dhe 900 kapsolla. Mësohet se Verdha kishte qenë edhe më parë i dënuar, ndërsa vepra për të cilën akuzohet tani është ajo e armëmbajtjes pa leje si dhe rezistencë me armë ndaj forcave të rendit. g.a

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›