E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrota dhe Kuajt



Çlirim KOKONOZI

Dy kuajt e himtë hanë tagjinë në torbat
e leshta që mbajnë varur në qafë. I tundin
lart e poshtë për të rrokur kokrrat e fundit
të tagjisë. Karrocieri me xhokën
e hollë dhe shaminë e kuqe me xhirga të zeza
rreth qafës i çon për ujë te pellgu matanë
rrozgës që e quante pellgu i xhakmidanave,
se aty kishte lule xhakmidanash të verdha.
Kuajt e himtë pinë ujë dhe hanë xhakmidana
të njoma, të shijshme. I kashais me brushën
prej hekuri që e ruan prej vitesh, u kreh cullufet
e gjata, i mbreh në karrocën që e mbush
deng me xunkth e zhugë dhe rend me ngut në qytezë.
Teriku fryn lehtë, sjell erën e tërfilit
dhe jonxhës. Kuajt e himtë ngrenë veshët,
vrapojnë katrash. Cullufet hapen në ajër dhe
veshët ngrihen më fort. Njëra rrotë fillon të gërvishtet
e të kërcasë dhe karrocierit i bie ndër mend
se e kishte lënë ta ndreqte me sot e me nesër.
Qyteza ishte pak larg, ai ysht kuajt, ata ikin revan.
Tërfili i zymtë nën mburojën e blertë s’ka fund
dhe karrocieri bërtet hya! Gjëmojnë dhe kërcejnë
teneqetë dhe xhingërrimat që ka hedhur mbi xunkth.
Rrota del nga karroca dhe rrotullohet mbi asfalt.
Karrocieri tërheq kuajt në anë të rrugës
dhe vrapon mbas saj. Ajo rrotullohet me shpejtësi
se rruga është e pjerrët. Karrocieri rend
në pikë të vrapit. Rrota anohet majtas në drejtim
të buzës së rrugës dhe rrotullohet
më me shpejtësi poshtë në rrëpirë.
Karrocieri e ndjek dhe mbahet herë te njëra
shkurre, herë te tjetra. S’vrapon dot,
por rrota rrotullohet gjithnjë e më shpejt.
Karrocieri heq xhokën, e hedh mbi një shkurre
me lule të bardha, vazhdon të ndjekë rrotën,
u jep këmbëve më shpejt. Fundi i rrëpirës
është një lëndinë e sheshtë, rrota vazhdon rrotullimin
mbi lëndinë. Karrocieri arrin te lëndina, lëshohet
me vrap, por rrota kishte marrë shpejtësi
dhe ngjitet tek e përpjeta që vjen në fund të ëlndinës.
Rrota merr të përpjetën me shpejtësi. Karrocieri e ndjek,
thërret herë me emrin e njërit kalë, herë me emrin
e tjetrit, mallkon veten se pse i qenë tharë duart
e s’e kishte rregulluar të enjten, ngjit me zor
të përpjetën. Rrota kthehet mbrapsht e rrotullohet
me shpejtësi të madhe poshtë në drejtim të lëndinës
së sheshtë. Karrocieri mbahet herë në degët
e një shkurreje dhe herë në degët e një tjetre.
Rrota mbërrin te lëndina dhe nis të ngjitet shpejt
në rrëpiorën prej nga kishte ardhur, se kishte marrë shumë
shpejtësi. Karrocieri e ndjek, thërret herë
me emrin e njërit kalë dhe herë me emrin e tjetrit.
I tarkalitur e prej poshtë rrëpirës.
Rrota kthehet mbrapsht e kërcen djathtas
në një rrëpirë tjetër. Karrocieri kërcen në atë anë,
por rrota rrotullohet shpejt pasi ka marrë shpejtësi.
Karrocieri shan, mallkon veten që s’e kishte
rregulluar të enjten. Rrota zbret në fund të rrëpirës
dhe ngjitet në një të përpjetë tjetër. Karrocieri
e ndjek nga pas, rrota kthehet prapëmbrapsht.
Ai shqipton: “Bre, bre, ku je!”
Kalon gjithë dita dhe vjen mbrëmja. Karrocieri
kujtohet për kuajt që ka lënë në rrugë:
“A do të jenë gjallë?” – i ngec fryma. Copa pështyme
në mjekër, jeleku kullon...
shikon retë, yjet që vrapojnë njëri pas tjetrit.
Heq dorë... Ngadalë ngjitet mbi rrugë
dhe i afrohet karrocës. Kuajt lëvizin të shtrirë,
të përgjumur. S’e zgjat, shtrihet mbi zhugë,
kujtohet se xhokën e ka mbi shkurren
me lule të bardha. Yjet vrapojnë njëri pas tjetrit.
I bëhet në gjumë sikur kuajt i thonë:
“Ku ishte ti gjithë ditën e ditës?!

6 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›