E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS fiton Tiranën, PD merr fshatrat e Kavajën

 

ADI SHKEMBI

Zgjedhjet e 28 qershorit konfirmuan edhe njëherë atë dukuri të vërejtur për herë të parë në zgjedhjet lokale të vitit 2007, ku PD-ja humbi qytetet, por fitoi komunat. E njëjta situatë është pasqyruar edhe në zgjedhjet e së dielës së kaluar për sa i përket qarkut të Tiranës, por edhe qyteteve kryesore të vendit. Në Tiranë, zona më e madhe elektorale, e cila do të çojë në parlament 32 deputetë, Partia Demokratike ka fituar vetëm dy njësi vendore nga 11 që janë gjithsej, ndërkohë që në zgjedhjet e dy viteve më parë fitoi tri të tilla. Në të kundërt demokratët kanë diferencë të ndjeshme në të gjitha rrethinat e qytetit, duke kompensuar në këtë mënyrë disavantazhin në qytet.
Qyteti
Nga 11 njësi bashkiake në Tiranë, demokratët janë rikonfirmuar për të disatën herë në dy njësi, ajo 8 që përfshin zonën e Medresesë dhe në njësinë 11 në Laprakë. Në të gjitha zgjedhjet e fundit, PD ka qenë fituese në këto dy njësi, të cilat janë konsideruar si bastione të Partisë Demokratike. Nga ana tjetër socialistët kanë fituar në zgjedhjet e 28 qershorit në njësinë 10, ku në vitin 2007, kandidatët e dy forcave të mëdha politike dolën me numër të njëjtë votash dhe vetëm pas hedhjes së goglave, u shpall fitues kandidati i PD-së, Gerti Bogdani. Ndërkaq socialistët kanë fituar në nëntë njësitë e tjera, duke arritur të njëjtin rezultat me atë të dy viteve më parë. Fitoren më të thellë PS e ka arritur në njësinë 5, e cila përfshin zonën e Tiranës së Re dhe ish-Bllokun, ku katër vjet më parë kandidati i PS-së, Musa Ulqini, fitoi vetëm me 12 vota diferencë ndaj kandidatit të PD-së, Neritan Sejamini. Gjithashtu PS-ja ka konfirmuar fitoren edhe në njësitë 1, 2, 3 si dhe njësinë 6 në Kombinat, ku Lëvizja Socialiste për Integrim në vitin 2007 nxori fituese kandidaten e saj, ndonëse në koalicion me PS-në. Në këtë njësi LSI-ja ka marrë 2359 vota, numrin më të madh se në çdo njësi tjetër të qarkut të Tiranës.
Qarku
Por ndryshe nga situata në qytetin e Tiranës, në zonat përreth dhe në Kavajë, Partia Demokratike ka fituar me diferencë të madhe votash ndaj PS-së, duke ulur ndjeshëm diferencën mes këtyre dy forcave politike. Kështu, avantazhin më të madh demokratët e kanë arritur në KZAZ-në 56, që përfshin Bashkinë e Kamzës dhe zonat përreth saj, ku morën rreth 6100 vota më shumë se rivalët e tyre politikë. Gjithashtu një diferencë të madhe PD-ja ka krijuar edhe në Bashkinë e Kavajës, e njohur si bastion i kësaj partie, dhe në rrethinat e saj, ku pas përfundimit të votimeve ka rezultuar me 3600 vota më shumë se PS-ja. Në të njëjtën kohë forca më e madhe e koalicionit të djathtë ka arritur të fitojë edhe në Paskuqan, Kashar dhe Rrogozhinë. Në total Partia Demokratike ka fituar në 7 KZAZ të qarkut të Tiranës, ndaj 9 KZAZ-ve ku është shpallur fituese PS-ja. Për sa i përket numrit të votave, PS-ja ka marrë gjithsej 161.179 vota, ose 1676 vota më shumë se PD. Por futja në koalicion e 15 partive të tjera ka bërë që koalicioni “Aleanca e ndryshimit” në rang qarku të marrë një numër më të madh votash se “Bashkimi për ndryshim”. PD dhe aleatët kanë marrë 176.006 vota ndaj 172.246 votave të koalicionit të PS-së. Për sa i përket mandateve të deputetëve, koalicioni i djathtë ka fituar 16 mandate (15 PD dhe 1 PR), ndërsa koalicioni i PS-së 15 mandate dhe një mandat Lëvizja Socialiste për Integrim.

Institucionet

Njësia vendore    PD        PS        LSI

Njësia 1        7.181        8.695        941
Njësia 2        12.652    14.388    1.585
Njësia 3        6.382        8.224        800
Njësia 4        9.591        10.568    922
Njësia 5        10.838    17.689    1.980
Njësia 6        8.054        10.049    2.359
Njësia 7        10.659    12.303    1.235
Njësia 8        7.611        6.483        658
Njësia 9        9.956        10.259    950
Njësia 10        4.819        4.991        513
Njësia 11        10.283    9.606        959
Kamza        14.014    7.821        620
Kashari        16.751    14.531    2.020
Paskuqani        15.721    14.437    807
Kavaja        8.123        4.484        403
Rrogozhina        6.868        6.651        671

Total            159.503    161.179    17419

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›