E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pengoi Bulkun në KZAZ, pranga 20-vjeçarit

 

FIER – Arrestohet një 20-vjeçar fierak për protestën e bërë mbrëmjen e 30 qershorit para godinës së KZAZ-së 20 në qytetin e Fierit. Pas shoqërimive të kryera mbrëmjen e së shtunës të dy prej protagonistëve të protestës, dje u krye prangosja e një tjetri, pikërisht të riut Mihal Kumaraku. Burime të policisë së Fierit bëjnë të ditur se hetimi për këtë çështje nisi pas denoncimit të kandidates për deputete të Partisë Demokratike në Tiranë, Rajmonda Bulku. Ajo, bashkë me një grup të tjerë kandidatësh demokratë, tentuan të hynin në qendrën e numërimit të votave të Libofshës, por u penguan nga turma që kërkonte të mos shpërnguleshin gjatë natës kutitë e votimit. Sipas të dhënave të policisë së Qarkut Fier, Kumaraku u ndalua pas kallëzimit për dhunë të kryer nga Rajmonda Bulku pranë Prokurorisë Fier.
Kumaraku akuzohet për pengim të subjektit zgjedhor në organet përfaqësuese në KZAZ që në rastin konkret ishte ajo me numër 20. Më 30 qershor në KZAZ, me numër 20 me qindra simpatizantë të Partisë Socialiste pushtuan sheshin përpara shkollës së mesme “Perikli Ikonomi”, aty ku ishte e vendosur KZAZ-ja. Kandidatja per deputete, aktorja Rajmonda Bulku u gjend në Fier për të parë nga afër zhvillimet që po ndodhnin në KZAZ-në 20, pas debateve që përfshinë palët politike. Prania e madhe e simpatizantëve socialistë vështirësoi hyrjen e aktores, e cila u shty prej tyre, pa e lënë të depërtonte brenda godinës. U desh ndërhyrja e kolegëve të tjerë dhe e forca të policisë që të bëhej e mundur futja e Bulkut në godinë. Pas kësaj ngjarjeje, Bulku, tashmë deputete e mandatuar i është drejtuar organit të akuzës, duke regjistruar kallëzimin. Sipas komunikatës zyrtare të dalë ditën e djeshme në Fier mësohet se për këtë rast do të ketë të tjera shoqërime. Mbrëmjen e së shtunës u shoqëruan në komisariat punonjësja e policisë bashkiake, Shpresa Toto si dhe qytetari Ibrahim Elezi, për protestën e paligjshme të kryer para godinës së qendrës së votimit. E njëjta protestë, ndonëse më paqësore, u zhvillua të nesërmen, pranë godinës së KZAZ-së numër 18, por ajo kaloi pa incidente.             m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›