E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujtesa e zemrës në letërsi



Dihet, kujtesa riprodhuese e Natyrës është më e vjetra dhe më e madhja, por kujtesa emocionale e njeriut është unikale, e papërsëritshme, ajo s’ka të dytë. Pyes: sa bëhet pjesë e letërsisë kjo kujtesë? Distanca midis trurit e zemrës është më e vogël se perimetri i një gjoksi njerëzor dhe, gjithsesi, e barabartë me distancën deri te Zoti. Prandaj pyes përsëri: në çfarë raporti vjen në letërsi kjo marrëdhënie? A mos po e vrasim të pavetëdijshmen, subkoshiencën ndjesore dhe emocionale, mos po e vrasim zemrën për një mijë shkaqe, nga të cilët po përmend më supremin, atë që dëmton letërsinë serioze, kur shfaqet si letërsi konfeksioniste. Dhe e tillë po shfaqet shpesh. Çfarë është ky term i shpifur, kjo letërsi e konfeksionuar? Në rastin më të mirë është perfektja në dukje. Letërsia që, kur ia vë vizoren, nuk e kap gabim nga asnjë anë, e matur si vizatimet teknike, e pagabueshme dhe ekzakte si mallrat e fabrikave që punojnë me teknologji të lartë. Por çfarë i mungon për t’u quajtur letërsi e madhe? Një përgjigje ekziston prej kohësh: truri zakonisht jep mjeshtra, zemra jep artistë. Bota e sotme ka më shumë mjeshtra dhe më pak artistë. Për hir të epokës racionaliste, për hir të modës globale, për hir të tregut e famës boshe, po zbehet përpjekja e lavdishme për t’ia kthyer gjuhës shpirtin dhe letërsisë shkrimtarët shpirtërorë. Një shkrimtar mund të jetë edhe gjashtëdhjetë, edhe tridhjetë vjeç, por zemra e tij duhet të ndjejë sa njëmijë vjet.

Zija ÇELA

Mosha e një shkrimtari mund të jetë edhe tridhjetë, edhe gjashtëdhjetë vjeç, por shpirti i tij duhet të jetë të paktën njëmijë vjeç. A mund ta mbajë? Po, është dëshmuar. Por si dhe ku e mban? Këto s’i them dot, jo se nuk dua, por se nuk di. Tash jam i gatshëm të pranoj se në njëmijë sende di vetëm një, në një milion nuk di asnjë. Prandaj, përballë kompleksitetit që ka arti, përballë këtij milionit që shumëzohet me infinitin, letërsinë nuk guxoj ta shpjegoj, por të rrëfej për të sadopak. Ndoshta këtë urdhër ma jep edhe raca ime, ajo e prozatorëve, domethënë hamejve më mundimqarë të letrave.

1.
Kur jetoja në Has, pata njohur në Krumë një njeri të dhënë pas gjuetisë dhe, natyrshëm, pas anekdotave, zmadhimeve e rrenave që shoqërojnë gjuetinë. Mjaft nga thagmat e tij ishin thjesht pallavra, por ajo më e fantaksura doli e vërtetë. Cila ishte? Bindja se zagari i tij, siç u shpreh fjalë për fjalë, dinte të lexonte. Nuk vonoi dhe, nga një shkurre në largësi prej nesh, qeni i tij nxori një goxha lepur. Pastaj, duke lehur, filloi ta ndiqte për ta sjellë përsëri aty nga kishte dalë dhe ku i zoti do ta priste me çiften gati. T’u mbush radakja tashti, m’u kthye pa teklif tjetri, dhe vazhdoi: qeni e gjeti lepurin, sepse arriti ta lexonte adresën e tij.
M’u kujtua Ibishi, një fshatar i butë që e kisha njohur më përpara në Helshan, në anën perëndimore të pllajës së Hasit. Fisi i tij kishte një gjak të vjetër dhe një hasëm kryeneç. Ibishi shkonte rrallë në klubin e fshatit, por sa herë nisej për atje, e shihja duke ecur me kokën ulur. E pyeta një ditë, pse me kokën ulur, dhe ai m’u gjegj mendueshëm, me një perde të fshetë fataliteti: “Me këmbët e mia po shkruaj fatin tim, mor mik. Po mundohem të kuptoj se kush ka vajtur në klub para meje dhe atë, që vjen më mbrapa, po e bëj me dije se mua më gjen atje.”
Në të dy rastet ishte folur për gjurmën, fërkemin në gjuhën e vendasve, shenjën që lë një trup kur fërkohet me një trup: këpuca me dheun, flutura me lulen, burri me gruan, rrota e vagonit me shinën e hekurt, gishti me tastën e kompjuterit, vala me bregun, pena me letrën, Toka me ajrin e orbitës së saj. Dhjetë shembuj janë mjaft, një milion prapë do të ishin pak, sepse mbarë jeta, duke qenë lëvizje, është njëkohësisht fërkim. Edhe vetë njeriu, si qenie biologjike e si qenie shoqërore, prandaj mbaron një ditë, ai konsumohet vazhdimisht nga fërkimi përballë lumit të Kohës. Ja përse gjurmët, vragët, shenjat, kaligramat pra, janë të përkohshme ose aftgjata. Afatgjata, bie fjala, janë kaligramat e bing-bang-ut, malet dhe rudhat që hidhen në harta. Të përkohshme janë gjurmët e peshkut në ujë, madje pranohet se peshku nuk lë shenja në ujë.
Por edhe në çastin që flet, njeriu lë gjurmë përreth. Valët zanore që përcjell ajri, i bëjnë të kuptueshme për veshin fjalët që shqiptohen. Por mundësia për ta kapur në sinkron këtë alfabet akustik, është fare kalimtare. Një valëzim i ajrit dhe asgjë më, tingulli shuhet. Çfarë tha Homeri, kur ndjeu se po e mbulonte errësira e vdekjes? Cili nga stërgjyshërit tanë e shqiptoi i pari emrin e Ulqinit? Si fliste Shekspiri, kishte nota elegjiake në tonin e tij? Çfarë tha Naimi ynë, Naim Frashëri i dhembshur, i ndryshoi zëri kur mushkëritë ia preku veremi?.. S’ka humbje më të pandreqshme për njerëzimin, sesa humbja e përbotshme e zërit, fonotekës së tij natyrale dhe universale. Prandaj, sado që përsëritet shpesh, është tragjike dhe e frikshme të mendosh se: Fjalët i merr era. Por njerëzimi ka qenë i paralajmëruar qysh herët për këtë dhe qysh herët e ka bërë edhe zgjedhjen, pastaj latinët e lashtë e shpallën të formuluar: Scripta manent. Dhe vërtet, letërsia është njëra nga Bankat më të moçme e më të sigurta të Fjalës së shkruar, fjalës që mbetet. Por duke qenë kontribuesit më të mëdhenj për këtë thesar, shkrimtarët janë gjithashtu edhe shërbyesit më të përvuajtur.

2.
Në një ese të kohëve të fundit jam shprehur se poezia është si ajo nusja e huaj, që në ëndërr gjithmonë largohet duke ta bërë me dorë. Letërsia ka qenë qysh herët e fejuara ime dhe tashmë jemi njohur aq shumë, sa të dy jemi lidhur duarsh e këmbësh që të mos largohemi nga njëri-tjetri. Shenjat e litarit s’janë në duar, por në zemër. E, vallë, çfarë qenka zemra për letërsinë?
Përgjatë viteve të jetës më është dashur të kaloj disa operacione kirurgjike. I pari kur isha katër vjeç. E kujtoj turbullt qëndrimin në spital, më dalin në spikamë vetëm ca dhurata të shtrenjta, që s’ishin tjetër veçse kutia boshe të ilaçeve. Operacioni i dytë më gjeti në dyfishin e moshës, shtatë për tetë vjeç. Në gjumin e thellë të narkozës, që atëherë kutërbonte prej duhmës së rëndë, m’u shfaqen lule të bardha, një oborr, një vajzë me bishtaleca dhe muzikë, sepse dikush këndonte për vajzën. Disa sekuenca filmi ishin, filmi i parë me dashuri, me dashni, që e kisha ndjekur në kinema “Rozafat”. Veçse kishte një ndryshim nga ekrani: asaj vajzës nuk po i këndonte i dashuri, por i këndoja unë. Në Shkodër, në qytetin tim të lindjes, ishte shumë e përhapur një këngë e famshme: “M’i ke faqet të kuqe si gjaku/ me ty vashë më ka zanë meraku.” Mirëpo, përkundër kësaj kënge, mashkulli i filmit nuk e puthte femrën në faqe, por në buzë. Ky paskësh qenë një zbulim i madh patjetër, përderisa mua, shejtan-budallës së vogël, më kishte mbetur gozhdë në zemër. Afërmendsh, thjesht në nivelin e naivizmit, më tralliste çudia se si ishte e mundur që çfarë kishte qenë e besueshme të shndërrohej në të pabesueshme dhe vetë realiteti të bëhej ëndërr?! I ndihmuar nga instinkti, ndoshta po shihja diku larg pragun e vagullt të letërsisë.
Nja dy operacione të tjera, ndonëse në moshën e burrit, kanë qenë me mpirje lokale dhe s’hyjnë në hesap për t’u përmendur, me përjashtim të bujarisë së mjekëve që, teksa u jepnin duarve me bisturitë, s’ia përtonin muhabeteve për motin, anijet kozmike, futbollin dhe kumbullat e thata.
Operacioni i fundit ka ndodhur diçka si sot, pikërisht dy vjet më parë. Me urgjencë. Dhe në zemër. Megjithëse kisha njohuri për teknikën që do të përdorej, hyra në sallë me bindjen se, përgjatë gjumit që do të zgjaste pesë deri në gjashtë orë, siç më njoftuan, do t’më shfaqeshin në ëndërr gjithfarë pamjesh. Njërën e dëshiroja mbi të tjerat, atë më të pushtetshmen, fytyrën e tim biri, Dritanit të paharrueshëm. Por isha gabuar, nuk m’u shfaq. Asgjë prej gjëje nuk m’u shfaq. Pas operacionit nuk kisha asnjë kujtesë. Zemra ime nuk kishte punuar, ajo ishte zëvendësuar me një aparat dhe gjithë sa mund të thoja ishte kjo ndjesi: për gjashtë orë isha zhdukur nga faqja e dheut, isha asgjësuar plotësisht dhe, pastaj, isha ngjallur së vdekurish.
Por çfarë kishte ndodhur në metafizikën e ngjarjes?
Tani që zemra ime ishte rikthyer në punë, a do të ishte prapë ajo e dikurshmja, do të ndjente dhe do të reagonte njëlloj? Çfarë bëhej me depozitat saj të mbledhura ndër vite, i kishte ruajtur emocionet, dridhjet, hovjet lirike, vuajtjet dhe travajat e mëparshme? Me një fjalë, nuk më interesonte më ndryshimi anatomik që kishte pësuar, mekanizmi i valvulave dhe i proçesorëve, por softi i jetës që ishte regjistruar aty.
Ja, kjo ishte enigma që më mundonte, e panjohura që duhej bërë medoemos e njohur. Pikërisht prova e zemrës ka qenë sfida më e rëndë për romanin “SOS, një buzëqeshje”, vizioni e të cilit më kishte ardhur disa kohë para operacionit, por që priste për t’u shkruar pas tij. Thashë prova, enigma e sfida sepse tashmë, krahas të besueshmes që bëhet e pabesueshme, do të synoja gjithashtu të kundërtën, të pabesueshmen që bëhet e besueshme, ëndrrën që merret si zhgjëndërr, jorealen që kthehet në realitet. Nga ana tjetër, me gjithë synimin për t’iu larguar romaneve të mëparshme, prapë se prapë më duhej të ruaja pjesën e patjetërsueshme, fondin e lindur dhe ato esencat që çdo autor i kultivon për identitetin krijues.
Beteja i kishte të gjitha gjasat për ndeshje të fortë. Një ndeshje që premtonte dramë, e jo vetëm dramë, por edhe ca buzagaz, vërtet të përmbajtur, vërtet të sinqertë, mirëpo thekshëm të hidhur. Ndryshe nga Don Kishoti i Mançës, i krijuar prej Servantesit të papërsëritshëm, shkrimtari kokëshkretë do të ishte vetë një Don Kishot, veçse kësaj here nuk do të kishte përpara mullinjtë e erës, në Balbonë ai do të përleshej me fantazmën e vet, njëfarë Zija Çela që paskësh rrojtur më parë dhe që (hm, zotëria e tij!) pretendonte se ishte rimishëruar tek unë.

3.
Nuk ftoj askënd që ta çmojë këtë përvojë të letrave, aq më pak ta adaptojë. Është e vogël për të tjerët kjo këmishë, humbet para botës. Por ndoshta kush humbet për botën, ka gjetur botën e vet (Niçe).
Prandaj, kur përmenda orbitën e Tokës, kisha parasysh se askush s’mund ta dëgjojë zhurmën që bën globi, duke u rrotulluar në boshtin vertikal. E menjëherë më vjen të them po ashtu: askush s’mund ta dëgjojë oshëtimën e gjakut, duke qarkulluar në trupin e tij. Por ka një mënyrë fatlume për njeriun që ta kapë, ta dëshifrojë përmes rrahjeve të zemrës. Rrahjet. E njëjta fjalë që përdorim për makinën e shkrimit. Pse jo, edhe pa vullnetin tonë, zemra shkruan çdo çast në mish e në muskuj, shkruan me bojë të kuqe kjo makinë e gjallë.
Dihet, kujtesa riprodhuese e Natyrës është më e vjetra dhe më e madhja, por kujtesa emocionale e njeriut është unikale, e papërsëritshme, ajo s’ka të dytë. Pyes: sa bëhet pjesë e letërsisë kjo kujtesë? Distanca midis trurit e zemrës është më e vogël se perimetri i një gjoksi njerëzor dhe, gjithsesi, e barabartë me distancën deri te Zoti. Prandaj pyes përsëri: në çfarë raporti vjen në letërsi kjo marrëdhënie? A mos po e vrasim të pavetëdijshmen, subkoshiencën ndjesore dhe emocionale, mos po e vrasim zemrën për një mijë shkaqe, nga të cilët po përmend më supremin, atë që dëmton letërsinë serioze, kur shfaqet si letërsi konfeksioniste. Dhe e tillë po shfaqet shpesh.
Çfarë është ky term i shpifur, kjo letërsi e konfeksionuar?
Në rastin më të mirë është perfektja në dukje. Letërsia që, kur ia vë vizoren, nuk e kap gabim nga asnjë anë, e matur si vizatimet teknike, e pagabueshme dhe ekzakte si mallrat e fabrikave që punojnë me teknologji të lartë. Por çfarë i mungon për t’u quajtur letërsi e madhe? Një përgjigje ekziston prej kohësh: truri zakonisht jep mjeshtra, zemra jep artistë. Bota e sotme ka më shumë mjeshtra dhe më pak artistë. Për hir të epokës racionaliste, për hir të modës globale, për hir të tregut e famës boshe, po zbehet përpjekja e lavdishme për t’ia kthyer gjuhës shpirtin dhe letërsisë shkrimtarët shpirtërorë. Një shkrimtar mund të jetë edhe gjashtëdhjetë, edhe tridhjetë vjeç, por zemra e tij duhet të ndjejë sa njëmijë vjet.
U zgjata? Po e mbyll me Shën Agustinin. U mashtrova nga Shën Agustini, kur ia mohova peshkut gjurmën në ujë. Ka një çast që peshku i bën krejt të dukshme gjurmët e tij. Me të rënë në grep, ai nis të rezistojë, madje ia mbath në të kundërtën për t’u larguar nëse i jepet mundësia, duke e rrejtur shpresa se e rifitoi lirinë. Por harron se në breg, në një kalimera, kolibe me zhukë, kallama, kashtë a dushk të thatë, është dikush që po ia lëshon fillin, për ta tërhequr pastaj më lehtë deri në breg.
Më falni, por unë jam një shkrimtar me grepin në gojë, merret me mend se kush e tërheq fillin tim.
_________________________
Kjo ese u lexua në “Kalimera”, takimet letrare të Ulqinit, ku autori ishte i ftuar.

6 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›