Në një dorë patatina, në tjetrën telekomandën
Këtu, te libri në formë filmi, së paku për mua superoferta verore këputet si nyje e trashë. Pastaj kujtohem ku përfunduan shokët e mi prej letre. Robinson Kruzo, Guliveri, Hakëlberr Fini. Xhon Silveri, Koperfildi, Kapiteni Flint, Pipi, Xhipi në televizor, Kapiteni Nemo, Piter Pani, Doktor Dulitlli, Meri Popons, Liza, Xhim Kopsa dhe një makinist. Ku përfundoi ajo racë fëmijësh që edhe pse çapkëne, abrashe e çamarroke, dukej e paqmë, e drejtë e miqësore? Por ndoshta edhe ju, nëse keni parë ndonjëherë filma të sotëm për fëmijë, e keni vënë re se personazhet e “librave” në televizor janë shndërruar që të gjithë dedektivë, në komisarë policie me pranga e dinstiktivë dhe inspektorë që ndjekin këmba-këmbës kriminelët e luftojnë me kobure-mikroçipe krimin!
Inspktori Gadget dhe qeni i tij informator. Inspektori Rex. Xhimi Neutron... Spiderman-i... Hulk-u - njeriu jeshil e luftëtar... Gok-u që të mëson gjithë stilet e mbrojtjes dhe të sulmit nga tokësorët e galaktikët... Dhe druaj se këtij mutacioni nuk i kanë bërë dot ballë as kafshët e orenditë e shtëpive: muret, llambadarët, tryezat e bukës, karriget rrotulluese dhe dollapët gjithë sy e veshë! A ju kujtohet Lesi! Qeni Lesi? Ai që ndihmonte njerëzit në rrezik e në nevojë, siç qe slogani! Sot Lesi televiziv ka ndërruar profesion. Nuk mund t’i bënte bisht në një shoqëri që ndryshon. Lesi është bërë dedektiv, nxjerr bukën me të lehur elektronik e bashkëpunon me policinë. Por, ngaqë qenve televizivë u pëlqejnë kockat njëlloj si qenve të vërtetë, i ka marrë hua vetëm emrin agjentit sekret Sherlok Holmes. Ky qen kockëlëpirës, tmerr i kriminelëve, quhet Sherlok Bones.
Prej kësaj të vjen në mendje një pyetje e thjeshtë: vallë, kaq shumë e rrezikuar të jetë bota, sa përmes filmave, po mobilizojmë për luftë edhe fëmijët, po i përgatisim e po u kërkojmë edhe atyre ndihmë? Kaq keq qenkan punët nga terrorizmi dhe çdo lloj trafiku, sa duhet t’i aftësojmë për të nesërmen tonë fëmijë militarë, të ngjashëm me Rambo të vegjël, të gatshëm e të armatosur që sot me me PSP në brez, me gjerdan CD PLAYWAR, me FLASHDISC nën jakë, me Wireless, Bluetooth, USB data cable dhe një GPS Multifunctional Celular? Por pyetja fillestare, në krye të vijës së parë, qe krejt e thjeshtë: Ku t’i lëshojmë fëmijët për verim? Ku të mrizojnë? Koha shkon dhe, nëse punët ende nuk janë ndarë, do mësojmë se kismet për të gjithë ka patur, ka e prapë do të ketë. Si për ata që sot janë fëmijë e që nesër do të prodhojnë mikroçipe e procesorë, si për të tjerët që do shpëtojnë naivisht botën, duke mbajtur në njërën dorë potato chips dhe në tjetrën telekomandën.
Arian LEKA
Po të lëmë krejt mënjanë ofertat verore për turizëm masiv jashtë kufijve, shoqëruar me pamje ndjellëse, edhe më të bukura se ato të biblave të ilustruara për fëmijë / kapitulli Paradise, del se vera, stina e verës, nuk është aq miqësore e pa andralla për Homo Albanicus. Së paku, jo aq sa përjetohet nga përdoruesit e newspeak-ut, gjuhës së re me të cilën Orwell-i bëri të flisnin, gjithë politesë e korrektesë, banoret e Oqeanisë apo, thënë shkurt, njerëzit që ia luajnë syrin jetës dhe që hallet i zgjidhin me mjete të thjeshta, si për shembull celulari a një fishkëllimë. Nëse do të zhgënjehesh, merre prej tyre më të thuktin mendim, pasi jeta për ta, për fat, ka edhe oaze me stinë, thuajse si në Terra Australis.
Për pjesën tjetër, njerëzit që e përjetojnë verën me imazhet që A.Z.Çajupi ofronte dikur për Misirin, me fusha të pasosura e shumë vapë, ofrohen të tjera pamje, më pak idilike për stinën e verës. Por sidoqoftë, si ata që i shohin pa tejqyrë dhe i gjejnë oazet, si të tjerët që bëjnë edhe pa to, si ata që shkojnë me pushime, si të tjerë që çalltisin të punojnë e jo të pushojnë, vjen dita që takohen dhe lundrojnë në të njëjtën barkë joturistike, sapo afron vera, thjesht për të përballuar e ndarë së bashku krizën.
Nuk është fjala për krizën globale (si duket na njeh mirë se cilët jemi dhe nuk guxon të na afrohet e të na prekë), por për një tjetër krizë. Cilën? Ku është ajo dhe pse nuk e shohim? Më shumë në kokë, por edhe në tokë.
Shpjegimin më të mirë e të vërtetë për këtë lloj krize e ndjejnë prindërit dhe familjet që kanë fëmijë. Sidomos ata që u mbyllen dyert e shkollave dhe u fillojnë pushimet verore. Tre muaj thuajse! Kur kujtojnë këtë, shumë prindërve u hyjnë dridhmat. Pyetja Ku t’i çojmë fëmijët?, nga një pyetje e rëndomtë, rutinë e banale, merr vlerë të beftë në bursën e jetës së përditshme. E nëse ndonjë mbrëmje Perëndia të merr mendtë dhe del të bësh ca hapa trotuareve, për të çmpirë këmbët a për të gjetur një dorë ajër jometalik, veshët do të të kapin në ecje copëra frazash, periudha fjalish që mbijnë nga lokalet, do të dëgjosh togfjalësha të këputur, pyetje që varen dritareve: “Fëmijët?!..” “Ku t’i çojmë tani fëmijët? “Fëmijët...? “Dhe nuk janë pak se, falë të madhit, jemi dhe shteti me moshën më të re në Europë!”
Vërtet, ku t’i çojmë fëmijët në verë? ǒofertë kemi për ta? Privatisht apo edhe si shoqëri? Kemi ndonjë detyrim? Kujt t’ia besojmë? Apo më mirë të themi, kujt t’ia ngecim në derë? Kemi bërë për ta gjithë atë investim. Nëntë muaj shkollë për tre muaj... djerrë? A nuk ngjason edhe kjo paksa me atë, që nuk ngurrojmë ta quajmë fenomeni Rozafë në mirërritjen e një brezi dhe në edukim?
- T’ua lëmë gjyshërve, të çmallen? (Është një alternativë.)
- Kujt? Atyre që u ënjtin kokat fëmijëve me lajme e që me emra politikanësh u bëjnë quizz-in mëngjesor? Jo edhe jo!- Atëherë t’i marrim në miting! Ka edhe koncert si alternativë.
- Kjo do të ishte me të vërtetë një zgjidhje për t’u marrë në konsideratë, por për dreq zgjedhjet mbaruan.
- Po kujt, atëherë? (Alternativat këtu mbarojnë.)
E në këtë pikë hapet dialogu si vlerë e paçmueshme komunikimi. Pikërisht këtu rivlerësohen marrëdhëniet e na hyn në punë çdo lloj këshillimi, komshillik e mediatik, që fillon me dialog ndërtuar në varg të bardhë:
- Si? Nuk e paske marrë vesh? Aksh shkollë organizon kurse verore: anglishte e përshpejtuar, mësim noti stil i lirë, plus BONUS dy akullore. Ku jeton ti, që as këto nuk i di!?!
- Këtu jetoj, po konkretisht, ku edhe si, më thuaj fëmijët ku t’i dërgoj? Vjen dita dhe cirku, kukullat, skenat, arenat dhe sallat mbyllen, për t’u ritakuar në vjeshtë. Hapur janë veç pishinat, kinematë e lokalet me tym dhe ventilim 24 hours non stop... - Nuk të pëlqejnë kurset e DJ? Kurse nxirjesh solari? Kurse psikologjie? Kurse vetënjohjete? Qendër masazhi? Do atëherë një tjetër ofertë. Një alternativë shumë më të mirë se kursi veror? Lërini fëmijët në fëmijërinë e tyre! Lërini të jenë fëmijë. Vetëm! Në shtëpi! Strehojini fëmijët brenda kutisë magjike... në televizor!
Tashmë është e qartë dhe mund të jetojmë të gjithë në paqë, se ua kemi siguruar fëmijëve tanë të ardhmen, futurum-in. Nuk kemi nevojë të rendim pas gjithçkaje. Është gjithçkaja që na ndjek nga pas. E nëse përsëri vjen Perëndia e të merr mendtë të dalësh të shëtisësh darkave, nga dritaret do të vërshojnë dhe kacavaren zëra të ëmbël, melikë:
- Përmes ekranit, thjesht me një touch screen, sot mund t’i zgjidhni çështjet themelore e më të komplikuara të in + formimit. Madje për ju, të dashur prindër, kemi edhe një superfertë. Mos u largoni! Rrini në shoqërinë tonë! Takohemi sërish pas publicitetit! Ekrani është i mirë, i sheshtë, i drejtë. Ai nuk ka nevojë as për vëmendje të plotë. Mjafton veç një halfpartconcetration dhe muzika e sporti vjen free...
- Më falni... Pyetja ime qe mjaft e thjeshtë. Ku t’i strehojmë fëmijët...? A ka tjetër ofertë verore për këta fëmijë, përveçse në bunkerë të zbukuruar nga brenda, siç janë zakonisht shtëpitë, apo në TV bunkerë?
- ...në ekran mund të udhëtoni, të shihni botë pa lëvizur nga vendi. Madje ofrojmë dhe libra në formë filmi...
Këtu, te libri në formë filmi, së paku për mua superoferta verore këputet si nyje e trashë. Pastaj kujtohem ku përfunduan shokët e mi prej letre. Robinson Kruzo, Guliveri, Hakëlberr Fini. Xhon Silveri, Koperfildi, Kapiteni Flint, Pipi, Xhipi në televizor, Kapiteni Nemo, Piter Pani, Doktor Dulitlli, Meri Popons, Liza, Xhim Kopsa dhe një makinist. Ku përfundoi ajo racë fëmijësh që edhe pse çapkëne, abrashe e çamarroke, dukej e paqmë, e drejtë e miqësore? Por ndoshta edhe ju, nëse keni parë ndonjëherë filma të sotëm për fëmijë, e keni vënë re se personazhet e “librave” në televizor janë shndërruar që të gjithë dedektivë, në komisarë policie me pranga e dinstiktivë dhe inspektorë që ndjekin këmba-këmbës kriminelët e luftojnë me kobure-mikroçipe krimin!
Inspktori Gadget dhe qeni i tij informator. Xhimi Neutron... Spiderman-i... Hulku - njeriu jeshil e luftëtar... Goku që të mëson gjithë stilet e mbrojtjes dhe të sulmit nga tokësorët e galaktikët... Dhe druaj se këtij mutacioni nuk i kanë bërë dot ballë as kafshët e orenditë e shtëpive: muret, llambadarët, tryezat e bukës, karriget rrotulluese dhe dollapët gjithë sy e veshë! A ju kujtohet Lesi! Qeni Lesi? Ai që ndihmonte njerëzit në rrezik e në nevojë, siç qe slogani! Sot Lesi televiziv ka ndërruar profesion. Nuk mund t’i bënte bisht në një shoqëri që ndryshon. Lesi është bërë dedektiv, nxjerr bukën me të lehur elektronik e bashkëpunon me policinë. Por, ngaqë qenve televizivë u pëlqejnë kockat njëlloj si qenve të vërtetë, i ka marrë hua vetëm emrin agjentit sekret Sherlok Holmes. Ky qen kockëlëpirës, tmerr i kriminelëve, quhet Sherlok Bones.
Prej kësaj të vjen në mendje një pyetje e thjeshtë: kaq shumë e rrezikuar të jetë vallë bota, sa përmes filmave, po mobilizojmë për luftë edhe fëmijët, po i përgatisim e po u kërkojmë edhe atyre ndihmë? Kaq keq qenkan punët nga terrorizmi dhe çdo lloj trafiku, sa duhet t’i aftësojmë për të nesërmen tonë fëmijë militarë, të ngjashëm me Rambo të vegjël, të gatshëm e të armatosur që sot me me PSP në brez, me gjerdan CD PLAYWAR, me FLASHDISC nën jakë, me Wireless, Bluetooth, USB data cable dhe një GPS Multifunctional Celular?
Por pyetja fillestare, në krye të vijës së parë, qe krejt e thjeshtë: Ku t’i lëshojmë fëmijët për verim? Ku të mrizojnë?
Koha shkon dhe, nëse punët ende nuk janë ndarë, do të mësojmë se kismet për të gjithë ka patur, ka e prapë do të ketë. Si për ata që sot janë fëmijë e që nesër do të prodhojnë mikroçipe e procesorë..., si për të tjerët që do t’na e shpëtojnë naivisht botën, duke mbajtur në njërën dorë potato chips dhe telekomandën në tjetrën.
6 Korrik 2009