KQZ shpall Gjirokastrën, shtyhet Fieri
BLEDAR HOTI
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vendosë sot për procedurën që do të ndiqet për nëntë kutitë e Fierit. Në KQZ, katër KZAZ-të 18, 19, 20 dhe 22 kanë paraqitur materialet me rezultatin përfundimtar pa numëruar 9 kutitë dhe më pas partitë mund të bëjnë ankimin për rezultatin e shpallur. Përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj, deklaroi dje për mediat se do të insistojnë në numërimin e këtyre kutive, pasi në to bëhej fjalë për caktimin e mandatit të 9 të deputetit për PS. “Këto kuti mbajnë brenda mandatin e nëntë të PS-së dhe do të rrisin në mënyrë të shkëlqyer rezultatin e PS-së për këto zgjedhje”, u shpreh Gjonçaj. Ndërsa nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, deklaroi se kutitë e votimit duhet të numërohen patjetër nesër. KQZ-ja mori vendimin për shpalljen e rezultatit të qarkut të Gjirokastrës, ndërsa për Vlorën nuk u mor vendim për shkak se KZAZ numër 61 nuk kishte shpallur vendimin e tabelës përfundimtare. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, e denoncoi një fakt të tillë, duke u shprehur se vjen për shkak të komisionerëve të patrajnuar, duke paralajmëruar dhe bërjen e kallëzimeve penale. Ndërsa ka reaguar edhe kandidatja e PS-së për deputete në zonën e Fierit, Ermelinda Meksi, e cila kërkon numërimin e menjëhershëm të 9 kutive të mbetura. “I bëjmë apel faktorit ndërkombëtar për të monitoruar këtë proces, manipulimi i të cilit filloi në Fier e po vazhdon në KQZ, institucion për të cilin faktori ndërkombëtar ka premtuar garanci dhe monitorim. I kërkojmë Sali Berishës të heqë dorë urgjentisht nga reprezaljet ndaj anëtarëve dhe simpatizantëve të PS-së, reprezalje që kanë vazhduar gjatë gjithë natës në Fier nga policia”, tha Meksi.