E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mandatin e dytë, rritje rrogash, pensionesh dhe lëvizje pa viza”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Berisha në Krujë

Kryeministri Sali Berisha në kuadër të turit të tij elektoral zhilloi një takim me qytetarë të Krujës, Fushë-Krujës si dhe në Njësinë Bashkiake 8, 9 dhe 10 në Tiranë. Kreu i Qeverisë deklaroi se mandatin e dytë Shqipëria do të ketë më shumë rritje rrogash, pensionesh dhe gjithë shqiptarët do të lëvizin pa viza në Evropë. Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh: “Unë vij sot këtu për të kërkuar votën tuaj, besimin tuaj, në mënyrë që katër vitet që vijnë ta bëjmë Krujën dyzet herë më të njohur në Evropë dhe botë. Ne shqiptarët nuk kemi asgjë më të shenjtë, më të çmuar dhe më krenare se qytetin tuaj. Vij sot këtu para jush për t u zotuar se katër vitet që vijnë janë vitet e Krujës evropiane. Ne do të sistemojmë dhe do të asfaltojmë çdo rrugë dhe rrugicë të këtij qyteti, çdo rrugë dhe rrugicë të fshatrave të këtij rrethi. Unë vij këtu për t ju dhënë fjalën se një nga projektet e rëndësishme do të jetë rruga e re Tiranë - Krujë - Qafë Shtamë. Unë zotohem para qytetarëve të Krujës se katër vitet që vijnë rrogat dhe pensionet e krutanëve dhe të gjithë shqiptarëve do të jenë më të larta së ato të gjashtë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Unë u premtoj fermerëve të Krujës se qeveria do të financojë çdo rrënjë ulliri të mbjellë në këtë tokë. Ulliri juaj është më i shijshmi, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën. Prandaj dhe ne do të financojmë të gjitha projektet që ju do të ndërmerrni për nxitjen e prodhimit, për drurët frutorë, për kulturat e tjera bujqësore dhe për blegtorinë. Mbi të gjitha, Kruja në katër vitet që vijnë do të ketë mbi 1 milion turistë. Sa më shumë ta ekspozojmë Krujën para botës, aq më shumë lartësojmë veten tonë, vokacionin dhe shpirtin tonë perëndimor. Katër vitet që vijnë, unë ju premtoj edhe ju garantoj ju se infrastruktura e Krujës do të jetë ultra moderne. Mjedisi i biznesit në Krujë ka njohur përmirësimet më të mëdha. Kruja sot është rrethi me investime ndër më të mëdhatë në industrinë minerare dhe atë të çimentos. Ata që frymëzohen nga Kruja dhe nga historia e Skënderbeut, e kanë të qartë se ekzistenca e kombit përcaktohet para së gjithash dhe mbi të gjitha nga mbrojtja dhe zhvillimi i vokacionit tonë perëndimor, i përkatësisë sonë perëndimore. Projekti i Krujës evropiane dhe Shqipërisë evropiane është ëndrra shqiptare që nga Skënderbeu e deri në ditët e sotme, është projekti më madhështor për ne, për fëmijët tanë dhe për brezat që vijnë. Ndaj dhe ne, këtu nga Kruja, le t u bëjmë një thirrje vëllazërore gjithë qytetarëve të Krujës që të bashkohen me ne, pavarësisht nga bindjet politike, sepse për ne bindja evropiane, ëndrra evropiane, projekti evropian është bindje e të gjitha bindjeve, është projekti i të gjitha projekteve, është ëndrra e të gjitha ëndrrave. Të bashkohen me ne, sepse ne që bëmë realitet ëndrrën atlantiste të shqiptarëve, ne kemi vullnetin, kemi përkushtimin dhe kemi mbështetjen për të bërë realitet dhe ëndrrën evropiane të shqiptarëve. Bashkohuni me ne, qytetarë shqiptarë, sepse këtë projekt ne duam ta ndajmë me secilin prej jush, sepse duke votuar së bashku me ne ju votoni ëndrrën tuaj, ju votoni rrogat dhe pensionet tuaja, ju votoni punësimin tuaj, ju votoni infrastrukturën moderne, votoni Fierin, ju votoni 10-ën. 10-a është Evropa blu, e cila gjatë vitit të parë të mandatit tonë të dytë do të heqë vizat për ne dhe do të na mbështesë fuqishëm në integrimin tonë në Evropë. Më 28 qershor, ju ftoj të gjithëve, burra dhe gra, të rinj dhe të reja, në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ku të festojmë 22 Marsin e ri, të festojmë së bashku fitoren historike të Fierit evropian, të Tiranës evropiane, të Shqipërisë Evropiane”, - përfundoi Berisha.

Ky lajm është publikuar: 23/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›