Korçë, këshilltarët e LSI dhe PR largohen nga partitë
Dy këshilltare zonja në Këshillin Bashkiak të Korçës kanë vendosur të largohen nga partitë që ato kanë përfaqësuar, për tu shpallur si këshilltare të pavarura. Deklarata befasuese ka ardhur në mbledhjen e radhës gjatë të hënës në Këshillin Bashkiak, ku Arjana Pupa këshilltare e LSI si dhe Laureta Bali këshilltare e PR, kanë vendosur ti thonë jo partive, ku kanë aderuar dhe për të cilat janë votuar nga qytetarët korçarë si anëtare të Këshillit Bashkiak.
Sipas Pupës, partia ku ajo ka milituar është kthyer në një parti klanesh, ndaj dhe ajo ka vendosur ta braktisë këtë forcë politike për tu pozicionuar si e pavarur për momentin, ndonëse ka pasur oferta për tu bashkuar me këshilltarët e një tjetër force të majtë në këshill. Gati në një mendje me këshilltaren e LSI-së, ka qenë dhe një këshilltare tjetër zonjë, por këtë herë e një force të djathtë. Laureta Bali ka pohuar se nuk mund të jetë pjesë e një partie si PR- ja ku nuk respektohen anëtarët, ndërsa ka theksuar se do të mbetet e djathtë por pozicioni i të pavarurës në këtë këshill është më i duhuri për momentin. Lufta politike duket se do të jetë e ashpër në këtë prag fushate edhe në juglindje, ndërsa shpallja e kandidaturave të PR për qarkun e Korçës një ditë më parë si dhe ato të LSI duket se kanë nxitur reagime ku dy anëtare të Këshillit Bashkiak vendosën ti largohen qëndrimeve të partive që përfaqësonin deri para kësaj mbledhjeje.