E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Reformat e qeverisë në legjislacion, faktorët kyç të suksesit të integrimin në NATO e BE”

Alibeaj hedh poshtë shpifjet për konsum elektoral të Partisë Socialiste. Të gjitha vendimet e qeverisë janë të botuara në fletoren zyrtare

“Afrimi i datës së zgjedhjeve, natyrisht ka bërë efektin e saj dhe shembujt me të mirë janë trillimet dhe të pavërtetat e njëpasnjëshme, të manifestuara me një inat të çuditshëm por sipas motos ‘shpif, shpif se diçka do të mbetet’”.

TIRANE - Ministria e Drejtësisë ka hedhur dje poshtë akuzat e funksionarëve të Partisë Socialiste për kaos legjislativ të rendit të sotëm juridik, duke deklaruar se të gjitha vendimet e Këshillit të Ministrave me karakter normativ në përputhje me Kushtetutën janë të botuara në fletoren zyrtare.
“Për sa i takon akuzave pa bazë të PS-së se rreth 1010 ose 34.5 për qind e akteve zyrtare të dala në tre vitet e fundit nga Këshilli i Ministrave nuk janë botuar në Fletoren Zyrtare, deklarojmë se të gjitha vendimet e Këshillit të Ministrave me karakter normativ në përputhje me Kushtetutën janë të botuara në fletoren zyrtare. Afrimi i datës së zgjedhjeve, natyrisht ka bërë efektin e saj dhe shembujt me të mirë janë trillimet dhe të pavërtetat e njëpasnjëshme, të manifestuara me një inat të çuditshëm por sipas motos “shpif, shpif se diçka do të mbetet”, thuhet në reagimin e ministrisë së drejtuar nga Enkelejd Alibeaj.
Më tej Zyra e Shtypit e Ministrisë së Drejtësisë shprehet se Republika e Shqipërisë ka përjetuar dy nga ngjarjet më të rëndësishme, plotësimin e ratifikimit të MSA-së me vendet e BE-së dhe marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO.
“Këto dy ngjarje të rëndësishme, të realizuara në një periudhë gati 3 vjeçare, kanë impaktin dhe rëndësinë e tyre në jetën e çdo shqiptari. Por një gjë është e sigurt, reformat e qeverisë dhe posaçërisht ato legjislative janë të mirëpritura dhe të vlerësuara dhe si të tilla përbëjnë një faktor kyç në arritjen e këtyre sukseseve. Ndaj edhe tingëllon pakuptim pretendimi se ftohesh në këto struktura duke pasur një legjislacion të çalë dhe të mangët sikundër pretendohet”, vijon reagimi.
Për Ministrinë e Drejtësisë, është fakt se në këto vite si kurrë më parë është synuar bërja e reformave dhe jo pengimi i tyre, plotësimi i akteve ligjore dhe nënligjore dhe jo krijimi me qëllim i vakuumeve ligjore që pushtetarët e djeshëm të luanin si të donin me normën juridike, zbatimi i plotë i tyre dhe jo miratimi në letër, publikimi i plotë dhe tërheqja e konsulencës juridike në proces.
“Gjithashtu, dëshirojmë të theksojmë për publikun kaosin që gjeti kjo Qeveri në çdo fushë, të pleksur me interesa korruptive të shtetarëve të djeshëm, malin e falsifikimeve dhe të mbivendosjeve të llahtarshme të pronave të bëra në 8 vjet qeverisje të majte, si dhe përpjekjet madhore të pushtetit të sotëm për t’i zgjedhur ato me drejtësi dhe profesionalizëm. Në këtë pikë, Ministria  e Drejtësisë kërkon të shprehë mirënjohje për “dhjetëra institucione, organizata dhe misione të vendeve mike dhe organizmave ndërkombëtarë që kanë asistuar dhe vazhdojnë të asistojnë institucionet qeveritare për përmirësimin e performancës së tyre dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës- thuhet më tej në reagimin për mediat. Së fundmi, duke e parë procesin ligjvënës si kontribut të shumë aktorëve të shoqërisë, Ministria e Drejtësisë fton dhe PS-në që të vazhdojë monitorimin, por edhe të japë kontribut konkret në këtë proces me kushtin e vetëm që të jetë profesional dhe cilësor, gjë që është ndeshur sipas kësaj ministrie në pak raste”, përfundon reagimi i Ministrisë së Drejtësisë.
Mesditën e djeshme, kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore në selinë rozë, Ylli Manjani, ka akuzuar kryeministrin Berisha dhe qeverinë që ai drejton se ka prodhuar legjislacion jo demokratik, jo kushtetues e pa fuqi juridike..

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›