E Diel, 1 Nëntor 2026

Rruga Gjinar – Elbasan afron pikën turistike me 3 qytetet e mëdha të Shqipërisë

01-10-2011 / Gazeta 55

Kryeministri përuron investimin me vlerë 500 milionë lekë


Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në inaugurimin e përfundimit të punimeve për ndërtimin e rrugës Gjinar-Elbasan, me gjatësi 21 kilometër, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 500 milionë lekë. Ky segment rrugor jo vetëm lehtëson lëvizjen për 15 mijë banorët e fermerët e komunave Shushicë dhe Gjinar, por do të sjellë një impakt edhe në zhvillimin e turizmit malor, bujqësisë dhe blegtorisë në të 7 fshatrat që përshkon. Duke i uruar banorët për rrugën e re dhe duke i garantuar për mbështetjen e qeverisë, kryeministri Berisha tha se falë ndërtimit të kësaj rruge Gjinari dhe Shushica marrin rëndësi turistike si dhe i afron banorët me tregun e Elbasanit, por shumë shpejt edhe me atë të Tiranës, pas përfundimit të autostradës Tiranë-Elbasan. “Jam i bindur se kjo rrugë do të shtojë vlerat e mundit dhe djersës tuaj. Kjo rrugë ju afron ju shumë me tregun e Elbasanit, por në një hark të shkurtër kohor, pas përfundimit të autostradës Tiranë – Elbasan dhe tunelit të Kërrabës, faktikisht ju afroheni me kryeqytetin mbi dy herë”, u shpreh Berisha. Ai garantoi se qeveria do të mbështesë çdo projekt të komunës, për rritjen e mirëqenies së banorëve dhe zhvillimin e zonës. “Unë jam këtu për t’ju garantuar ju se qeveria do të mbështesë çdo projekt të kryetarit të komunës tuaj, të këshillit të komunës tuaj dhe se kjo rrugë do të vazhdojë drejt Zavalinës dhe zonave të tjera. Ne do të bëjmë gjithçka që ju me punën tuaj, mundin e djersën tuaj, të jetoni sa më mirë. Ne në tërësi po largohemi nga një e shkuar që nuk e kemi merituar, por është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe shpresëdhënëse se ne mund të begatohemi aty ku jemi, se ne kemi të gjitha mundësitë për ta bërë më të begatë veten, familjen dhe vendin”, tha Berisha. Ai theksoi se prioritet kombëtar për qeverinë janë dhe kultivimi i drurëve frutorë, ku ndër ta spikat projekti i ullirit dhe drurëve frutorë. “Duke ardhur për këtu tek ju pashë se nga Elbasani e deri këtu keni mbjellë mijëra e mijëra rrënjë drurësh frutorë. Unë ju siguroj se mbjellja e drurëve frutorë është një nga aktet më të mençura, një nga vendimet më të mençura që ne mund të marrim për të siguruar shtimin e të ardhurave për çdo familje shqiptare. Ne kemi ndërmarrë dy projekte të mëdha, projektin e ullirit dhe projektin e arrorëve. Por, fermerët le të mbjellin çdo dru tjetër frutorë që pëlqejnë dhe që mendojnë se në tokën e tyre prodhon më shumë. Vitin e ardhshëm në buxhet, në fondin që përcaktojmë për komunat, ne do ta ndajmë me ligj fondin që komunat duhet ta shpërndajnë për mbjelljen e ullinjve aty ku ulliri rritet, si dhe për mbjelljen e arrorëve, të cilat rriten në të katër anët e këtij vendi dhe që janë të cilësisë më të lartë”, theksoi Berisha. Kreu i qeverisë deklaroi para banorëve elbasanas të Gjinarit se ka ardhur koha që Shqipëria t’i bashkohet progresit evropian si dhe të integrohet tërësisht në tregun evropian. Për këtë, kryeministri ngarkoi me detyra kryetarët e komunave bashkë me këshillat, që të studiojnë çdo mundësi për kultivimin e drurëve frutorë. “Kryetarët e komunave dhe këshillat kanë në dorë që së bashku me ju të shndërrojnë komunat e tyre, fshatrat e komunave dhe vendin në tërësi në njërin prej kopshteve më të mëdha të Evropës. Ne po ecim dhe sot jemi të integruar në tregun evropian, por ne me Evropën nuk konkurrojmë dot me grurin, ndonëse edhe atë duhet ta prodhojmë, nuk konkurrojmë dot me misrin në fushat e pamata të saj, por ne mund të konkurrojmë me fruta, të cilët janë të shijeve më të mira. Me drurët frutorë ne do të mund të shumëfishojmë sipërfaqet e mbjella në këtë vend. Ne duhet të imagjinojmë të paimagjinueshmen dhe ju garantoj se do e realizojmë atë. E paimagjinueshmja është kur ne të zëvendësojmë çdo dru në trojet dhe tokat e fermerëve me dru frutorë, kur ne të zëvendësojmë çdo dru buzë rrugëve dhe përrenjve të territorit me arra, lajthi dhe dru të tjerë frutorë, kur ne të imagjinojmë që të mbjellim pyje frutore. Toka është e bekuar. Nuk ka tokë që të japë frute më të shijshme se toka shqiptare. Kjo është rruga me të cilën ne do të krijojmë pasuri kudo. Ne do të krijojmë pasuri në çdo pëllëmbë e në çdo metër katrorë të kësaj toke”, tha kryeministri. Kreu i ekzekutivit iu referua dhe klimës së zhvillimit të biznesit, duke theksuar se ekonomia shqiptare ishte e vetmja ekonomi qe sfidoi krizën globale, ndërsa qëndron në krye të rritjes ekonomike në Evropë. “Ne kemi krijuar në vend klimën më të shkëlqyer të biznesit dhe kjo klimë ka bërë që Shqipëria të qëndrojë gjithë këto vite krize në krye të rritjes ekonomike në Evropë. Kjo klimë ka bërë të mundur që të ndërtojmë në një hark kohor 5 - 6 vjeçar mbi tetë mijë kilometra rrugë, njëra prej të cilave dhe rruga që inauguruam sot. Kjo klimë ka bërë të mundur që të dyfishojmë pensionet në fshatra, që të dyfishojmë rrogat, por prapë këto nuk mjaftojnë për të qenë aty ku e meritojmë. Ndaj dhe duhet të shohim çdo ditë se çfarë mund të bëjmë më shumë për begatimin tonë, për begatimin e familjeve tona. Ju jeni dëshmitarë se çfarë bumi turistik po përjeton vendi. Nga 300 mijë turistë dhe vizitorë që vitin në vitin 2004, vitin e kaluar ishin 3.5 milionë. Dhe ky është një burim i madh të ardhurash. Por jemi absolutisht vetëm në fillimet e këtij potenciali të jashtëzakonshëm. Ndaj dhe ne duhet të bëjmë gjithçka për ta bërë çdo zonë të këtij vendi një zonë turistike. Ata që përfitojnë më shumë nga kjo, direkt pas pronarëve të lokaleve dhe hoteleve, janë fermerët. Në rast se vitin e kaluar u dyfishua numri i popullatës në Shqipëri për shkak të vizitorëve dhe turistëve, sigurisht që u dyfishua edhe i gjithë tregu për prodhimet tuaja”- vuri në dukje kryeministri. Ai tha më tej se prioritet madhor i qeverisë është “Shqipëria vend i zhvilluar”. “Ne kemi një projekt dhe ky projekt është: Shqipëria vend i zhvilluar. Ne persistojmë në këtë projekt dhe jemi të sigurt se së bashku, shumë shpejt, do të arrijmë këtë objektivë. Shqipëria vend i zhvilluar është kryevepra, është mrekullia më e madhe e jetës suaj, e jetës së burrave dhe grave në mbarë vendin, që djersinë, që punojnë nga mëngjesi deri në darkë për jetë më të mirë, për një Shqipëri më të mirë. Ne jemi të vendosur të flasim me vepra me ju. Ju, më shumë se për çdo gjë tjetër, keni nevojë për rrugë dhe ne po i ndërtojmë ato”, tha ai. Lidhur me investimet e qeverisë në qarkun e Elbasanit në 6-të vitet e fundit, Berisha tha se janë ndërtuar 220 kilometra rrugë, ndërsa dhe 400 kilometra të tjera do të ndërtohen në të katër anët e këtij qarku. Kryeministri deklaroi se shumë shpejt do përfundojë autostrada Tiranë – Elbasan, Boshti i Jugut dhe segmenti Berat – Elbasan.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›