Rruga e Butrintit bllokon 80 autobusë me turistë
SARANDE/ SHPRESA DINE
Bllokohet rruga drejt Butrintit. Rreth 80 autobusë me turistë, dhjetëra vetura e mjete të rënda mbetën dje për rreth 3 orë të ngecur në trafikun e krijuar në aksin nacional që lidh qytetin e Sarandës me Ksamilin e Parkun Antik të Butrintit. Rruga e ngushtë, e cila në disa vende mezi lejon lëvizjen e dy makinave në kahe të kundërta krijoi një panik për udhëtarët. Prej vitesh kjo rrugë është shqetësimi kryesor i tyre, por dita e djeshme që përkoi me fundjavën dhe me fluks turistësh, e ktheu atë në një makth. Edhe pse inspektorët e qarkullimit rrugor kanë marrë masa të plota pas hapjes së sezonit turistik dhe kanë përforcuar shërbimin në këtë nyje, kaosi i krijuar dje ka treguar sesa emergjent është investimi për zgjerimin e saj. Premtimet për zgjerimin e rrugës Sarandë-Butrint janë bërë prej vitesh, ashtu së fundi dhe nga kryeministri Berisha më 2 maj, kur ishte i pranishëm në çeljen e sezonit. Por deri më tani, asnjë shenjë nuk ka se investimi po arrin në këtë pjesë të rëndësishme të rajonit jugor. Lëvizja e jashtëzakonshme që është parë paraditen e të shtunës në drejtim të Butrintit ka vënë para një situate bllokuese të gjithë trafikun e orientuar drejt tij. Nga 100 autobusë që mbërritën të premten në Sarandë, kryesisht me nxënës shkollash, 80 prej tyre kanë pasur si destinacion turistik vizitën në qytetin Antik të Butrintit. Ashtu si dhe mjetet e tjera ata janë bllokuar për rreth 3 orë. Por sikur të mos mjaftoheshin mjetet turistike, makina të vogla dhe autobusë, në këtë nyje rrugore me tepër ngushtësi dhe mundësi shumë të kufizuar shkëmbimi, kanë lëvizur edhe betoniere e kamionë pune, që e kanë vështirësuar edhe më qarkullimin në distancën Kanali i Çukës-Ksamil e Butrint. Një lëvizje e pakujdesshme në këtë zonë të rrezikon jetën, pasi makina mund të përfundojë në liqenin e Butrintit, disa dhjetëra metra poshtë rrugës nacionale. Për orë të tëra as prania e shtuar e punonjësve të qarkullimit rrugor nuk ka mundur që të zhbllokojë trafikun. Personat që udhëtuan dje thanë që pas 3 orësh arritën të lëviznin për të përfunduar në destinacionet që kishin. Qytetarët vendas, por edhe ata që zgjedhin Sarandën për të bërë pushimet e sezonit kanë tre vjet që dëgjojnë vetëm premtimet për zgjerimin e kësaj rruge. Ndryshe ajo është quajtur rruga e vdekjes, për shkak të gjerësisë së kufizuar të saj dhe trafikut në rritje, sidomos në stinën e verës. Gjendja alarmante e kësaj fundjave flet për faktin sesa emergjent është investimi për zgjerimin e kësaj rruge, që deri tani ka qenë vetëm objekt i premtimeve të pambajtura të disa qeverive, pa mundur të ndryshojnë asgjë.