Norvegjia fiton Festivalin Evropian
Me 387 pikë, Norvegjia fiton vrndin e parë të edicionit të 54-ët të Festivalit Evropian, me këngën “Fairytale”, interpretuar nga djaloshi Alexander Rybak. Me një diferencë të madhe pikësh u ndoq nga Islanda në vendin e dytë dhe Azerbajxhani në vendin e tretë. Ndërkaq, kënga shqiptare nuk qëlloi edhe me aq shumë fat, pavarësisht pretendimeve të mëdha. Me 48 pikë, Kejsi Tola u rendit e shtatëmbëdhjeta në renditjen përfundimtare të këngëve finaliste. Ndonëse këtë vit pritej një rezultat më i mirë nga përfaqësuesja shqiptare, pas votimit të 42 vendeve pjesëmarrëse në Eurosong, kënga “Më merr në ëndërr” (Carry me in your dreams), me tekst të Agim Doçit dhe muzikë të Edmond Zhulalit, nuk arriti të hynte të paktën në 15 këngët më të mira të festivalit. Ashtu si edhe pritej, vendet që votuan këngën shqiptare ishin kryesisht ato fqinje, si Mali i Zi, Maqedonia, Greqia, Turqia, Kroacia, Sllovenia, por edhe Zvicra, Hungaria, Estonia e Suedia. Përveç Turqisë, e cila i dha këngës shqiptare 10 pikë, vendet e tjera nuk na dhanë më shumë se shtatë pikë. Kjo për shkak të sistemit të ri të votimit, rezultati i të cilit ishte 50% prej votave të teleshikuesve dhe 50% nga një juri e specializuar. Me mënyrën tradicionale, pra vetëm me votat e teleshikuesve, Shqipëria mund të kishte marrë ca pikë më shumë, ndoshta edhe ndonjë 12 pikëshe të mundshme, nga vendet fqinje, ku edhe numri i shqiptarëve është më i madh, si Maqedonia, Mali i Zi, apo Greqia. Megjithatë, të “penalizuar” nga ky sistem i ri, nuk mund të ngjitemi më lart se vendi i 17. Edhe mbrëmë, Kejsi u paraqit me të njëjtën performancë, e veshur me fustanin rozë të shkurtër prej tyli me lule, e shoqëruar nga dy vokaliste me fustan të bardhë, si edhe tre balerinët, që ekzekutuan koreografinë e Julian Bulkut, ardhur nga Greqia, pikërisht për të realizuar këtë performancë. Në natën finale morën pjesë 25 vende Azerbajxhani, Kroacia, Lituania, Ukraina, Moldavia, Danimarka, Estonia, Norvegjia Greqia, Turqia, Suedia, Izraeli, Portugalia, Malta, Finlanda, Bosnja dhe Hercegovina, Rumania, Armenia dhe Islanda, Franca, Gjermania, Britania, Spanja, Rusia si fituesja e vitit që shkoi, etj. Kjo është hera e gjashtë që Shqipëria merr pjesë në Eurosong. Për herë të parë kënga shqiptare u ngjit në skenën e Eurosongut në vitin 2004, në Turqi me këngën “Imazhi yt”, të dyshes Zhulali-Doçi, interpretuar në skenën e Eurosong-ut nga këngëtarja Anjeza Shahini. Më tej jemi paraqitur tre herë me kompozime të dyshes Adi Hila-Pandi Laço dhe një herë me një kompozim të Klodian Qafokut.