Vodhën 75 mijë euro, në gjyq hakerat italianë
TIRANE – Dy shtetas italianë të arrestuar pak muaj më parë në Tiranë për kryerjen e disa vjedhjeve me anë të kartave të kreditit, janë dërguar në gjyq me akuzën e vjedhjes me anë të krimit kompjuterik dhe falsifikimeve elektronike. Sipas burimeve nga prokuroria, shtetasve italianë Luca Calvi dhe Gabriele Pasqualin u është njoftuar akuza në paraburgim për vjedhjen e shumave të parave nga 100 karta krediti nga bankomatet e një banke të nivelit të dytë në Tiranë. Sipas hetimeve të Njësisë Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës, duke realizuar tërheqje me karta krediti të klonuara, dy shtetasit italianë u kanë vjedhur të paktën 100 personave një shumë financiare, e cila në total kap vlerën e 75 mijë eurove. Policia dhe Prokuroria e Tiranës u sinjalizuan për ngjarjen nga banka në të cilën janë përdorur kartat e klonuara të kreditit, pasi rezultoi se nga Tirana kryheshin tërheqje në shuma të shtetasve italianë, të cilët kishin mohuar marrjen e parave nga llogaritë e tyre.