Apartamentet, nis rënia e çmimeve
Sektori i ndërtimit po përballet me një disbalancë mes ofertës dhe kërkesës. Deklarohen mijëra banesa të pa shitura
Një raport i Bankës së Shqipërisë, tregon se çmimi i apartamenteve, në fund të vitit 2008, ka treguar shenja rënieje
Ndërtuesit duhet t'i bëjnë mirë llogaritë për vitin 2009, pasi fitimet e tyre mund të mos jenë të njëjta me vitet e shkuara. Raporti i Bankës së Shqipërisë, për 6-mujorin e dytë të vitit 2008, tregon për një rënie reale prej 3% të çmimit të apartamenteve në vend. Shenjat e rënies së çmimeve të apartamenteve janë dhënë prej kohësh dhe në treg është vënë re një disbalancë mes ofertës dhe kërkesës së qytetarëve. Vetë ndërtuesit deklaruan dy javë më parë se në të gjithë vendin rezultojnë të pa shitura rreth katërmijë apartamente, ndërkohë që ato po përballen me një kërkesë gjithnjë e në rënie, e cila është ndikuar shumë nga shtrëngimi në kriteret e dhënies së kredive nga bankat e nivelit të dytë. Banka e Shqipërisë deklaron në raportin e saj: "Ky ishte viti i parë, ku ndryshimi vjetor mesatar i indeksit të çmimit të banesave për vitin 2008, rezultoi -0.3 %, në kontrast me normat dyshifrore rritëse të shënuara përgjatë periudhës 2005-2007, e cila ishte mesatarisht +16 për qind". Ndër faktorët që kanë ndikuar në rënien e çmimeve të banesave, sipas bankës, është edhe rritja e numrit të lejeve të ndërtimit gjatë vitit 2008. Edhe ky tremujor mund të rezultojë me rënie çmimesh në sektorin e ndërtimit. Vetëm në zonat që rrethojnë kryeqytetin, çmimet e apartamenteve kanë nisur të shiten nën nivelin e 500 euro për metër katror. Madje, disa nga firmat kryesore në këtë sektor kanë lajmëruar në formën e promocionit ulje nga 30-40 euro për metër katror. Dy javë më parë, ndërtuesit i kërkuan qeverisë të shikonte edhe njëherë kuadrin ligjor, sidomos kushtet për licencim dhe ato të prokurimeve publike, pasi po përballen me një situatë jo të favorshme. Sektori i ndërtimit vazhdon të jetë një nga sektorët më të rëndësishëm në ekonominë e vendit dhe sistemi bankar është shumë i lidhur me të, pasi kreditimi i këtij sektori zë 22% të totalit të portofolit të kredive. Ky sektor, që nga viti 2006 është gjendur në një situatë jo të favorshme, shkaktuar nga përplasjet mes pushtetit qendror dhe lokal. Ky konflikt u zbut disi gjatë vitit 2008, që pasqyrohet me rritjen e numrit të lejeve të ndërtimit, por në muajt e fundit të vitit, ai u përball me një shtrëngim në kreditim, nga bankat për individët. Megjithatë, Treguesi i Tendencës Ekonomike, i publikuar për herë të parë në vend nga Banka Qendrore, raporton se sektori i ndërtimit është i vetmi nga katër zërat e përfshirë në vrojtim, që reflekton optimizëm për aktivitetin ekonomik gjatë vitit në vazhdim. Megjithëse raportohet për një tendencë në rënie të çmimeve, çmimi mesatar në qendër të Tiranës për një banesë, është rreth 300 deri në 500 euro për metër katror, më i shtrenjtë se në Shkup, apo Stamboll. Vetëm në Tiranë, sipas Bankës së Shqipërisë, rritja e çmimit të banesave ka qenë dy herë më e lartë se në zonat periferike. Tendenca e rënies së çmimeve është më dukshme tek qiratë e banesave.
Qiratë, çmimet me tendencë uljeje
Sipas Bankës së Shqipërisë, ecuria e qirasë së banesave në vitin 2008, paraqet luhatshmëri më të lartë se çmimet e banesave, por me një tendencë më të qartë drejt rënies. Në tremujorin e katërt të vitit 2008, indeksi i qirasë ra me 4.9 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, indeksi i qirasë u rrit me 12 për qind. Tregu i pasurive të patundshme po përballet me një rritje të hapësirave të destinuara për aktivitete biznesi, gjë e cila parashikohet të sjellë një ulje të mëtejshme të çmimit të qirave, kryesisht në qendrat tregtare. Megjithatë, qiratë në kryeqytetin shqiptar janë shumë më të ulëta se në vende të rajonit, si Maqedonia.