Basha, për herë të parë në Tiranën letrare
Eqrem Basha i ka ofruar përherë lexuesit “...një vështrim qytetar mbi realitetin dhe shijon absurditetet e jetës së përditshme”. Kështu ka shkruar albanologu Robert Elsie. duke i kushtuar një vëmendje jo të zakontë shkrimtarit nga Kosova. Ndërsa për herë të parë ai i prezantohet Tiranës letrare me librin “Shtëpia e mallit”, ku përfshihen 12 tregime, dhe katër skica, që botohen nga shtëpia botuese “Ideart”. Eqrem Basha, poet, tregimtar, romancier, skenarist, kritik i arteve figurative, përkthyes nga frëngjishtja, italishtja e gjuhët sllave dhe botues (Dukagjini, Pejë) - është autor i dhjetë vëllimeve me poezi, katër vëllimeve me tregime dhe tri romaneve (i treti në dorëshkrim). Poezia e tij është përkthyer në dhjetëra gjuhë, në revista dhe antologji të ndryshme, por edhe në vëllime të veçanta me poezi të zgjedhur në gjuhën angleze (SHBA) dhe polake (Seyni). Shtëpia e njohur frënge “Fayard” në vitin 1999 botoi një vëllim me tregime të zgjedhura (Les ombres de la nuit – Hijet e natës) që pati mjaft jehonë në shtypin frëng dhe i hapi rrugën e pjesëmarrjes në shumë takime e festivale evropiane të letërsisë. “Është dëm i madh të presësh një aktualitet tragjik për të njohur një prozë kafkiane dhe këtë shkrimtar pesëdhjetëvjeçar, shqiptar i ardhur nga Maqedonia që jeton në Prishtinë”, - shkroi asokohe gazeta prestigjioze parisiene “Le monde”, ndërsa Andre Clavel, në “L’express” e quajti “një muskëter i ri i letrave shqipe, fabulat çjerrëse duan ta rikthejnë mbarë një botë që është përmbysur”. Eqrem Basha është gjithashtu mjaft i njohur edhe si përkthyes. Ai ka sjellë në shqip vepra të njohura të Sartrit, Kamysë, Joneskos, Beketit (kryesisht në gjininë e dramës), A. Malraux etj. Basha është autor i një antologjie të teatrit frëng të shekullit XX me 15 autorë të shquar, si dhe i një monografie të skulptorit Agim Çavdarbasha (bashkë me fotografin A. Spahiu). Puna e gjatë në Televizionin e Prishtinës (deri në korrik të vitit 1990, kur u dëbua me dhunë) e ka orientuar edhe në botën e filmit dhe televizionit, kryesisht si skenarist.