Rruga e Salarisë, 91 vjet pa u rregulluar
Rrënimi i njërës prej rrugëve më të lashta në vend, që ka mbetur ashtu siç e la “Italia e parë”
Një nga rrugët më të lashta në Shqipëri, nga të parat dhe më të vjetrat automobilistike të vendit, që deri në vitin 1967 ka lidhur zonat e Jugut të vendit me kryeqytetin, ka mbetur ashtu sikurse në ditën e ndërtimit rreth 91 vjet më parë. Nëse pyet për vjetërsinë e këtij arteri të vjetër rrugor, banorët që jetojnë në zonën e Dukajt dhe Lopësit në Rrethin e Tepelenës, apo ata të Sevasterit, Plloçës dhe Kotës në Rrethin e Vlorës, do të marrësh përgjigje të njëjtë: “Kjo është rruga më e lashtë në Shqipëri dhe nga të parat rrugë automobilistike të ndërtuara që në kohën e Italisë së parë”.
Historia e rrugëve automobilistike është e lidhur me ardhjen e automobilave të parë, që mendohet se hynë me “pamporë” në Durrës dhe Vlorë në dekadën e dytë të shekullit të kaluar. Rruga e parë automobilistike në historinë e Shqipërisë thuhet se është ajo Selenicë - Skelë në Vlorë, një fakt ky i besueshëm pasi ishte një rrugë që u shërbente nevojave të transportimit të bitumit që nxirrej nga miniera e Seleninës dhe eksportohej në Itali dhe Europë nëpërmjet skelës së Vlorës. Megjithatë, krahas rrugëve të ndërtuara nga austriakët në disa zona në veri të vendit, në Ultësirën Perëndimore dhe në segmentin Përmet - Ballaban - Berat në vitet e para pas Shpalljes së Pavarësisë, një nga rrugët më të vjetra automobilistike të Shqipërisë padyshim që është segmenti rrugor Tepelenë – Vlorë. Kjo rrugë ka nisur të ndërtohet gjatë Luftës së Parë Botërore dhe ka përfunduar plotësisht në vitin 1919 nga një firmë italiane me financim të ushtrisë italiane.
Rruga që vazhdon të qarkullohet nga vendasit, kalon nëpër një terren pothuajse dramatik, për shkak se gjurmët e saj kalojnë nëpër një zonë jashtëzakonisht të thyer dhe të rrezikshme. Pjesa më e rrezikshme e saj janë zigzaget e njohura si “Kthesat e Salarisë” që përdridhen disa herë sipër njëra-tjetrës në një terren tmerrësisht të pjerrët dhe tërësisht malor dhe që për këtë arsye, sipas vendasve, në këto më shumë se 90 vjet të jetës së saj në këto kthesa “të mallkuara” kanë humbur jetën dhjetëra shoferë dhe udhëtarë. Në përroin poshtë vendit, ku shfaqen për herë të parë zigzaget e kësaj rruge, gjenden dhjetëra shasi automjetesh të aksidentuara. Shumica e mjeteve janë kamionë ushtarakë të aksidentuar nga drejtues të huaj, të cilët nga që nuk e njihnin terrenin, hutoheshin në momentin e parë kur ndodheshin përballë greminës. Deri në vitin 1967, kur u ndërtua rruga automobilistike Fier - Ballsh - Gjirokastër, kjo ka qenë nga rrugët më të qarkullueshme të vendit, pasi ishte rruga e vetme që lidhte rajonin jugor (Sarandën, Gjirokastrën, Tepelenën dhe Përmetin) me kryeqytetin e vendit, Tiranën. Deri në këto vite rruga ishte më e mirëmbajtur dhe në gjendje më të mirë teknike, por prej asaj kohe, pavarësisht se për mirëmbajtjen punonin disa skuadra punëtorësh të “Rruga-urës”, gjendja është jashtë çdo standardi teknik dhe për shkak të abandonimit, situata përkeqësohet çdo ditë e më shumë. Ata që e vuajnë këtë gjendje të mjerueshme janë banorët e Komunave Qendër, Dukaj dhe Lopës në Rrethin e Tepelenës, si dha banorët e Sevasterit, Plloçës, Vajzës dhe Kotës në Rrethin e Vlorës, të cilëve çdo ditë u duhet që të qarkullojnë nëpër këto shtigje për të dalë në rrugën nacionale. E vetmja ndërhyrje në këtë aks është bërë nga forcat ushtarake gjatë transportimit të predhave, të cilat shpërthyen në fshatin Dhëmblan në vitin 2006, por serish gjendja është po ajo.
Kryetari i Komunës së Lopsit, Vait Sina, thotë se “të udhëtosh në këtë rrugë është njëlloj sikur të udhëtosh drejt vdekjes, pasi nga Veliqoti deri në Dorës, rruga e paasfaltuar është rreth 30 kilometra dhe shpeshherë shoqërohet me gurë dhe shkëmbinj të rënë nga shpatet e pjerrëta të maleve dhe nga kanale të gërryera nga përrenjtë e vrullshëm malorë”. Sipas tij, asnjë nga qeveritë deri më sot nuk ka menduar për të investuar në përmirësimin dhe mirëmbajtjen e saj. “Kjo është e vetmja rrugë që lidh rreth 40 fshatra në tre rrethe Tepelenë, Vlorë dhe Mallakastër, me një popullsi rreth 30-40 mijë banorë. Në disa prej segmenteve të saj qarkullojnë edhe fëmijët e shkollave”, thotë kryetari i Komunës së Lopsit, Vait Sina.
#