E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reformat dhe standardet në Policinë e Shtetit

Me rastin e 97-vjetorit të krijimit të policisë
Festa e krijimit, më 13 janar të çdo viti, e gjen Policinë e Shtetit duke bërë bilancin e punës vjetore, si dhe planifikimin e detyrave për të ardhmen. Këtë vit asaj i duhet t’u përgjigjet edhe pyetjeve të shtruara nga Bashkimi Europian. Në këtë proces vetëvlerësimi ka shumë rëndësi objektiviteti për të qenë sa më realistë e transparentë me punonjësit, opinionin publik dhe organizmat ndërkombëtarë. Filozofia dhe praktikat e përdorura ndër vite për vlerësimin e reformave të zhvilluara dhe treguesve të punës, flasin se ekziston tendenca e paraqitjes së gjendjes tepër pozitive, minimizimit të të metave, për të mos thënë e fshehjes së defekteve e mosarritjeve të standardeve.
Janë këto rrethana dhe gjendja në të cilën ndodhet policia, që më shtyjnë të shprehem nëpërmjet kësaj analize të thjeshtë me rastin e festës së policisë. Gjatë tranzicionit, ky institucion i rëndësishëm i sigurisë ka mbajtur barrën e rëndë për ruajtjen e rendit publik dhe parandalimin e goditjen e krimit, duke iu nënshtruar njëherësh edhe reformimit të vazhdueshëm konform parimeve të policimit perëndimor. Policia, me shërbimet e veta gjatë këtyre viteve, e veçanërisht në periudha krizash të rënda në vitet e ndërrimit të sistemit dhe ato të 1997 deri 2000, ka arritur të normalizojë rendin, të vendosë kontrollin mbi territorin dhe krimin, duke dhënë jetën e rreth 250 punonjësve të saj; pra ka sakrifikuar më shumë se çdo institucion tjetër i shtetit. Për fat të keq, vlerësimi për rolin dhe kontributin e saj në vazhdimësi nga politikëbërësit dhe vendimmarrësit ka qenë përgjithësisht negativ, duke bërë kritika dhe akuza për shumë probleme, madje edhe për ato që nuk i takojnë. Për ngjarjet në vitet e vështira të ndërrimit të sistemit pa gjakderdhje; si ato në vitet 1997-1998; përballimin e problemeve gjatë luftës në Kosovë; luftën me bandat e armatosura dhe zhvillimin e proceseve demokratike në përgjithësi, politika dhe individë të ndryshëm kanë folur për meritat e tyre, duke anashkaluar rolin e policisë.
E ardhmja do të tregojë për rolin pozitiv të policisë në menaxhimin e situatave të rënda të krijuara në këto vite, duke ndriçuar me informacion shumë ngjarje të rëndësishme për opinionin publik. Ka afro njëzet vjet që në Policinë e Shtetit zhvillohet reforma, duke ndryshuar vazhdimisht legjislacionin, organizimin e strukturave, personelin etj. Ajo është komplekse dhe e ndërvarur nga faktorë të shumtë politikë, ligjorë, socialë, profesionalë, ekonomikë, financiarë, ndërkombëtarë etj. Shpejtësia dhe standardet e zhvillimit të reformës në polici kanë qenë dhe janë të ndërvarura nga shumë faktorë të mjedisit të jashtëm shoqëror e atij të brendshëm të policisë, por veçanërisht nga roli i vullnetit politik dhe mënyra e menaxhimit. Gjatë tranzicionit, megjithëse nuk kanë munguar normat ligjore, organizimi dhe funksionimi i Policisë së Shtetit është konceptuar, interpretuar e zbatuar në mënyra të ndryshme.
Opinioni publik ka vite që dëgjon nga politika dhe drejtuesit e pushtetit për sukseset e reformave në polici, luftën kundër kriminalitetit etj., por midis deklarimeve dhe gjendjes reale të shërbimeve ndaj komunitetit ka një diferencë të madhe. Analistë të ndryshëm, media, teknicienë, organizma ndërkombëtarë dhe qytetarë në adresë të sigurisë për individin e shoqërinë kanë ngritur zërin vazhdimisht, duke bërë kritika e sugjerime, por ato nuk janë konsideruar sa duhet. Zhvillimi kërkon diagnostikim të gjithë sistemit të institucioneve që merren me politikën kundër krimit, e veçanërisht atij të policisë, duke iu përgjigjur pyetjes: çfarë ka institucioni, nga se vuan dhe çfarë duhet bërë? Lidhur me këtë problem, vlerësimi dhe reagimi për të ndryshuar gjendjen e eficencën e shërbimit janë nga më të ndryshmet. Në këto vlerësime dallojmë:
Së pari, “policia vuan nga korrupsioni dhe nga niveli i ulët profesional”, pohim ky i bërë vazhdimisht gjatë tranzicionit nga drejtues të ministrisë e policisë. Kësaj gjendjeje institucionet drejtuese i janë përgjigjur me filozofinë e quajtur “luftë kundër korrupsionit, ose rend brenda rendit”. Në emër të kësaj filozofie u bë qëllim në vetvete largimi i sa më shumë punonjësve dhe njëherësh zëvendësimi me punonjës të tjerë, duke u bazuar përgjithësisht në kritere joligjore e profesionale.
Së dyti, “policia vuan nga mungesa e stabilitetit, pasiguria në punë, menaxhimi e trajtimi i dobët dhe keqpërdorimi i politikës”, vlerësim që bëhet nga punonjësit e thjeshtë të policisë, sidomos ata komandues e zbatues. Ky vlerësim nuk është marrë në konsideratë, sepse ka të bëjë me keqmenaxhimin, pra me punën dhe interesat e ekipeve vendimmarrëse, të cilat i janë nënshtruar plotësisht politikës dhe kanë lënë jashtë vëmendjes interesat e institucionit e punonjësve të policisë. Së treti, policia është reformuar e funksionon sipas standardeve perëndimore. Pra nuk vuan nga ndonjë sëmundje si ato të përmendura më lart, vlerësim ky i bërë nga institucionet drejtuese në vitet e fundit. Vlerësimi i sotëm ndaj këtij institucioni të rëndësishëm për sigurinë, lë të kuptosh se janë plotësuar standardet, e për rrjedhojë nuk ka gjë për të ndryshuar e zhvilluar.
Por si është e vërteta? Përse ka vlerësime në kahe të ndryshme për këtë institucion dhe shërbimet e tij nga drejtuesit e organeve shtetërore dhe nga specialistë të karrierës së policisë, media, komuniteti, Bashkimi Europian e Këshilli i Europës? Të kujtojmë se këta të fundit vazhdojnë të monitorojnë me mision të veçantë policor; të tërheqin vëmendjen për forcimin e institucioneve ligjzbatuese e veçanërisht policisë; përforcimin e zbatimit të ligjit; kontrollin e kufirit; zbulimin dhe ndëshkimin e krimit të organizuar në përgjithësi e veçanti të trafiqeve të ndryshme dhe korrupsionit etj. Për të qenë objektiv në vlerësim, le t’u hedhim një vështrim të përgjithshëm ndër vite reformave në Policinë e Shtetit, sipas kohës së zhvillimit.
Reforma në vitet 1991-1997
Reforma e ndërmarrë në këtë kohë synonte nëpërmjet legjislacionit dhe organizimit të ri të policisë të bënte depolitizimin dhe departizimin e saj, heqjen e parimeve të punës të sistemit të mëparshëm, modelimin si institucion me strukturat përkatëse në kuadrin e ministrisë së “rendit publik”, hapjen me opinionin publik, fillimin e bashkëpunimit me policitë homologe perëndimore, ndryshimin e sistemit të formimit e përgatitjes të punonjësve etj. Realizimi i objektivave të kësaj reforme ishte i vështirë në atë kohë, sepse policisë i duhej t’u jepte prioritet shërbimeve për mbajtjen e rendit dhe luftimin e krimit, i cili kishte marrë përmasa të mëdha. Me gjithë mungesën e eksperiencës dhe kushtet e vështira të kësaj periudhe, përgjithësisht, objektivat e vendosura për zhvillimin e policisë u realizuan, duke miratuar ligjin e ri të policisë, bashkë me ligjet e tjera kryesore që ndryshonin përmbajtjen dhe formën e institucionit në raport me atë të trashëguar nga sistemi i mëparshëm. Infrastruktura e re dha shpejt efektin e saj në modelimin e policisë si institucion me të gjitha strukturat e nevojshme operuese në përbërjen e vartësinë e Ministrisë së Rendit, e cila kishte të centralizuar gjithë vendimmarrjen mbi policinë. Efektet e këtij reformimi u dukën në treguesit e mirë të rendit e sigurisë dhe kontrollin e krimit në vitet 1995-1996. Koha e zhvillimit të kësaj reforme përkonte me vullnetin e mirë për ndryshimin e sistemit politik e atij shoqëror. Ajo u zhvillua fillimisht në vitin 1991-1992, mbi bazën e një programi të thjeshtë, pra pa pasur një vizion të qartë për të ardhmen; pa eksperiencën e duhur. Më pas vazhdoi me plotësimin e infrastrukturës ligjore e normave të punës, por me ndryshime të shpeshta organizative; të stafit drejtues e personelit, duke bërë largime masive të punonjësve për motive politike dhe dëmtuar profesionalizmin. Me gjithë arritjet e reformës në infrastrukturën ligjore e organizative, procedurat e punës dhe vendosjen e rregullit në të gjithë territorin, policia ngeli përsëri institucion me status militar; mjaft e politizuar në personel e veprimtari dhe nuk arriti t’i bënte të vetat e zbatonte plotësisht parimet e rëndësishme dhe përmbajtjen e ligjeve të miratuara.
Reforma në vitet 1999-2005
Ndryshimet e infrastrukturës ligjore e organizative në këto vite u projektuan e filluan të zbatoheshin në rrethana e kushte specifike. Vendi ynë ishte në kaos për shkak të ngjarjeve të viteve 1997-1998, territori në shumë zona e qytete zotërohej nga bandat kriminale e njerëzit e armatosur, kur u miratua Kushtetuta e re dhe shteti e shoqëria morën përgjegjësi për mbështetjen e luftës në Kosovë. Kjo reformë dallon nga ndërmarrjet e tjera të mëparshme ose mëvonshme, jo vetëm nga kushtet në të cilat u fillua vizioni, objektivat e përmbajtja e saj, por dhe mënyra sesi u menaxhua, subjektet e përfshira dhe efektshmëria që dha në radhët e policisë në ato vite të vështira. Qëllimi i reformës në këtë kohë ishte që brenda tre vjetëve të bëhej modelimi i policisë si shërbim publik në bazë të konceptit e parimeve të policimit demokratik me të gjithë infrastrukturën e nevojshme; demilitarizimi dhe depolitizimi i saj; ndarja e përgjegjësive me nivelin politik; decentralizimi i përgjegjësive e kompetencave sipas niveleve të drejtimit; ngritja e sistemit të arsimimit sipas modelit perëndimor në funksion të përgjegjësive ligjore të punonjësve; rivlerësimi i personelit dhe vendosja e gradave profesionale sipas kritereve e vlerave dhe kthimi i besimit te punonjësit.
Bilanci në vitet e para ishte pozitiv, sepse krahas normalizimit të sigurisë në vend dhe përballimit të eksodit të popullsisë kosovare, u përgatit pothuajse gjithë infrastruktura ligjore dhe aktet e brendshme, e cila filloi të zbatohej, u gjallërua optimizmi te punonjësit, filloi implementimi i gradave të reja, zbatimi i filozofisë së policimit në komunitet dhe projekteve të veçanta në fushën e teknologjisë së re, ndryshuan programet mësimore për përgatitjen e punonjësve në Akademinë e Policisë etj. Megjithëse kaluan mbi pesë vjet, ligji për Policinë e Shtetit dhe objektivat e reformës nuk u zbatuan plotësisht, sepse ndikuan:
Së pari, hezitimi dhe kompletimi i vonuar i policisë me strukturat përbërëse sipas ligjit (personelin dhe financën), për të cilat ministrat nuk donin të lëshonin vartësinë dhe vendimmarrjen, sepse u ikte nga dora “pushteti” me të cilin abuzonin.
Së dyti, vonesa dhe implementimi i gabuar i ligjit të gradave, duke zbatuar kritere të ndryshme nga ligji dhe krijuar një masë gradash jashtë funksioneve e përgjegjësive të punonjësve.
Së treti, politika e gabuar në largimet dhe emërimet e policëve duke krijuar pakënaqësi e pasiguri tek ata; mungesa e stabilitetit në funksionet drejtuese, të cilët u ndërruan sa herë ndërroheshin ministrat dhe nuk mbanin përgjegjësi për punët që bënin.
Së katërti, paaftësia e drejtuesve kryesorë të policisë, që kishin përgjegjësinë në zhvillimin e institucionit, zbatimin e legjislacionit të ri dhe mbrojtjen e punonjësve nga arbitrariteti.Propozimet dhe detyrat e shtruara për zbatimin e ligjit të ri nuk i morën seriozisht drejtuesit e policisë e zyrtarët e lartë të ministrisë, të cilëve u ra barra e implementimit të strategjisë së reformës. Përgjegjësia e nivelit politik në zhvillimin e reformës dhe trajtimin e personelit nuk justifikon drejtimin e policisë, organizmat përgjegjëse për marrjen e vendimeve, këshilltarët, të cilët me paaftësi, përfitimet e funksionit, heshtjen e rekomandimet, vonuan implementimin e ligjeve të reja, zbatuan gabim ligjin e gradave, nuk angazhuan shtabin e policisë, lejuan shkelje në marrjen dhe largimin e punonjësve pa të drejtë. Nënshtrimi ndaj politikës në trajtimin e personelit, me qëllim që të siguronin karrierën e tyre, u kthye në bumerang për vetë këta drejtues, të cilët pasi u përdorën kundër njëri-tjetrit, e shtrydhën si limon dhe u hodhën një nga një në rrugë. Pasojat më të rënda ishin për institucionin e policisë, sepse u larguan nga gjiri i saj shumë drejtues e punonjës të aftë, të përkushtuar dhe provuar në mbrojtjen e ligjit e shtetit.
Reforma në vitin 2007
Reforma e ndërmarrë në vitin 2007, në fakt filloi qysh para vitit 2005. Në formë e përmbajtje ajo ka ndryshimin e infrastrukturës ligjore e organizative të mëparshme, si dhe të një përqindje të konsiderueshme të punonjësve. Nga krahasimi i problematikës së reformës së mëparshme, e cila u ndërpre, me atë të filluar në vitin 2007, kur u miratua ligji i ri, natyrshëm lindin pyetjet:A kishte studim ose analizë për problematikën e reformës së mëparshme me konkluzionet dhe rekomandimet përkatëse për korrigjime e plotësime, ose fillim të saj nga e para? Për fat të keq nuk pati dhe ndryshimi i infrastrukturës ligjore e organizative u bë në mënyrë krejt subjektive, ku askush nuk ka mundur t’i mbrojë me argumente bindëse.
A kishte një program apo strategji të miratuar për mënyrën si do të zhvillohet reforma, për të konsoliduar institucionin dhe ngritur cilësinë e shërbimeve të sigurisë me afate, persona përgjegjës etj.? Jo nuk kishte. Strategjia shtatëvjeçare aktuale përmban prioritetet e veprimtarisë operuese dhe nuk ka qoftë dhe një kapitull të veçantë për zhvillimin institucional (të reformës), pra të infrastrukturës ligjore, organizative, personelit, arsimimit etj., çka do të thotë se mjaft veprime të ndërmarra për ndryshim janë preferenca subjektive të individëve, të cilët po t’i pyesësh, nuk marrin asnjë përgjegjësi.
A janë pikërisht këto modele të zgjedhura (në organizim, grada, funksione, arsim etj.), më të mirat, më eficentet e të përshtatshmet për kushtet e policisë e vendit tonë, që do të sigurojnë zhvillimin? Për derisa nuk ka studim e analizë të mirëfilltë dhe transparencë, është vështirë të besohet.
A janë këta punonjës policie të vendosur sipas niveleve e strukturave me vlerat më të mira morale, arsimore e profesionale, eksperiencën e duhur që do të ndryshojnë standardet e institucionit dhe shërbimit për qytetarët? Po të bëhet një bilanc, rezultati do të dalë negativ për mjaft prej punonjësve të vendosur në emër të reformës. Karakteristikë e kësaj reforme është se shërbeu si dritë jeshile për të majtët që kishin pushtetin në fillim, e më pas të djathtët që të vendosnin në poste pune të policisë kë të donin dhe njëherësh justifikonin lëvizjet që bënë nën emrin e “reformës”.
Standardet aktuale të Policisë së Shtetit
Për të qenë objektivë në vlerësimin e standardeve dhe punës së këtij institucioni të rëndësishëm që prodhon e garanton me shërbimet e veta siguri, duhet të krahasojmë treguesit me misionin dhe përgjegjësitë e ngarkuara nga ligji; me parimet e policimit në një shoqëri demokratike, si dhe elementët bazë të institucionit e performancës së tij. Pra u duhet dhënë përgjigje pyetjeve si funksionon policia dhe a ka tregues më të mirë se vitet e shkuara? Siguria e qytetarit, shtetit e shoqërisë, është më e mirë? A është policia me punonjësit e saj a) përfaqësuese; b) përgjegjëse c) e besueshme d) eficente për komunitetin? Elementët bazë të vlerësimit të institucionit janë infrastruktura ligjore, organizimi strukturor, kultura, drejtimi ose lidershipi, stili i menaxhimit, planifikimi, burimet njerëzore, komunikimi, korrupsioni, teknologjia, buxheti, strategjia e implementimit etj.
Analizuar në kompleks pas kaq vitesh, policinë si institucion dhe efektshmërinë e punës së saj, rezulton se ka arritje në legjislacionin me të cilin punon, organizimin e strukturave, parimet e procedurat e punës, rezultatet e mbrojtjes së rendit publik dhe luftës kundër krimit në përgjithësi etj. Më konkretisht, eficenca duket në rritjen e eficencës parandaluese; të fuqisë zbuluese ndaj kriminalitetit në përgjithësi; afrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve; uljen e numrit të vrasjeve; kapjen e mjaft autorëve të krimeve të rënda në kërkim, goditjen e disa bandave të armatosura në Lushnjë, Durrës etj.; uljen e trafikimit të femrave e fëmijëve; kontrollin më mirë të regjimit të kufirit; bashkëpunimin më të efektshëm me organet homologe perëndimore etj.
Me gjithë defektet në përbërje dhe funksionimin si institucion, policia ka arritur të kontrollojë më mirë territorin, regjimin kufitar; afrojë siguri më të mirë në veprimtaritë e mjediset publike; zgjedhjet parlamentare etj. Bilanci pozitiv në treguesit e sigurisë në raport me vitet e mëparshme duhet kërkuar sa te stabiliteti politik e ekonomik në përgjithësi, aq dhe tek ai institucional brenda policisë. Në dallim nga qeverisja e majtë që ndryshonte çdo vit drejtimin në strukturat policore dhe më shumë godiste brenda vetes sesa ndaj krimit, qeverisja aktuale afroi vullnet më të madh për goditjen e krimit të rrugës, si dhe stabilitet e mbështetje për punonjësit që vendosi në poste pune.
Në pamundësi për të vlerësuar të gjithë elementët bazë të institucionit me kriteret përkatëse dhe arritjet në të gjitha shërbimet, si dhe pa marrë përsipër autorësinë e të vërtetës absolute, po ndalem në disa prej tyre.
Infrastruktura ligjore duhet thënë se tashmë është e modelit dhe standardeve perëndimore, por ka nevojë ende për harmonizim me akte të veçanta ndërkombëtare të ratifikuara; për rishikim të përgjegjësive e kompetencave të punonjësve sipas roleve, procedurave të punës; e veçanërisht zbërthimin e harmonizimin e akteve normative të brendshme.
Organizimi strukturor tashmë ka hedhur baza të mira si model dhe është i kompletuar përgjithësisht në funksion të misionit e detyrave të ngarkuara, por ende ka nevojë për t’u përshtatur në raport me vëllimin, karakteristikat dhe veçoritë e kriminalitetit në çdo prefekturë, me synimin e përforcimit të shërbimeve operuese dhe rritjes së cilësisë së tyre.
Kultura e institucionit për shkak të sistemit të ri, infrastrukturës ligjore, parimeve etj., ka ndryshim të dukshëm, por edhe këtu si në gjithë elementët e tjerë ka nevojë për ndryshim, madje më shumë se në çdo element tjetër të zhvillimit e konsolidimit të institucionit. Fjala është për rivlerësim e zhvillim në mënyrë të planifikuar të vlerave e cilësive morale, simboleve, akteve të trimërisë, traditave e vlerave pozitive, besimit; formimit arsimor e qytetar dhe kualifikimit profesional, me qëllim që të sigurohen standardet e kërkuara brenda organizatës për motivimin, rritjen e moralit e besimit në kryerjen e detyrave.
Drejtimi ose lidershipi i freskuar vazhdimisht në mjaft struktura ka dhënë rezultatet e duhura, por ende për shkak të moszgjidhjes sipas kritereve ligjore e treguesve të punës, ose lëvizjeve të shpeshta, përsëri vazhdon të ndikojë jo pak në performancën e policisë. Ka ardhur koha për të bërë rivlerësim të punonjësve mbi bazën e vlerave morale, profesionale, treguesve të punës dhe aftësive organizative, me qëllim që të vendosen në drejtim punonjës të arsimit dhe karrierës policore.Burimet njerëzore përbëjnë resursin më me vlerë që ka organizata në raport me burimet e tjera. Freskimi i një përqindjeje të konsiderueshme të shërbimeve operuese me punonjës të rinj të trajnuar në kursin e policisë ka rritur mundësinë e përmirësimit të sjelljes dhe të treguesve të punës parandaluese e zbuluese në shërbimet policore. Por nevojat e policisë dhe shërbimeve nuk mund të përballohen vetëm me kursin e punonjësve për nivelin e ulët.
Pasojat e modelit arsimor me sistem kursesh jashtë arsimit të lartë, që nuk u përgjigjen kushteve, nevojave të policisë dhe veçanërisht modelit të hetimit kriminal, kanë filluar të duken në ushtrimin e funksioneve të policisë gjyqësore dhe do të thellohen më shumë në të ardhmen. Rritja e efektshmërisë, përveç përforcimit të kritereve të pranimit e kualifikimit, kërkon përforcimin e kritereve e rregullave të vlerësimit, pra matjes së punës.
Komunikimi në shërbimin policor është mjaft i rëndësishëm sepse ka të bëjë me marrëdhëniet brenda organizatës dhe jashtë saj me komunitetin e subjektet e tjera. Fjala është për vjeljen dhe qarkullimin e informacionit, metodat dhe punën në grup, sjelljen e punonjësve etj. Pavarësisht nga përmirësimet, duhet pohuar se ka defekte e formalizëm në komunikim, analiza pune, sjelljen ndaj qytetarëve. Në qarkullimin e informacionit brenda strukturave ka shkallë komandimi, ndërsa rendimenti për thithjen e informacionit kriminal është minimal. Dobësimi i kontaktit me informacionin kriminal në bazë atje ku banohet e punohet, komunikimit me qytetarët, ndikon në njohjen e gjendjes dhe eficencën e ulët.
Vetëm dhënia e njoftimeve për ngjarjet kriminale, apo intervistave nga drejtuesit e ministrisë e policisë, nuk realizon qëllimin dhe hapjen me opinionin publik. Ndaj duhet rishikuar veprimtaria për shtimin e botimeve me anën e shtypit, revistës së policisë, asaj shkencore për kriminalitetin që është mbyllur, botimeve të ndryshme profesionale etj.
Korrupsioni ka të bëjë me abuzimet në përdorimin e fuqive dhe pushtetit që është dhënë nga ligji për kryerjen e detyrave. Nga anketimet e bëra prej organizmave joshtetërorë, shërbimi policor nuk përfshihet në institucionet me korrupsion të lartë, por përsëri duhet pranuar se niveli i këtij fenomeni në radhët e policisë është i përhapur.
Forma më tipike e korrupsionit është procesi i emërimeve nga institucionet vendimmarrëse, i cili shpesh shmang kriteret ligjore, vlerat dhe treguesit e punës, duke nxitur më shumë veprimet korruptive në gjithë organizatën e policisë, përgjegjësi kjo që bie mbi institucionet vendimmarrëse në ministri dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
Reforma për zhvillimin e policisë edhe pas kaq vitesh nuk ka arritur t’i realizojë plotësisht synimet dhe objektivat e saj, për shkak të paqëndrueshmërisë së infrastrukturës ligjore e organizative, ndryshimit të shpeshtë sipas interesave politikë të punonjësve që shërbejnë, marrëdhënieve e moralit të krijuar. Ajo, jo vetëm është e vonuar në kohë, por ka probleme me cilësinë e standardet e saj, gjë që do të ndikojë në të ardhmen tek institucioni, punonjësit dhe siguria e shoqërisë. Ministria dhe policia janë duke përsëritur gabimet e mëparshme në menaxhimin e reformës dhe sidomos trajtimin e punonjësve. Mangësitë dhe standardet e ulëta të institucionit kanë sjellë frikën, heshtjen dhe indiferentizmin për të komunikuar, ngritur probleme; afruar informacion mbi veprimtarinë kriminale etj.
Duke vlerësuar në kompleks, treguesit e reformave të zhvilluara në polici dhe eficencës së saj për zbatimin e ligjit, kontrollin e krimit dhe garantimin e sigurisë kanë ardhur në rritje në raport me periudhat e mëparshme; por standardet institucionale dhe performanca e shërbimit në raport me ato perëndimore janë ende të ulëta.
Për rrjedhojë mund të konkludohet lehtë se policia vuan nga “funksionimi dhe menaxhimi i dobët i institucionit”; ndaj synimi kryesor i strategjisë për zhvillimin e reformës duhet të jetë: “Konsolidimi i institucionit të policisë për arritjen e standardeve dhe eficencës në shërbimet e sigurisë”. Ky rekomandim, në fakt nuk puqet plotësisht me atë të institucioneve drejtuese, të cilat kanë vënë “luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.
Duhet kuptuar se lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar, edhe pse përbën prioritet në kushtet që kalojmë, nuk mund të errësojë apo zëvendësojë objektivin për ndërtimin dhe konsolidimin e institucionit, sepse veprimtaria kundër krimit është e ndërvarur nga niveli dhe standardet e institucionit. Menaxhimi i reformës nuk i duhet lënë thjesht nivelit politik apo rastësisë, por duhet marrë në dorë nga vetë policia, duke gjykuar realisht për gjendjen, rivlerësuar e aktivizuar të gjitha vlerat, specialistët, subjektet e ndryshme të shoqërisë dhe siguruar mbështetjen e politikës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›