OSBE mbledh organizmat e huaja për situatën në Veri
Zv/ministri Pone: Duhen koordinuar ndihmat. Biznesi ndan pakot për të përmbyturit
Qeveria kërkon ndihmë, donatorët: Listoni nevojat për mallra, jo para
Mobilizimi për të ndihmuar familjet e prekura nga përmbytjet në veri ka përfshirë organizmat e huaja. Një mbledhje e zhvilluar në mbrëmjen e dy ditëve nën kujdesin e OSBE-së ka vënë në dukje hapat që duhen ndjekur deri në përballimin e situatës. Në tryezë nuk kanë munguar institucionet më të rëndësishme financiare, si Banka Botërore, banka gjermane KfW, si dhe ambasadat e organizma të ndryshme, që operojnë në vendin tonë. Nga pala shqiptare ishte zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Pone, i cili kërkoi mbështetje me ndihma për familjet e prekura nga vërshimi i lumit Buna në pjesën fushore të Shkodrës. Aktualisht qeveria nuk e ka ende të qartë faturën financiare të dëmit dhe është duke operuar me të dhënat operative që vijnë nga terreni.
Ajo çka kërkuan donatorët ishte hartimi i një liste ku të paraqiteshin nevojat e duhura dhe emergjente, në mënyrë që të përgjigjen duke dërguar ndihma materiale. Sa i takon mjeteve financiare, mësohet se askush nga donatorët nuk ka dalë vullnetar, por kanë insistuar në dërgimin e materialeve ushqimore dhe mjete transporti, mbështetje me individë si dhe aksesorë të tjerë. Deri tani, i janë përgjigjur thirrjes disa shtete të BE-së, si Italia, Greqia apo Austria, duke ofruar mjete lundrimi, helikopterë, gjeneratorë, ushqime etj. Vetëm qeveria italiane ka ofruar deri tani rreth 250 mijë euro ndihma. Të dhënat e fundit flasin për rreth 2500 banesa të dëmtuara dhe mbi 10 mijë hektarë toka të përmbytura.
Në kushtet kur ndihmat po vijnë nga të katër anët, zv.ministri i Brendshëm ka sugjeruar një koordinim të punës, në mënyrë që efekti të jetë i duhur.
Ndërkaq ndihma po vijnë edhe nga biznesi, nën organizimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë. Deri janë mbledhur rreth 615 mijë euro, para të hedhura në llogari bankare, si dhe mbështetje në materiale, kryesisht ushqime. Shumë kompani të njohura i janë shtuar listës së solidaritetit, duke ofruar mallra me vlerë mbi 5 milionë lekë. Nuk ka munguar ndihma edhe nga biznesi i Kosovës. Kreu i Odës Ekonomike, Besim Beqaj, deklaroi kontributin në vlerë 120 mijë euro. Vet qeveria e Kosovës i është përgjigjur thirrjes së Kryeministrit shqiptar, duke ofruar si mbështetje 200 mijë euro, kurse të tjera komuna fqinje me Kukësin dhe Tropojën kanë ofruar ndihma të ndryshme, monetare dhe materiale.
Edhe Turqia ka dërguar ndihma për banorët e zonave të përmbytura. Fondi i Emergjencave pranë Kryeministrisë së Republikës të Turqisë ka vendosur që për të dëmtuarit nga përmbytjet më datë 13 janar 2010 të dërgojë në Tiranë një avion të posaçëm me medikamente, pajisje mjekësore, ushqime, bashkë me 5 mjekë dhe 5 punonjës të shëndetësisë, njoftoi dje Ambasada e Republikës së Turqisë në Shqipëri.
#