E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedonia hap portat, Prifti: Asnjë shqetësim, Fierza po bie

Situata
KESH: Vijojnë shkarkimet. ECS: Ministria e Ekonomisë po bën menaxhim efektiv

Qeveria shqiptare duhet të menaxhojë tashmë edhe prurjet e ujit që vijnë nga pjesa maqedonase e Drinit. Gjatë ditës së djeshme, autoritetet maqedonase kanë urdhëruar hapjen e portave në dy HEC-e pranë Strugës, duke lejuar shkarkimin e 120 metrave kub ujë në sekondë. Për ministrin Prifti, lëvizjet e fundit nuk do të sjellin probleme për palën shqiptare. Ndërkaq, gazeta mëson faktin se qeveria shqiptare nuk ka marrëveshje me palën maqedonase sa i takon derdhjes së ujit nga liqeni i Ohrit.
Ndërkaq, nivelet e liqeneve në hidrocentralet e Fierzës, Komanit e Vaut të Dejës po shkojnë drejt përmirësimit, pasi prurjet janë në rënie dhe shkarkimet gjithashtu. KESH njoftoi dje se po shkon drejt përmirësimit situata në liqenin e Fierzës pas shkarkimeve që po bëhen në kaskadën e Drinit, ku nga dita e djeshme, sot niveli ka rënë me një metër. Deri në orën 18:00, prurjet në Fierzë ishin në nivelin 500 metra kub ujë në sekondë nga 550 që ishin në mëngjes. Në Fierzë, derdhjet e ujit, nga mëngjesi që ishin 900 metra kub ujë në sekondë, janë 880 metra kub në sekondë. Fierza me kapacitet 296 metra, aktualisht ka nivelin e ujit në 290.58 metra, duke rënë brenda disa orësh me 2 centimetra. Në liqenin e Komanit, me kapacitet 175 metra, niveli i ujit ka rënë brenda pak orësh me 1 cm. Aktualisht shënon 170.39 metra dhe prurjet gjithashtu shënohen në rënie, ndërsa në mëngjes ishin në 250 metra kub ujë në sekondë, në mesditë shënuan 200 metra kub në sekondë. Derdhjet në Koman në mesditë llogariten 1100 metra kub në sekondë, nga 1080 metra kub ujë në sekondë. Kurse në Vaun e Dejës me kapacitet 76 metra, niveli i ujit llogaritet në 74.10 metra, nga 74.03 që ishte në mëngjes. Ndërkohë prurjet nga 250 metra kub ujë në sekondë gjatë paradites së djeshme, në mesditë shënuan 180 metra kub/sek. Derdhjet në Vaun e Dejës, në krahasim me paraditen, janë në rënie, nga 1350 metra kub në sekondë gjatë mëngjesit, në mesditë ranë në 1100 metra kub/sek.Ndërkaq, nuk ka munguar mbështetja për ministrin Prifti nga Sekretariati i Energjisë në Vjenë (ECS), duke vlerësuar punën e METE-s. Në letrën dërguar Priftit, drejtori i Komunitetit për Energjinë e Europës Juglindore, Slavtcho Neykov, përgëzon Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjetikës për menaxhimin me profesionalizëm të situatës në zonat e përmbytura, duke mbajtur situatën nën kontroll.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›