Buna fillon të tërhiqet, por liqeni hyn në Shirokë
Autoritetet, alarm për ujin e ndotur në disa lagje
Rritja e nivelit të liqenit të Shkodrës ka përmbytur një pjesë të madhe të Shirokës, lagjes turistike të qytetit. Kjo zonë nuk përfshihet në hartat zyrtare të përmbytjes, por situata aty është po aq problematike sa në Dajç, Obot apo Bahçallëk.
Vështirësitë e rrugës për të shkuar drejt Shirokës hasen që pa hyrë tek ura e Bunës, ku prurjet e lumit e kanë bërë thuajse të pakalueshme hyrjen në urë. Sapo kalon urën, në të djathtë të rrugës që të çon për në Shirokë, është vendosur një tabelë ndalim-kalimi, pasi liqeni në disa segmente e ka bërë rrugën të pakalueshme. Rruga mund të bëhet vetëm me mjetet e larta të ushtrisë. Që pa hyrë në brendësi të lagjes “Shirokë” mund të kuptosh sa është dëmi që ka shkaktuar liqeni, pasi lokalet në krahun e majtë të rrugës buzë liqenit janë të mbuluara në ujë dhe vetëm majat e çative mund të shquhen në sipërfaqen e ujit. Tani, “mysafirët” e vetëm të zonës janë gazetarët që raportojnë situatën. Në qendër të lagjes shikon vetëm varka, por ndryshe nga herët e tjera, nuk po lundrojnë në liqen, por në rrugë. Një nga banorët e kësaj lagjeje, Myzafer Ujka, të cilin e gjetëm duke lundruar me varkën e tij nëpër rrugën kryesore, na thotë:
“Kam dal të blej bukën. Shtëpia ime ndodhet në rrugë dhe uji më ka hyrë brenda. Thonë që Shiroka ende nuk është përmbytur, por le të vijnë dhe të shohin se çfarë është bërë. Uji na është futur mbi 50 cm brenda në shtëpi. Ne jetojmë buzë liqenit më të madh në Ballkan dhe imagjinoni se çfarë do të thotë të krijohen përmbytje nga ky liqen dhe pasojat për ne banorët që jetojmë këtu buzë këtij liqeni. Këtu nuk dallohet rruga me liqenin, jemi mbi rrugë dhe na duket sikur jemi në mes të liqenit. Ndaj kërkojmë ndihmë, të merren masa që dhe Shiroka të trajtohet njëlloj si zonat e tjera të përmbytura. Kemi katër ditë që jemi përmbytur dhe askush nuk na përmend. Janë habitur me lagjet e tjera të qytetit dhe zonën e Nënshkodrës”.
Në rrugët e këtyre lagjeve buzë liqenit, tashmë shikon duke notuar peshq dhe gjarpërinj uji. Për fëmijët e kësaj lagjeje që nuk shkojnë në shkollë për shkak të izolimit, gjarpërinjtë e ujit janë kthyer në “shokët e lojërave”. Një 13-vjeçar, El.Ga., sapo ka kapur një gjarpër të vogël që ua tregon me mburrje shokëve. Djali na thotë: “Sa mirë është kështu, u kënaqëm duke luajtur, jemi mbledhur gjithë shokët dhe shëtisim me varkë në rrugë”. Duket se halli që kanë të rriturit nga frika e liqenit, nuk duket i tillë për fëmijët që janë zhytur në botën e tyre. Pak më tutje është një e moshuar. Sapo shikon gjarpërinjtë e ujit, thotë duke psherëtirë: “Dolën gjarpërinjtë nga uji? Kjo nuk është shenjë e mirë, do të kemi sërish ujë”.
Ndërkohë, lumi Buna vazhdon t’i frikësojë banorët në hyrje të qytetit të Shkodrës. Gjatë ditës së djeshme, niveli i ujit ka arritur deri në 40 cm. Situata ka qenë më problematike në shtëpitë private, pasi uji ka mundur të depërtojë në brendësi. Ndërkohë që janë përzier kanalizimet e ujërave të bardha me ato të zeza, duke krijuar probleme serioze për zonat e banuara. Madje në zonat në fjalë, në lagjet “Xhabije” dhe “Tophanë”, uji i pijshëm ka rezultuar të jetë i ndotur dhe Drejtoria e Shëndetit Parësor ka bërë thirrje që të mos konsumohet uji i çezmave dhe puseve. Në orët e pasdites së djeshme, prurjet e Bunës kanë pasur rënie të ndjeshme, por në qytet situata mbetet kërcënuese. Nga përmbytjet ka mbetur e paprekur vetëm periferia veriore e qytetit të Shkodrës, që kufizohet me lumin Kir, i cili për fat të mirë ende duket i qetë.
#