Prokuroria: Saldatriçja, një nga provat kryesore
Gërdeci, akuza: Ndodhi nga saldimi. Të pandehurit: Nga minat me telekomandë
Prokuroria dhe të pandehurit kryesorë që akuzohen për tragjedinë e Gërdecit janë “përplasur” në lidhje me mënyrën e shpërthimit të fabrikës së demontimit të municioneve. Prokuroria këmbëngul se saldimi i një karroce që transportonte barut, nga i ndjeri Qemal Deliu, ka shkaktuar shpërthimin. Sipas grupit të prokurorëve, gjetja e saldatriçes që ka salduar karrocën në fjalë përbën një “zbulim të madh”. Me këtë gjetje prokurorët deklarojnë dhe kanë prova për të bindur gjykatën se shpërthimi ndodhi pikërisht nga ajo saldatriçe që është gjetur nga forcat ushtarake me metalkërkues në vendin e shpërthimit, pranë shtëpisë së familjes Deliu, e cila ishte ngjitur me fabrikën e demontimit. Përfaqësuesit e organit të akuzës kundërshtojnë në këtë mënyrë të pandehurit, që pretendojnë se shpërthimi i fabrikës ka ndodhur nga një minë me telekomandë.
Të paktën kështu kanë deklaruar avokatët e të pandehurit Ylli Pinari, teksa kanë shqiptuar para gjykatës se prokuroria nuk i ka vërtetuar informacionet e ardhura nga policia, që bënin fjalë për një akt kabotazhi në fabrikën e demontimit. Kërkesa e lexuar nga avokatët e Pinarit përmbante edhe të dhëna të tjera, si dhe emra konkretë. Ata këmbëngulnin se asnjë prej këtyre personave nuk është marrë në pyetje. Në këtë mënyrë, Pinari akuzon prokurorinë se nuk ka bërë “më të mirën për hetimin e kësaj tragjedie”. Kundërpërgjigjja e prokurorisë ka ardhur nga terreni, teksa ushtarakët kanë gjetur fatmirësisht mbetjet e saldatriçes në shtëpinë e të ndjerit Qemal Deliu. Duket se tashmë “lufta” do të vazhdojë para gjykatës, ku palët në proces do të servirin prova që të vërtetojnë alibitë e tyre për mënyrën e shpërthimit të “fabrikës së vdekjes”. Procesi gjyqësor ndaj 28 të pandehurve po vijon me dëshmitë. Para gjykatës janë paraqitur banorë të zonës së Gërdecit, si dhe punonjës të fabrikës, që kanë treguar tmerrin e ngjarjes së 15 marsit të vitit 2008.
#