“Rruga e Shqipërisë, rruga e zhvillimit, integrimit dhe arsimimit”

Arben Imami bashkëbisedon me votuesit e rinj në Cërrik
Arben Imami zhvilloi një takim në formë bashkëbisedimi me votuesit e rinj në Cërrik, ku të rinjtë parashtruan pyetjet e tyre për programin dhe punën që po bën Partia Demokratike. Ministri Imami u shpreh se në këto 8 vite Shqipëria ka ecur në rrugën e saj të integrimit dhe zhvillimit. Ajo që më tepër se çdo gjë tjetër i intereson rinisë sot është integrimi i vendit në BE, mundësi për studime dhe punë jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë kontinentin Europian.
Partia Demokratike theksoi ai, ka bërë shumë hapa për integrimin e vendit në BE, ku u ndal së pari në anëtarësimin e vitit 2005 në Këshillin e Europës, së dyti në anëtarësimin në NATO, së treti liberalizimi i vizave e së katërti u ndal në bllokimin që i është bërë qeverisë së Partisë Demokratike dhe Kryeministrit Berisha për të marrë statusin e vendit kandidat, në këtë rrugë të gjatë përpjekjesh. Ndaj ai e cilësoi 23 qershorin si një mundësi që Edi Ramës këta votues të rinj ti tregojnë se rruga Shqipërisë është rruga e zhvillimit, rruga e integrimit, rruga e arsimimit.
Kryetari i Grupit të Punës për qarkun e Elbasanit, Imami u përqendrua në Universitetin e Elbasanit ku deri para 5 vjetësh në këtë universitet kishte vetëm 10 për qind nga krahinat rrotull Elbasanit dhe pjesa më e madhe ishin nga brenda qytetit. Ndërsa sot studentët e universitetit të Elbasanit i përkasin gjysma qytetit gjysma krahinave, dhe kjo tregon që niveli arsimor i gjithë trevës së Elbasanit po ecën me një ritëm të njëjtë zhvillimi, tha ai. Ndër të tjera ai cilësoi rëndësinë e këtij ndryshimi sepse sot, tha ai, është një shoqëri e lirë, ju keni lindur në liri shfrytëzojeni, merrni përgjegjësi për jetën tuaj.
Në qoftë se ju do të angazhoheni në këto zgjedhje theksoi Imami këto zgjedhje do të jenë një fitore e madhe ndaj ta bëjmë bashkë këtë fitore dhe ta çojmë këtë vend përpara, sepse me të vërtetë rinia është ndryshimi, Partia Demokratike është ndryshimi, ta bëjmë 23 qershorin një ditë tjetër të ndryshimit të madh të Shqipërisë e të lëvizjes përpara të saj.
Pyetjeve se çfarë perspektivash ka zhvillimi rural në këtë Cërrik dhe sa do i vlejë rruga Tiranë Elbasan kësaj zone Imami ju përgjigj se: 50 vitet e diktaturës e bënë Shqipërinë të ecte me ritme më të ngadalta. Imami mori shembullin e Toskanës që është një nga vendet më të bukura në botë dhe është puna dhe kultura e njeriut që e bëri, prandaj edhe vendi ynë mund ta ketë këtë kulturë të punës e të jetesës si ata. Toka në Toskanë është sikur të jetë prej çimentoje, është gri e megjithatë aty prodhohen verërat më të mira e më të shtrenjta të Italisë.
Pra, vijoi ai, ne nuk duhet të nisemi nga koncepti i vetëmjaftueshmërisë dhe i vetëizolimit, por duhet të nisemi nga ideja e konkurrimit në tregjet europiane. Pra duhet të dimë se cili është avantazhi ynë krahasues në raport me Europën, çfarë nuk prodhohet nga ata ose çfarë prodhohet nga ata me kosto të lartë të cilën ne mund ta prodhojmë me kosto më të ulët.
Tokat në Shqipëri u shkatërruan, madje u mboll grurë e patate aty ku nuk duhej mbjellë dhe kjo rrugë na çoi vetëm drejt varfërimit deri sa në 1990-1991 arriti në një tmerr të vërtetë të cilin e njohu gjithë Lindja, por këtu arriti më keq se kudo. Shqipëria ka tokë që jep prodhime të ndryshme në varësi të zonave e sigurisht që në Myzeqe nuk do të mbjellësh arra, por do të mbjellësh grurë, misër etj dhe do të bësh bujqësi e blegtori intensive. Në Sulovë, në Mollas 800 ha tokë ka vënë me qera komuna për individët, për fermerët apo edhe për jo fermerët vendas të cilët duan të marrin këto kodra të cilat sot janë me shkurre dhe t’i shndërrojnë në toka prodhuese. Këtë vit ka pasur 100 mijë ton ullinj prodhim më tepër për shkak se ky ishte viti i parë që ullinjtë e mbjellë me programet e subvencionit të qeverisë u futën në prodhim. Këto janë fakte. Gati gjysma e popullsisë jeton në fshat, madje po të shkoni në Belsh do të mrekulloheni, është shumë herë më bukur të jetosh aty se në një lagje të Tiranës. Shqipëria është një vend ku punohet, ku ka prodhim dhe infrastrukturë të plotë e pikërisht këto janë arsyet me rrugën e duhur ku lind nevoja për t’u integruar në Bashkimin Europian.