KiE: Partitë politike të tregojnë vullnet për zbatimin e ligjit
Zgjedhjet/Prezenca e OSBE-së në Shqipëri nisi trajnimet për trajnerët e përzgjedhur nga KQZ
Konrad Olszewksi: Anëtarët e të gjitha niveleve në komisione, të bëjnë punën e tyre me standarde
Përfaqësuesi e KiE-së, Konrad Olszewksi, kërkoi të premten nga partitë politike shqiptare që në zgjedhjet e 23 qershorit të tregojnë vullnet në zbatimin e ligjit. “Në fakt mund të themi se Kodi zgjedhor i Shqipërisë është përmirësuar. Rekomandimi kryesor për zgjedhjet në Shqipëri nuk ka të bëjë me kodin zgjedhor, por me rolin e partive politike, me anëtarët e tyre në komisione gjatë zgjedhjeve, në mënyrë që të sigurojnë zgjedhjet e duhura në Shqipëri. Çështja nuk ka të bëjë me ligjin, por me zbatimin e ligjit, pra me vullnetin e mirë të partive politike, që ato me anë të anëtarëve të tyre të sigurojnë që Shqipëria të ketë zgjedhje transparente, të pavarura e të paanshme”, tha Olszewski.
Ky është rekomandim që ka ardhur nga vëzhguesit e ndryshëm ndërkombëtar, nga OSBE, KiE. Në fakt rekomandimi kryesor ka pasur të bëjë me rolin dhe detyrat e partive politike, me anëtarët që kanë në komisionet e ndryshme gjatë zgjedhjeve, në mënyrë që të sigurojnë zgjedhjet e duhura në Shqipëri.
Sipas përfaqësuesit të KiE-së, Konrad Olszewksi, trajnimi i komisionerëve ka shumë rëndësi për këtë proces. Duke folur për kodin zgjedhor ai tha se rëndësi ka zbatimi i tij dhe mbajtja e zgjedhjeve demokratike. “Ne mund të japim ndihmesën tonë në fusha të ndryshme, por një gjë që nuk mund të bëjmë, është që të ndryshojmë vullnetin e partive politike për të bërë atë që ato duhet të bëjnë. Le të shpresojmë që anëtarët e të gjitha niveleve në komisione, të bëjnë punën e tyre në standardin dhe etikën më të lartë të mundshme, sepse zgjedhjet nuk janë për partitë politike por për votuesit. E drejta e zgjedhësve që të marrin pjesë në zgjedhje demokratike është më e rëndësishme se e partive”, ishte mesazhi i përcjellë nga përfaqësuesi i KiE-së, Konrad Olszewksi.
Deklarata e zyrtarit të KiE-së për mediat erdhi pas pjesëmarrjes së tij sesionin e parë të trajnimit të trajnuesve të KZAZ-ve, e mbështetur nga OSBE dhe Këshilli i Europës, lidhur me kodin zgjedhor të ndryshuar së fundmi dhe aktet nënligjore përkatëse.
Në ceremoninë e nisjes së trajnimit për anëtarët e KZAZ-ve për zgjedhjet e 23 qershorit, që zhvillohet me mbështetjen e OSBE-së dhe Këshillit të Europës kryetarja e KQZ-së Lefterie Lleshi, ripërsëriti apelin, sipas të cilit palët duhet t’i bashkohen vullnetit pozitiv që ka KQZ me qëllim që të garantohet një proces i drejtë dhe i ndershëm dhe që rezultati të pranohet nga të gjithë.
“Mbetem e bindur se pa bashkëpunimin e ngushtë dhe pa mbështetjen e të gjithë hallkave të këtij procesi asnjë palë nuk mund të realizojë në Shqipëri zgjedhje të lira, të ndershme, të barabarta, transparente dhe demokratike. KQZ me të drejtë konsiderohet si autoriteti më i lartë përgjegjës për garantimin e procesit elektoral, por në fakt aktorët janë më të shumtë, sa janë të pa neglizhueshëm edhe ndikimet e tyre. Unë përfitoj nga rasti të ftoj të gjithë palët t’i bashkohen vullnetit maksimal pozitiv që ka KQZ për t’ju dhënë shqiptarëve një proces të ndershëm, të drejtë, një klimë transparente dhe demokratike zgjedhore, një rezultat të pranueshëm nga të gjithë palët”, tha Lleshi.
Lleshi më tej vlerësoi rolin e trajnuesve, duke kërkuar prej tyre të jenë të paanshëm dhe të tregojnë profesionalizëm në përmbushjen e detyrave të ngarkuara.
Në kuadrin e mbështetjes ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Prezenca e OSBE-së në Shqipëri nisi dje trajnimet për 76 trajnerë, të përzgjedhur nga vetë KQZ-ja, lidhur me Kodin Zgjedhor të ndryshuar së fundmi dhe aktet nënligjore përkatëse.
Sesioni i parë do të mbahet më 26 dhe 27 prill 2013, për t’u ndjekur nga një sesion i dytë trajnimesh, i parashikuar për datat 29 dhe 30 prill.
Sesionet do të përqendrohen në rolin e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) nga momenti i themelimit të tyre e deri në përfundim të procesit zgjedhor, duke përfshirë të gjitha fazat e veprimtarisë së Komisioneve. Trajnerët do t’i përdorin njohuritë e fituara prej tyre për trajnimin e anëtarëve të KZAZ-ve anembanë vendit në kuadrin e përgatitjeve për zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen më 23 qershor.
Trajnimi zhvillohet si pjesë e asistencës teknike që Prezenca e OSBE-së i jep Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë. Kjo asistencë synon të ndihmojë organet e administrimit të zgjedhjeve të përmirësojnë punën e tyre dhe të rrisin profesionalizmin. Kjo veprimtari po mbështetet edhe nga Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë.