“Në fjalën e çdo fermeri ndjehet fitorja e PD më 23 Qershor”

Ministri i Financave Ritvan Bode, takime në komunën Voskop
Ministri i Financave Ritvan Bode zhvilloi një takim e fermerët e komunës Voskop në qarkun e Korçës. Ai deklaroi se “këtu ndjehet në fjalën e çdo fermeri fitorja e PD në 23 Qershor”. Sipas tij, sot fermeri nuk punon për të mbajtur frymën dhe familjen por është bërë pjesë e tregut. “Investimet në infrastrukturë, mbështetja e qeverisë të PD për fermat, mbjellja e fidanëve, subvencionimi i bujqësisë, politikat protektive kanë çuar në një rritje të bujqësisë për vitin e kaluar në më shumë se 15 për qind për Qarkun e Korçës, me një rritje prej gati 3 herë në 8 vite. Do subvencionojmë investimet në industrinë përpunuese duke çuar përpara zhvillimin e bujqësisë duke bëre të mundur Industrializimin e bujqësisë në çdo cep të vendit”, theksoi Bode.
Ndër të tjera, theksoi ministri Financave, “ne kemi moralin të trokasim në shtëpinë e çdo fermeri për të mbështetur dhe inkurajuar zhvillimin dhe integrimin e vendit. Kundërshtarët tanë paraqesin vetëm rritje progresive të taksave, shajnë dhe gënjejnë askush nuk deklaron prej tyre rritje të pensioneve në fshat, ulje të taksave, mbështetje për bujqësinë”.
Në fund, ministri Bode nënvizoi se reformat e qeverisë Berisha sollën zhvillimin me ritme të larta të bujqësisë dhe “ne do vazhdojmë ti mbështesim fermerët me politika të cilat sjellin zhvillim jo vetëm për fshatin por edhe për Shqipërinë”.