Tregu i shëmtuar
E nervozuar dhe me fëmijën e vet për dore, Violeta Zeqiri i bërtiste një shitësi, i cili rasatin e vet e kishte vendosur në trotuar për ta shitur.
Gruaja nga Fushë-Kosova nuk kishte nga të ecë, sepse përveç këtij shitësi, në fshatin Bresje të Fushë-Kosovës, për çdo të martë, tregu i pakicës mbahet thuajse në mes të rrugës kryesore Prishtinë-Pejë.
Në njërën anë automjetet, e në anën tjetër shitësit, në këtë pjesë, e marta është ditë e rrezikshme për ata që kanë nevojë të lëvizin.
Ky treg shumetnik, në të cilin tregtojnë shqiptarë, serbë e romë, përbën kërcënim për jetën e secilit që lëviz andejpari.
Për më tepër, ky vend i ngushtë, ka vite që shfrytëzohet si treg, pavarësisht se aty nuk ka asnjë kusht elementar që të bëhet pazar.
“Çka i keni qitë këto sende në rrugë. Shkoni shitni në treg. Kah me ecë qytetarët”, bërtiste Violeta, në krahun e djathtë të së cilës, automjetet lëviznin me shpejtësi, ngase rruga ka dy korsi në njërën anë.
Sigurisht, edhe përgjigjja e shitësit nuk mungon. “Po çka me ba, bre motër, edhe na po duhet me i mbajtë fëmijët”, ia kthen shitësi Liman Krasniqi, që nga Malisheva kishte sjellë rasatin e specave për ta shitur.
Njerëzit kanë nevojë të shesin dhe të blejnë, por vendi ku është i vendosur ky treg ofron një pamje mizerje edhe për ata që vetëm kalojnë andej me vetura.
Për më tepër, kjo është rruga që shpie edhe në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të Kosovës, atë “Adem Jashari”.
Pula me kokë poshtë që mbahen nga qytetarët, vezë në duar, rasat të mbledhur në tufa, misër apo fasule në thasë, të krijojnë përshtypjen se në këtë vend nuk funksionin asgjë.
Në fakt, fjalosje të ngjashme sikurse ajo e Violetes dhe Limanit, janë thuajse të zakonshme në këtë vend, dhe ato mund të ndodhin çdo të martë.
“Por nuk kam çare, sepse s’kam tjetër punë”, thotë Limani për Express. 30-vjeçari i cili nga pamja tregon edhe më i vjetër, thotë se fajin për këtë e ka Komuna e Fushë-Kosovës.
Sipas tij, kjo komunë, tash e sa vjet nuk lodhet për të gjetur një vend të caktuar ku ata do të mund të bënin tregti me pakicë, pa u rrezikuar nga ndonjë aksident nga veturat që lëvizin vetëm disa centimetra larg këmbëve të tyre.
Ai e pranon se duke shitur në trotuar, bëhen pengesë edhe për qytetarët dhe i vjen keq për pamjen e keqe dhe bërllokun që lënë prapa vetes kur largohen.
Por edhe për këtë, përgjegjës bën Komunën. “Edhe në këto kushte të tmerrshme që punojmë, Komuna lyp nga ne që të paguajmë. Për çdo javë na e marrin nga një euro; na thonë që e marrin për higjienë”, tregon ai.
Ndërkohë, zyrtarë të Komunës së Fushë-Kosovës, së paku tregojnë se janë të vetëdijshëm për këtë problem dhe sigurisht, nuk harrojnë të premtojnë për gjetjen e një zgjidhjeje për këtë treg.
Maliq Berisha, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Fushë-Kosovës, tregon për Express se brenda këtij viti, do të nisë rregullimi i tregut, ku këta shitës do të punojnë në mënyrë normale dhe do t’i kenë të gjitha ato që i duhen një tregtari për ta kryer punën e tij.
“Brenda një viti, do ta rregullojmë tregun dhe do ta pastrojmë atë vend”, thotë Maliqi, duke sqaruar se disa herë u kanë thënë tregtarëve të mos shesin në këtë zonë, por vendim të prerë nuk ka pasur.
Ai nuk e pranoi se nga secili tregtar merret nga një euro pagesë në ditën e tregut, por e pohon se nga një euro i merret secilit që e jep në mënyrë vullnetare, për ta pastruar vendin, pasi njerëzit largohen.
Në këtë vend, disa herë kanë ndodhur aksidente të rënda trafiku, ndërkohë që të martave kur ka ditë tregu, qytetarët kalojnë rrugën edhe duke i kapërcyer hekurat mbrojtës.