E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga e dialogut dhe dobia e popullit, zgjedhja që duhet të bëjnë të gjithë shqiptarët

Urimi drejtuar të gjithë besimtarëve katolikë dhe njerëzve vullnetmirë që Konferenca Ipeshkëvore e Shqipërisë (KISH) ka bërë për festat e fundvitit

Të dashur vëllezër e motra,
Koha e Ardhjes është një kohë shumë domethënëse. Janë katër javë që i paraprijnë Krishtlindjes dhe na përgatisin për ta jetuar sa më mirë atë. Kjo kohë, si edhe disa ngjarje të tjera, na kanë nxitur t’ju drejtohemi juve me anë të kësaj letre.
Porosia e Krishtlindjes
Të gjithë njerëzit, dhe jo vetëm të krishterët, pranojnë se Jezu Krishti ka një domethënie dhe një rëndësi krejt të veçantë për historinë dymijëvjeçare pas lindjes së tij, si edhe për vetë shoqërinë njerëzore. Prandaj dhe lindja e tij kremtohet në mbarë botën. Është lindja e Njeriut, e Njeriut të ri, e atij që duke u bashkuar me natyrën tonë të ligshtë, e ka pajisur këtë natyrë me një dinjitet të ri dhe të veçantë. Vërtet, Krishtlindja është festa e njeriut. Që nga çasti kur bota ka dëgjuar dënesën e asaj foshnje në një natë të zakonshme, në një shpellë të padenjë për njeriun, në një fshat të përhumbur dhe mes njerëzve më të mënjanuar, çdo njeri mund të guxojë të brohorasë: «Jam i veçantë» dhe çdo njeri ka të drejtë të thotë: «E kam parë Jezusin, e kam prekur Jezusin». Me lindjen e tij ai na ka bërë të mundur ta shohim në fytyrën e çdo njeriu që ne takojmë dhe ndihmojmë.
Atëherë ju drejtohemi të gjithë juve, njerëzve të angazhuar në jetën politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore: pranoni këtë të vërtetë për njeriun, atë të vërtetë të zbuluar në fshehtësinë, qetësinë, dhe thjeshtësinë e natës së Krishtlindjeve. Dhe e vërteta është kjo: s’ka njeri pa Zotin. Njeriu nuk mund t’i bjerë mohit Zotit pa i ranë mohit vetvetes. Le të kujtojmë fjalët e Papës Pali VI, i cili thoshte se “...një humanizëm që e përjashton Zotin është një humanizëm çnjerëzor”, si dhe fjalët e Papës Benedikti XVI se “...larg prej Hyjit, njeriu është i paqetë dhe i sëmurë”.
Viti meshtarak
Papa Benedikti XVI para disa muajsh ka përuruar Vitin meshtarak. Ky vit ka një qëllim të dyfishtë: për priftërinjtë është një ftesë që të reflektojnë mbi dinjitetin dhe përgjegjësinë e tyre si shërbestarë të Jezusit, Bariut të Mirë; për besimtarët është një ftesë që të luten për priftërinjtë, në mënyrë që ata të pasqyrojnë gjithmonë shpirtin e Jezusit, zemërbutë dhe i përvujtë.
Jezusi u akuzua si “mik i mëkatarëve” dhe ishte i pranishëm në jetën e njerëzve, sikurse në dasëm në Kanë të Galilesë, dhe sigurisht edhe në festa të tjera, për shkak të të cilave u quajt “grykës dhe pijanec”. Jezusi ishte po ai përballë të cilit edhe djajtë trembeshin duke e shpallur si “Shenjti i Hyjit”dhe kishte për ushqim të vetin vullnetin e Hyjit.
Duke ndjekur gjurmët e Jezusit, edhe prifti, njeriu i popullit dhe për popullin, që angazhohet për gjendjen e popullit, duhet të jetë së pari njeriu i Zotit, që pasqyron shenjtërinë e Mësuesit të tij, Jezu Krishtit.
Prandaj, në mënyrë të veçantë ju drejtohemi juve, të dashur meshtarë, bashkëpunëtorët tanë më të ngushtë: Jezusi ju ka parë me butësi, ju ka thirrur në emër. Duke pranuar thirrjen dhe dashurinë e tij, bëhuni peshkatarë njerëzish. Jini lajmëtarë të ungjillit duke shpallur fjalën e Krishtit, së pari me shembullin e jetës suaj.
Dhe ju drejtohemi të gjithëve ju, të dashur besimtarë: priftërinjtë ju shërbejnë me shumë përkushtim, angazhim dhe dashuri. Lutuni për ta, që të përforcuar nga Zoti, të jenë meshtarë të shenjtë. Lutuni që Zoti të thërrasë më shumë të rinj për t’i shërbyer me gëzim atij dhe popullit të tij si priftërinj, dhe t’u japë kurajë atyre që ai thërret, që të mos kenë frikë t’i përgjigjen «po» thirrjes së Zotit.
100-Vjetori i Lindjes të së Lumes Tereza e Kalkutës
Viti 2010 do të ketë edhe një domethënie tjetër. Në këtë vit do të përkujtojmë 100-vjetorin e lindjes të së Lumes Tereza të Kalkutës, që për shumë vjet e kemi njohur dhe e kemi quajtur “Nënë Tereza”. Ne, si ipeshkvinj në Shqipëri, kemi caktuar një komision që të organizojë veprimtari të ndryshme në nder të së Lumes Tereza të Kalkutës me rastin e këtij Jubileu.
Për ne Shqiptarët Nënë Tereza ka një domethënie të veçantë. Ajo ishte shqiptare. Kur në vitin 1979 mori çmimin Nobel për paqen në Suedi, ajo me krenari është shprehur si shqiptare me origjinë, indiane me nënshtetësi, murgeshë katolike me mision.
E Lumja Tereza e Kalkutës ka një mesazh për mbarë njerëzimin. Puna e saj e palodhshme gjatë tërë jetës së saj ishte me të vërtetë një vetëflijim për njerëzimin. E tërë puna e saj ka treguar një respekt të veçantë për njeriun, për çdo njeri, pavarësisht nga raca, besimi, ngjyra, klasa shoqërore. Dhe kështu ajo i ka treguar shoqërisë anonime të sotshme dinjitetin e pazëvendësueshëm të personit njerëzor. Si e krishterë, ajo ka vlerësuar personin njerëzor si një krijesë që ka të drejtë për respekt, dashuri, mirëkuptim dhe drejtësi. Ajo ka zbuluar, sikurse thotë edhe vetë, se «…sëmundja më e madhe e kohëve tona është të jesh i braktisur, i padashur dhe i anashkaluar». Prandaj, ajo mundej të këshillonte të tjerët me këto fjalë: «Jepuni (të mënjanuarve) gëzimin për të dashur e për t’u dashur nga të tjerët». Kjo qe arsyeja pse ajo u shpërblye me çmimin Nobel për paqen.
Një thirrje përfundimtare
Së fundi, dëshirojmë t’u bëjmë thirrje të gjithë atyre që populli ynë ka zgjedhur për ta përfaqësuar në institucionet më të larta civile në vendin tonë. Pas disa ditësh do të urojmë njëri-tjetrin: “Gëzuar Krishtlindjet!”, “Gëzuar Vitin e Ri!”, por, këto urime duhet të na nxisin të kërkojmë më shumë mirëkuptim. Është shumë keq kur polarizimi politik bëhet shkak ndarjeje duke harruar se jemi një popull, bij dhe bija të një atdheu të vetëm. Dashuria për atdheun duhet të kapërcejë çdo interes partiak. Angazhimi për të mirën e përbashkët duhet të tejkalojë çdo ideologji politike.
Populli ynë shqiptar ka një veçori: solidaritetin e jashtëzakonshëm që tregon në rast fatkeqësie. Duhet që këtë solidaritet ta dëshmojmë jo vetëm në fatkeqësi, por gjithmonë, duke promovuar të mirën e përbashkët, pasi për nga kultura të gjithë formojmë një popull dhe, megjithëse kemi besime të ndryshme, në Shqipëri ato s’kanë qenë kurrë shkak ndarjeje. Kemi fatin që, sikurse ka thënë Papa Gjon Pali II në vizitën e tij më 25 prill 1993, Shqipëria është model për shumë vende të tjera, për sa i përket bashkëjetesës së besimeve në paqe dhe miqësi. Prandaj, nga thellësitë e zemrës ju bëjmë këtë thirrje: zgjidhni rrugën e dialogut, me urti kërkoni çfarë është më në dobi të popullit tonë dhe tregoni respektin e duhur ndaj njëri-tjetrit, edhe me mënyrën si flisni për njëri-tjetrin, pa përdorur fjalor fyes dhe sharës që nuk u përshtatet atyre që përfaqësojnë popullin. Populli ka të drejtë të shohë tek ju një model dhe shembull sjelljeje. Bashkëpunoni për një Shqipëri më të drejtë, më paqësore dhe më të bashkuar.
Duke ju përcjellë bekimin tonë baritor, që tani ju urojmë: Gëzuar Krishtlindjen dhe Gëzuar Vitin e Ri 2010!

Ipeshkvinjtë e Kishës Katolike të Shqipërisë
Dhënë në Tiranë, pranë Selisë së Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, sot, më 8 dhjetor 2009, e kremtja e Zojës së Papërlyer

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›