500 mijë në shesh për Berishën
Një lumë njerëzisht janë derdhur dje në rrugët që të çojnë tek Sheshi “Skënderbej”, që nga INSIG-u, tek Stacioni i Trenit, “Flora”, ish-kinema Republika dhe deri tek dy Kullat e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke regjistruar manifestimin më të madh të shqiptarëve në 20 vitet e pluralizmit.
Pjesëmarrja dhe entuziazmi ishin një konsensus për kursin reformator të kryeministrit Sali Berisha si dhe një konfirmim i lidershipit të tij, por edhe një gjykatë e shkëlqyer ndëshkuese për një opozitë që ka humbur arsyen, ka lënë parlamentin dhe po del plevicave të Shqipërisë për të bllokuar miratimin e paketës së reformave
Rreth 500 mijë shqiptarë, i thanë dje njëzëri ‘po’ Evropës.
Festa madhështore e 8 dhjetorit, ditës së rrëzimit të Murit të Berlinit të Shqipërisë, pra komunizmit, ashtu siç edhe u parashikua mblodhi në sheshin qendror të Tiranës, më shumë se gjysmë milionë shqiptarë, në ditën e Rinisë, por edhe përvjetorit të protestave studentore që sollën rrëzimin e diktaturës së Enver Hoxhës, Nexhmijes dhe Ramiz Alisë.
Tubimi madhështor nisi me fjalimin e deputetes Mesila Doda, si përfaqësuese e Lëvizjes studentore ‘90. Më pas, përshëndetjen e rastit e ka kryer ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, i cili e ka cilësuar 8 dhjetorin si një festë jo vetëm të rinisë, por të të gjithë shqiptarëve, pa dallim bindjesh politike, pasi ata u bashkuan pa dallim bindjesh, 19 vjet më parë, për të shembur murtajën komuniste.
Mes një entuziazmi të paprecedentë dhe flamujsh blu të Partisë Demokratike, fjalën e ka marrë më pas edhe kryetari i mazhorancës Sali Berisha. Ai u ndal në domethënien e veçantë të 8 dhjetorit të sivjetmë, si 8 dhjetori i parë i Shqipërisë në NATO, dhe që shumë shpejt do të pasohej edhe nga 8 dhjetori i anëtarësimit në BE. “Jemi mbledhur sot të kremtojmë së bashku, ditëlindjen e të drejtave të mohuara dhe të lirisë për ne dhe mbarë shqiptarët”. Ishte hapja e festës nga kryeministri Sali Berisha, në sheshin ‘Skënderbej’, para qindra e mijëra të pranishmëve nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, për aktivitetin madhështor të 8 dhjetorit, Ditës së Rinisë dhe pluralizmit. “Urim të përzemërt qindra dhe mijërave vajzave dhe djemve që janë në këtë shesh dhe mbarë Shqipërinë. Përkujtojmë në këtë ditë të shënuar veprën e çmuar të studentëve të dhjetor ’90-ës. Ata janë gjenerata jonë e parë e lirë në kombit tonë”, u shpreh kryeministri Berisha.
Shefi i ekzekutivit shtoi se 8 dhjetori është dita e të ardhmes dhe dita e besimit tek e ardhmja që ne besojmë.
Kreu i qeverisë iu referua edhe qëndrimit të opozitës duke theksuar se, “bllokmenët e rinj nuk do ta ndalojnë hapin e vendit drejt integrimit europian”.
“I bëjmë thirrje nga kjo tribunë ejani me ne të vrapojmë drejt së ardhmes që meritojmë” theksoi Berisha duke shtuar se garanton në emër të gjithë shqiptarëve garanton se mafia do t’i përgjigjet ligjit me rreptësinë më të madhe, ndërsa plehrat e bllokut në koshin e historisë që meritojnë.
Berisha, nga tribuna e festës e ka shpallur 8 dhjetorin si festë kombëtare për të gjithë shqiptarët. Kremtimi i sivjetmë ka qenë ekskluzivisht me tonet e festës, prandaj edhe oratorët në tribunë kanë qenë të pakët. Më pas ata kanë zbritur në shesh, për t’ua lënë skenën këngëtarëve, të cilët premtojnë ta ndezin sheshin qendror të Shqipërisë, për disa orë, gjatë kësaj mbrëmjeje - disi të ftohtë – por sërish të kthjellët e pa reshje.