E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shërbimi bullgar kërkon spiunë shqiptarë

SOFJE -Bullgaria kërkon spiunë shqiptarë në internet. Kjo nuk është mënyra më e zakonshme e rekrutimit të agjentëve të shërbimit sekret, por në Sofje, ku një raport delikat i agjencisë së sigurimit është publikuar gabimisht në media, një gjë e tillë duket më se normale.
Gjithçka është bërë e ditur në raportin e fundit të agjencisë së shërbimit sekret, DANS, një lloj FBI-je bullgare që mban nën vëzhgim gjithçka ndodh në vend. Raporti, i cili është publikuar në internet nga një person ende i paidentifikuar për prokurorinë në Sofje, thekson se shërbimi sekret në vend kërkon punonjës që flasin gjuhën shqipe. Bëhet fjalë për vëzhgimin e njerëzve shqipfolës që jetojnë në Bullgari me status të ndryshëm, sipas raportit, që vë në dukje se në shënjestër do të jenë mafiozët që shfaqen në qarqet bullgarë si biznesmenë. Raporti përmend se në Bullgari është i pranishëm edhe Shërbimi Informativ Serb, si dhe Shërbimi Informativ i ri i Kosovës. Ndërkohë, personat shqipfolës që vëzhgohen në Bullgari, janë pjesëmarrës në aktivitetet ndërshtetërore dhe ato të biznesit. Publikimi i raportit ka shkaktuar një skandal në Bullgari, ku kryeministri Bojko Borisov kërcënoi se do të mbyllë përgjithnjë Shërbimin Sekret shtetëror. Sipas tij, raporti delikat ku jepeshin të dhënat edhe për klanet, korrupsionin dhe shpërdorimin me detyrën, duhej të shqyrtohej nga prokuroria dhe të mos dilte në asnjë mënyrë në media. Në vështrim të parë dukej sikur ishte vetëm një larje hesapesh mes rivalësh. Kryeministri Borisov e akuzoi paraardhësin e tij, Sergej Stanishev të Partisë Socialiste, se e kishte raportin sekret, që iu dorëzua nga Shërbimi Sekret shtetëror DANS, për t'u dhënë kohë për të shpëtuar anëtarëve të kabinetit të tij të akuzuar në raport për korrupsion. Por, tashmë prokuroria nuk është duke zhvilluar hetime vetëm kundër Stanishevit, por edhe kundër një dërguesi anonim që e publikoi në internet raportin e gjashtëmujorit të dytë të vitit 2008. 30 faqet e raportit konfirmojnë vetëm ato që mediat dhe qeveritë perëndimore kanë ditur prej kohësh dhe që Sofja është munduar t'i trivializojë për shpërdorimin e fondeve të BE-së me bekimin e qarqeve të larta politike, për klanet e politikanëve e kriminelëve dhe korrupsionin pa fund. Ish-kryeministri Stanishev urdhëroi në janar të vitit 2008 krijimin e agjencisë DANS, pas shkurtimit të ndihmave të BE-së për shkak të skandaleve të Ministrisë së Brendshme dhe kontakteve të shumë zyrtarëve me botën kriminale në gjithë Bullgarinë. Pak kohë më parë DANS-i u akuzua se kishte marrë në pyetje gazetarët dhe analistët duke organizuar "biseda informative" me ta, por duke u kërkuar që të dhënat të mbaheshin sekret e raporti të mos publikohej.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›