Rruga e grupit të ‘vdekjes‘

Pa dyshim, Grupi B i kampionatit evropian ‘Euro 2012’ mund të konsiderohet si grupi i vdekjes, pasi që pjesë e tij do të jenë kombëtare të njohura si Holanda, Danimarka, Gjermania dhe Portugalia.
Ueb faqja goal.com është marrë me rrugëtimin e këtyre katër skuadrave drejt kualifikimit për në evenimentin, që do të mbahet gjatë kësaj vere në Ukrainë dhe Poloni. Me tre ish kampionë të botës dhe Danimarka, dikur kampion i Evropës, Grupi B do të jetë pa dyshim më interesanti në evenimentin që fillon muajin tjetër.
Finalisti i Botërorit të fundit, Holanda, pritet të luftojë për t’u kualifikuar në fazën eliminuese së bashku me Gjermaninë. Por, nuk duhet harruar as Portugalinë e Cristiano Ronaldos dhe autsajderin Danimarka.
Holanda
Holanda ka qenë e suksesshme në kualifikime për Evropian që nga viti 1984. Ata nuk hasën në ndonjë problem ndaj rivalëve Suedia, Hungaria, Finlanda, Moldavia e San Marino.
‘Tulipanët’ e filluan kampanjën me fitore në udhëtim ndaj San Marinos, ndërsa arritën pikë maksimale ndaj Finlandës. Moldavia ishte viktima e radhës, ndërsa e pafuqishme u tregua edhe Suedia. ‘Stuhisë portokalli’ nuk i mbijetoi dot as Hungaria.
Holanda e mbylli Grupin E në pozitën e parë me 27 pikë nga 10 ndeshje, me tri pikë përpara Suedisë, e cila u kualifikua po ashtu, pasi që ishte ekipi më i mirë që përfundoi në pozitën e dytë.
Danimarka
Danezët kishin një grup të vështirë në kualifikimet për Euro 2012, pasi kishin punë me Portugalinë dhe rivalin e afërt Norvegjinë, ndërsa Islanda e Qiproja ishin autsajderë të grupit. Kampioni evropian i vitit 1992 e nisi kampanjën me një fitore në duel me Islandën, ndërsa më pas u mposhtën nga portugezët.
Pastaj ata shënuan fitore rutinore në duel me Qipron për të barazuar më pas me Norvegjinë. Ishin të aftë të fitonin sërish ndaj Islandës, duke grumbulluar 10 pikë nga 5 ndeshje.
Danimarka u rikthye në luftë për kualifikim pas fitores në shtëpi ndaj Norvegjisë. Pastaj Qiproja ishte e paaftë të bënte diçka ndaj danezëve. Kurse, ndeshja ndaj Portugalisë, e zhvilluar më 11 tetor të vitit të kaluar, ishte vendimtare.
Danezët i gëzuan tifozët e tyre duke e mposhtur Ronaldon me shokë. Danimarka e mbylli fazën kualifikuese në pozitën e parë në grupin e saj me 19 pikë nga 8 ndeshje, tri pikë më shumë se Portugalia e Norvegjia.
Gjermania
Pasi përfundoi e treta në Botërorin 2010, Gjermania konsiderohej si njëra prej favoriteve për Evropian. Turqia, Belgjika, Austria, Azerbajxhani e Kazakistani merituan respekt, por kishte pak dyshim nëse skuadra e Joachim Low do të kualifikohej.
Përballja e tyre e parë ishte ajo ndaj Belgjikës në Bruksel dhe goli i Miroslav Kloses ishte vendimtar në fitoren e tyre. Pastaj, ata i mposhtën pa problem Azerbajxhanin e Turqinë, derisa as Kazakistani nuk rezistoi dot.
Austria ishte një test i lehtë për gjermanët, njëjtë si Azerbajxhani, në ndeshjen e kthimit. Ozil me shokë më pas e dërrmuan Austrinë (6:2) në Veltins Arena. Në duelin e fundit, gjermanët ia dolën ta mundin Turqinë për ta mbyllur Grupin A me maksimum pikësh – 30 nga 10 ndeshje, duke i lënë turqit plot 13 pikë prapa.
Portugalia
Pas zhgënjimit në Botërorin 2010, portugezët ishin të vendosur ta tregonin veten në kualifikimet për Euro 2012. Ata kishin në grup ekipet si Danimarka, Norvegjia, Qiproja e Islanda me ‘Seleccao’ që shihej si favorit i këtij grupi. Portugalia nuk e nisi mirë, duke barazuar me Qipron. Gjërat u bënë edhe më të vështira kur Norvegjia i mposhti ata.
Më pas, Cristiano Ronaldo me shokë e mundën Danimarkën dhe pas katër ditësh e bënë të njëjtën gjë edhe ndaj Islandës. Seria e tyre e mirë vazhdoi edhe ndaj Norvegjisë dhe Islandës. Në ndeshjen vendimtare, atë ndaj Danimarkës, portugezët u dorëzuan duke rrezikuar kualifikimin.
Portugalia përfundoi e dyta në Grupin H, që do të thotë se do të luante me Bosnje e Hercegovinën në barazh. Portugezët u shfaqën më të mirë se boshnjakët, duke fituar në të dyja përballjet për ta prerë biletën për Ukrainë e Poloni.