Rama dëshiron të largohet nga Orebro

Lajmin e ka konfirmuar menaxheri i futbollistit, Oliver Cabrera, për mediat suedeze. “E kam informuar klubin se duhet ta shesë lojtarin sa më shpejt që është e mundur”, deklaroi ai. Orebro e kishte angazhuar lojtarin vitin e kaluar nga Hannoveri. 24 vjeçari u tregua i suksesshëm duke u bërë golashënuesi më i mirë i ekipit në sezonin e tij të parë.
Por, këtë sezon gjërat ndryshuan dhe në fillim të këtij edicioni ai mbeti jashtë skuadrës së parë.
“Mjaft më. E kam informuar Orebron për pakënaqësitë që ka shfaqur lojtari dhe duhet të gjendet një zgjidhje sa më shpejt. Imagjinojeni se sa e vështirë është për lojtarin ta shikojë ndeshjen nga bankina. Valdeti nuk mund ta pranojë që të trajtohet në atë mënyrë, kështu që duhet ta marrim së bashku një vendim. Thjesht nuk mund të trajtohet në këtë mënyrë njëri prej lojtarëve më të mirë në Allsvenskan”, vazhdoi Cabrera.