E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga e prishur, pengesë për transportin e kromit

Dibër

Rruga nacionale Peshkopi-Milot, në shumë segmente të saj rezulton të jetë e dëmtuar, duke u kthyer kështu në problematike për drejtuesit e automjeteve. Aktualisht mjaft segmente të kësaj rruge si, në afërsi të Urës së çerenecit, fshatin Peladhi dhe Klos-Katund, Baz, Shkopet etj., janë të dëmtuar nga rrëshqitja e trasesë së rrugës në një pjesë të mirë të gjerësisë së saj, duke i bërë këto segmente njëkalimëshme. Ndër më problematiku nga këto segmente padyshim që mbetet ai në fshatin Klos-Katund, ku për më shumë se gjashtë muaj rruga ka rrëshqitur në një pjesë të mirë të saj, ku mjetet duhet të mbajnë radhë për lëvizje në dy krahët e saj. Deri më tani, Drejtoria Rajonale e Rrugëve në Dibër nuk ka bërë asnjë ndërhyrje për riparimin e këtij segmenti rrugor, përveçse është mjaftuar me hedhjen e një makine me zhavorr, që nuk ka sjellë asnjë përmirësim të saj. Më problematike, lëvizja në këtë pjesë rruge mbetet për drejtuesit e makinave me tonazh të lartë që transportojnë mineral kromi nga Bulqiza drejt Durrësit, ku siç pohojnë vetë ata, në shumë raste thonë se mbeten të bllokuar. Ndërkohë ankohen edhe banorët që jetojnë në afërsi të rrugës, pasi edhe ata nuk mund të lëvizin lirisht në rastet kur rruga është e bllokuar. Sipas drejtorit rajonal të rrugëve të Qarkut të Dibrës, Durim Balla, ende nuk është hartuar projekti për riparimin e këtij segmenti, ndërkohë që dimri po afron.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›