Tatim-Taksat, në aksion kundër punës së zezë
Puna në të zezë, që aplikojnë pothuaj të gjitha aktivitetet private, pranohet si fenomen edhe nga autoritetet më të larta tatimore të Fierit. Madje, drejtues të degës tatimore duke thënë se fenomeni ka arritur kulmin, kanë nisur aksionin për ndëshkimin e rasteve të evidentuara.
Drejtori i degës rajonale të Tatim-Taksave, Albert Malaj, pranon se shumë kompani nuk e deklarojnë numrin e saktë të punëtorëve dhe për këtë arsye, Drejtoria e Tatim-Taksave ka ndërmarrë një aksion kontrollesh.
Drejtori i degës rajonale të Tatim-Taksave në Fier thotë se dhjetëra biznese nuk e kanë deklaruar numrin real të punonjësve, ndërsa pas thirrjeve dhe kërkesave të vazhdueshme do të vijë duke u rritur numri i punëtorëve të deklaruar. Në rast të kundërt, sipas drejtorit Malaj, do të nisë gjobitja dhe ndëshkimi.
“Ka shumë punonjës të padeklaruar. Janë subjektet private ato që i janë shmangur deklarimit të punonjësve që kanë. Në qoftë se në gjashtëmujorin e parë ne ishim të suksesshëm në formalizimin e subjekteve, konkretisht në evidentimin dhe regjistrimin e tyre ku kemi regjistruar një numër të konsiderueshëm, për periudhën e dytë të vitit, në qendër të vëmendjes do të jetë pikërisht informaliteti i punonjësve”, tha Albert Malaj.
Ai pranon se nga bizneset është bërë një qëndresë e madhe për të mos deklaruar numrin e punëtorëve. “Puna jonë për periudhën në vazhdim do të jetë sidomos tek deklarimi i punonjësve dhe për këtë do të përdoren masa të ashpra ndëshkimore”, tha më tej drejtori Malaj.
Ndërkohë, kreu i tatimeve për Qarkun e Fierit deklaroi se e njëjta procedurë do të ndiqet edhe për bizneset që nuk janë pajisur me kasa regjistrimi. Për këtë proces ka përfunduar faza paralajmëruese dhe afatet ligjore për pajisjen me kasa, ndërkohë që prej dy javësh kanë nisur edhe kontrollet e evidentimit për plotësimin e këtij detyrimi ligjor.
#