E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pogradec, bashkia humb UNESCO-n, qeveria mbron liqenin

04/05/2011  Organizmi ndërkombëtar: Kaos në ndërtime, nuk përfiton trashëgiminë ujore e historike

Qeveria marrëveshje me gjermanët për mjedisin e liqenit e ujërat

Dy realitete të ndryshme pasqyrohen ditët e sotme në qytetin juglindor të Pogradecit, ku nga njëra anë qëndrojnë përpjekjet e qeverisë për t’i dhënë zhvillim këtij qyteti dhe nga ana tjetër indiferenca e bashkisë ka shkaktuar humbjen e vendit të mbrojtur nga UNESCO. Fushata e ashpër elektorale, ashtu si në çdo qytet apo komunë të vendit, ka shoqëruar edhe Pogradecin, ku kandidati i “Aleancës për qytetarin”, Luan Topçiu ka denoncuar ato që ai i cilëson skandale të kryetarit aktual dhe kandidatit të “Aleancës për të ardhmen” Artan Shkëmbi. Por sot për sot qyteti i Lasgushit ndodhet përballë këtyre dy realiteteve dhe u mbetet qytetarëve të tij që të vendosin më 8 maj.

Humbja e UNESCO-s për shkak të bashkisë

Nga burime konfidenciale pranë grupit që ka negociuar me përfaqësues të UNESCO-s, gjatë tratativave të qeverisë për të cituar statusin e qytetit të mbrojtur, mësohet se Pogradeci e humbi shansin e parë për t’u bërë pjesë e mbrojtjes nga ky organizëm ndërkombëtar. Një nga arsyet kyçe që Pogradeci nuk do të fitojë as statusin e trashëgimisë kulturore dhe as atë historike është fakti i kaosit të ndërtimeve në këtë qytet. Që të përfitonte statusin e qytetit në listë të vendeve që mbrohen për shkak të vlerave ujore dhe historike, Bashkia e Pogradecit duhet të ishte përkujdesur gjatë këtyre 8 viteve për mirëmbajtjen e breg-liqenit dhe ndërtimet pak metra larg tij.

Investimet e qeverisë në mbrojtjen e liqenit dhe sektorin ujor

Përveç shëtitoret më të gjatë të Ballkanit, 22 kilometrëshin Lin-Pogradec, në zhvillim e sipër, qeveria ka nënshkruar së fundmi një sërë marrëveshjesh për zhvillimin e qytetit. Vetëm pak ditë më parë ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, dhe ambasadorja gjermane Karola Myller-Holtkemper nënshkruan marrëveshjet: “Programi për mbrojtjen mjedisore të liqenit të Ohrit, Faza e III”, me vlerë 10 milionë euro dhe “Masterpalni në sektorin ujor”, me vlerë prej 2 milionë eurosh. Faza e tretë e projektit “Për mbrojtjen mjedisore të liqenit të Ohrit” zgjidh përfundimisht çështjen e kanalizimeve të qytetit të Pogradecit dhe të fshatrave përreth liqenit, duke ndikuar jo vetëm në cilësinë e jetesës së banorëve të qytetit të Pogradecit dhe fshatrave, por dhe të mbrojtjes së ujërave të liqenit të Ohrit. Gjatë fjalës së saj ambasadorja gjermane Karola Myller-Holtkemper falënderoi ministrin Olldashi për bashkëpunimin, ndër të tjera shtoi se “Ne bashkëpunojmë prej shumë vitesh me Shqipërinë dhe jemi donatorë të disa projekteve ndërkufitare”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›