Ndërtuesit: Qeveria na ka 70 milionë euro papaguar
NERTILA MAHO
Borxhi i qeverisë karshi ndërtuesve shqiptarë ka arritur në 70 milionë euro. Këtë shifër e ka deklaruar dje Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë, e cila bëri thirrje për zgjidhjen e krizës me të cilën po përballet ky biznes. Drejtori i shoqatës Maksim Muçi bëri të ditur se një sërë institucionesh kanë një detyrim kontraktual të papaguar për këto shoqëri, shifër që arrin në dhjetëra-milionë euro. Bëhet fjalë për punë publike, të kontraktuara nga qeveria me kompanitë private, gjatë fillimit të këtij viti, që ishte edhe vit zgjedhor. Por duket se qeveria, sipas ndërtuesve, nuk i ka planifikuar mirë shpenzimet, pasi deri tani, ndërtuesit i kanë zbatuar projektet, por nuk kanë marrë paratë për punën e kryer. “Për situatën e krijuar, risjellim në vëmendje të këtyre institucioneve faktin, se këto shoqëri po shkojnë drejt falimentimit financiar”, tha ai. Sipas tij, janë një sërë arsyesh se pse shoqëritë e ndërtimeve të infrastrukturës ndodhen në gjendje kritike. “Kreditë e marra me interes të lartë për blerje të materialeve, pajisje e makineri për të përballuar volumin dhe ritmin e lartë të kërkuar për realizimin e objekteve të tenderuar, detyrimet tatimore, barra e detyrimit ndaj furnitorëve si rezultat i vonesave në pagesa janë disa nga shkaqet që po çojnë shoqëritë drejt falimentimit”, tha Muçi. Ai theksoi se në situatën e krijuar jo vetëm nuk mund të shfrytëzohen kapacitetet potenciale të shoqërive në makineri, pajisje e fuqi njerëzore, por janë të detyruara që të bëjnë dhe shkurtime masive nga puna. Duke e vlerësuar situatën si “të acaruar”, Muçi tha se, në këto kushte përkeqësohet klima e marrëdhënieve privat-shtet. “Shoqëritë bëjnë shpenzime dhe duke mos u paguar për punën e kryer, janë në vështirësi për pagesën e detyrimeve tatimore, organet e të cilave rrisin presionin për detyrimet ligjore”, tha ai. Nga ana tjetër, Shoqata e Ndërtuesve i bëri thirrje qeverisë, që të ndërhyjë me masa urgjente për zgjidhjen e problemit dhe të rrisë frymën e bashkëpunimit për kalimin e kësaj situate krize. “Pagesat e bëra ditët e fundit në masën rreth 20 % të detyrimeve, nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve nuk përmirëson gjendjen kundrejt vlerës dhe situatës financiare të këtyre shoqërive”, tha Muçi.