Rruga hyrëse në Fier i nënshtrohet rikonstruksionit
>Hyrja e qytetit të Fierit do të ndryshojë tërësisht pamjen e vet. Prej disa ditësh ka filluar puna për zgjerimin e rrugës nga Ura e Mbrostarit deri në hyrje të qytetit të Fierit. Ky investim do të lehtësojë qarkullimin e automjeteve të tonazheve të ndryshme që lëvizin nga pjesa veriore dhe qendrore për në pjesën jugore të vendit.
Investitor është Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, ndërsa fondi i akorduar është 283 milionë lekë të reja. Në projekt parashikohet sistemimi dhe asfaltimi i rrugës hyrëse të qytetit të Fierit dhe zgjerimi i Urës së Mbrostarit. Punimet kanë filluar të kryhen nga 2 firma private dhe kohëzgjatja e tyre në bazë të kontratës është 7 muaj. Ata kanë filluar në 20 dhjetor të vitit 2008 dhe duhet të përfundojnë në 20 korrik të këtij viti. Për zgjerimin e rrugës dhe rikonstruksionin e plotë në bazë të të gjitha parametrave që kërkohen janë prishur objektet e ndërtuara në të dyja anët e saj. Banorët e dëmtuar nga zgjerimi i rrugës dhe që disponojnë dokumentacionin e nevojshëm do të dëmshpërblehen ndërkohë që një pjesë tjetër e rrugës vazhdon të ketë probleme me dëmshpërblimet. Vetë banorët janë shprehur se pas prishjeve të bëra një pjesë e mirë e banesave të ndërtuara aty pranë kanë mbetur pa kanalizimet e ujërave të zeza, gjë që ka krijuar edhe shqetësime të vazhdueshme. Sipas banorëve, projekti i kësaj rruge nuk parashikon kanalizimet e ndërsa nga bashkia duket se nuk do ti jepet asnjë dritë jeshile këtij projekti. Në vijim të këtij investimi, një tjetër investim për rikonstruksionin e Urës së madhe mbi shtratin e lumit Seman do të fillojë brenda një afati kohor prej 2 muajsh.