E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patrioti Ismail Qemali përkujtohet në 90 vjetorin e vdekjes

>Për herë të parë, në 165-vjetorin e lindjes dhe 90-vjetorin e vdekjes së patriotit Ismail Qemali, në Muzeun e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare në qytetin e Vlorës janë ekspozuar për publikun materiale mbi gjenealogjinë e familjes Vlora. Në materialet e vendosura pasqyrohet një periudhë e gjerë e jetës së themeluesit të shtetit shqiptar dhe e aktivitetit të tij, në shërbim të çështjes kombëtare. Ajo nis me emrin e Sinan Pashës, vezir i madh i Perandorisë Osmane, në vitin 1484, i martuar me vajzën e Sulltan Bajazitit II, një foto e bashkëshortes së Ismail Qemalit, Kleoniki Surneli, vëllezërve të tij, Qamil, Qazim, Ethem, Mahmut, Ahmet, Tahir etj. Historiku i familjes Vlora vazhdon me mbërritjen e pinjollëve në qytetin e Vlorës në vitin 1800, kur ndërtuan sarajet, në të cilat u zhvillua Kuvendi i Shpalljes së Pavarësisë dhe u ngrit flamuri i Skënderbeut, në 28 Nëntor, 1912. Në fotoekspozitë paraqitet një pjesë e letërkëmbimit të Ismail Qemalit, Kryeministër i Qeverisë së Pavarësisë me anëtarë të saj, mes të cilave dhe një letër, dërguar ministrit të Arsimit, Luigj Gurakuqit, përmes së cilës, i kërkon emërimin si specialist të arsimit, të atdhetarit Sotir Peci, një njoftim për pjesëtarët e administratës së kohës, që duhet të përsosin mësimin e gjuhës shqipe, etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›