Plumba gjyqtarit, zbulohet atentatori
Gjyqtari i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni është qëlluar katër herë me pistoletë pak minuta para mesnatës të së dielës në Tiranë. Juristi i njohur është goditur vetëm nga dy plumba, që kanë arritur ta kapin në krah dhe në kofshë pa pësuar dëmtime në organet jetike. Sipas mekanizmit të krimit, mësohet se fillimisht gjyqtari është qëlluar në sup e më pas në këmbë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës, kur Ardian Nuni ka qenë duke darkuar me një koleg të tij gjyqtar. Rreth orës 23:00 anëtari i Gjykatës së Lartë është ngritur nga lokali për të shkuar në banesën e tij. Sapo ka parkuar makinën e tij fuoristradë tip “Mercedez ML”, me targë TR 0200 Z, në anë të trotuarit pranë pallatit të tij në rrugën “Komuna e Parisit”, 40-vjeçari është përballur me personin që qëlloi me pistoletë katër herë. Policia beson se agresori ka qenë një i vetëm. Atentatori është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa gjyqtari ka tentuar të afrohet në banesën e tij, ku është zbuluar nga të afërmit. Policia është lajmëruar disa minuta pasi kishte ndodhur atentati, ndërsa ky interval kohor i ka dhënë mundësi autorit të largohet rrugicave të errëta mes pallateve. Ardian Nuni është dërguar i plagosur në Spitalin Ushtarak nga familjarët e tij, të cilët kanë lajmëruar fillimisht ambulancën e më pas policinë. Më pas të afërmit janë marrë në pyetje nëse gjyqtari ka shprehur kohët e fundit ndonjë shqetësim apo nëse ka pasur ndonjë mosmarrëveshje në punën e tij në Gjykatën e Lartë apo në Fakultetin Juridik.
Atentati gjyqtarit
Zyrtarët e Policisë dhe Prokurorisë konfirmuan dje në mbrëmje se kanë identifikuar një person, i cili dyshohet se potencialisht ka marrë pjesë në ngjarje. Një lidhje e këtij personi është mbajtur në polici për më se dy orë dje duke u marrë në pyetje për agresorin dhe shkaqet që e kanë çuar atë në sulmin ndaj gjyqtarit. Ndaj personit në fjalë mësohet se po kërkohen prova për argumentimin e ndalimit, ndërsa ai besohet se e ka qëlluar për shkaqe personale gjyqtarin. Anëtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Ai qëndroi fillimisht në reanimacion, por më pas gjendja e tij shëndetësore u përmirësua. Gjyqtarit i është hequr një plumb nga shpatulla, ndërsa plumbi tjetër që e ka goditur në këmbë, nuk ka depërtuar në brendësi. Mjekët thanë se gjyqtari ishte plagosur në krahun e tij të majtë. Pas ndihmës së shpejtë gjyqtari është shtruar në pavijonin e VIP-ave të Spitalit Ushtarak, në dhomën nr.1, në katin e dytë. Aty ka pritur vizita gjatë gjithë ditës nga personalitetet më të lartë të vendit. Duke filluar që në mesnatë nga Kryeministri Berisha, më pas nga Presidenti Bamir Topi, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, kryeprokurorja Ina Rama, si dhe deputetë të dy krahëve politikë.
Ngjarja sipas policisë
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit tha dje se në vendin e ngjarjes u sekuestruan katër gëzhoja arme tip 7.62 mm. Gëzhojat janë dërguar në laboratorin qendror kriminalistik për ekzaminime të mëtejshme. Nga të dhënat e policisë mësohet se autori i atentatit ka tentuar të komunikonte me gjyqtarin, siç duket në përpjekje për të konfirmuar identitetin e personit që po qëllonte me armë. Megjithatë në dëshminë e dhënë dje për hetuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Antiterrorit, gjyqtari 40-vjeçar Ardian Nuni ka mohuar të kishte debatuar me agresorin. Burime konfidenciale të policisë sqaruan se komunikimi mes agresorit dhe gjyqtarit ka qenë jo në formën e një sherri që ka sjellë më pas plagosjen, por një komunikim që agresori duket se e ka përdorur për t’u siguruar se personi që po qëllonte me armë nga pas shpine, ishte pikërisht ai për të cilin kishte zënë pritë. e.d/t.s
kush eshte Adrian Nuni
Ka lindur në Korçë më 1 janar 1969.
Është diplomuar për Drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitin 1991.
Në vitin 1997 mori gradën shkencore “Doktor i Shkencave Juridike”
Në vitin 2004 titullin “Profesor i Asociuar”
Emërohet gjyqtar në Gjykatën e Korçës në vitin 1991
Në vitet 1992-1993 ka punuar gjyqtar dhe zëvendëskryetar i Gjykatës së Rrethit Tiranë
Nga viti 1993 deri në vitin 2007, pedagog i brendshëm në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, ku ka ushtruar funksionin e zëvendësdekanit të fakultetit (1993-1996 dhe 2003-2007) dhe funksionin e përgjegjësit të Departamentit të së Drejtës Civile (2002-2007).
Ai ka kryer disa kualifikime pasuniversitare jashtë shtetit në fushën e së drejtës, ka qenë anëtar i senatit të Universitetit të Tiranës
Është autor dhe bashkautor i disa librave dhe monografive në fushën e të drejtës civile dhe ka dhënë mësim në programe universitare dhe pasuniversitare.
Me dekret nr. 5252, datë 04.04.2007 të Presidentit të Republikës është emëruar gjyqtar i Gjykatës së Lartë.
Dëshmia e gjyqtarit për atentatin
Etleva Delia
Anëtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, ka rrëfyer atentatin ndaj tij para mesnatës së hënë, ndërsa lëngonte ende nga plagët e armës së zjarrit. Pak orë pasi 40-vjeçari është nxjerrë nga reparti i reanimacionit, një prokuror i Krimeve të Rënda mbërriti aty dhe mori në pyetje të plagosurin. Për shkaqe të hetimit, por edhe për rëndësinë e ngjarjes, gjyqtari është rimarrë në pyetje përsëri gjatë pasdites nga një prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme. Gazeta “Panorama” arriti të mësojë detaje nga dëshmia e gjyqtarit dhënë në dhomën nr.1 të katit të dytë në Spitalin Ushtarak. Gjyqtari 40-vjeçar që sapo ishte stabilizuar nga gjendja shëndetësore, u tha hetuesve dhe prokurorëve se në momentin kur është qëlluar me armë, ka arritur të dallojë vetëm një person, të cilin e ka parë vetëm pak çaste para se ta qëllonte. Gjyqtari ka pohuar se autori i ngjarjes e kishte fshehur armen nën një letër derisa është afruar pranë tij. “Po kthehesha në shtëpi, pasi kisha qenë në një lokal me disa miq të mi. Zbrita nga makina dhe do të ngjisja shkallët tek hyrja e pallatit kur kam dëgjuar hapat e dikujt që vinte pas meje, fare pranë. Vazhdova të ecja dhe ndjeva se hapat po afroheshin edhe më shumë, ndërsa ky person nuk po më fliste. Në këtë kohë jam kthyer dhe kam parë një djalë të ri, rreth 1 e 75 centimetër i gjatë, me një trup mesatar, jo shumë i shëndoshë dhe me një kapele dimërore që i kishte mbuluar veshët dhe ballin. Nuk e dallova mirë në fytyrë, megjithatë duhet të ishte jo më shumë se një metër larg meje. Ndjeva goditjen në sup, u rrëzova e më pas u ngrita dhe u drejtova nga hyrja e pallatit ku më qëlloi prapë. Kam vënë re që personi është larguar me shpejtësi në drejtim të kundërt nga ku do kaloja unë. Arrita të futem në hyrjen e pallatit pa kërkuar ndihmë dhe kam hipur në ashensor për të shkuar në shtëpi. Jam ngjitur në katin e shtatë dhe në shtëpi kam pasur gruan dhe djalin. Ata kanë lajmëruar një ambulancë me të cilën më kanë sjellë këtu në Spitalin Ushtarak. Nuk kam konflikte me asnjeri”. Kjo ka qenë një pjesë e rrëfimit të juristit 40-vjeçar, anëtar i Gjykatës së Lartë dhënë në Spitalin Ushtarak për grupin hetimor të Antiterrorit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
HETIMI
Grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e ngjarjes, ku është plagosur anëtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, po heton në disa versione duke ngritur pistat e para për shkakun e ngjarjes. Me hetimin e ngjarjes është angazhuar Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe ekspertë të Antiterrorit. Burime nga policia konfirmuan se dyshimet e para janë hedhur mbi persona, të cilët mund të kenë humbur çështje civile në Gjykatën e Lartë, të cilat i ka gjykuar Ardian Nuni. Për këtë arsye policia ka nisur verifikimet e të gjitha çështjeve gjyqësore që ka shqyrtuar kohët e fundit Nuni, kryesisht konfliktet e pronësisë, që kanë kaluar në Kolegjin Civil të Gjykatës së Lartë. Një pistë tjetër e hetimit lidhet edhe me punën e tij si pedagog i jashtëm në Fakultetin e Drejtësisë, me ndonjë pakënaqësi të studentëve për shkak të sezonit të provimeve. Burimet nga hetimi thanë se nuk është lënë mënjanë edhe mundësia e një plagosjeje për motive të dobëta.