E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Pezulloni ligjin e Dosjeve

 

ADI SHKEMBI

Trojka e BE-së i kërkon qeverisë shqiptare të mos nisë zbatimin e ligjit për Lustracionin deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Ambasadorja e Çekisë, i Suedisë dhe ai i delegacionit të BE-së kanë takuar dje në një takim, jashtë vëmendjes së mediave, Kryeministrin Berisha, ku ligji i Dosjeve ka në qendër të bisedimeve. Burime nga Kryeministria bëjnë të ditur për gazetën se ka qenë ora 10:00 e paradites, kur tre përfaqësuesit e lartë të trojkës evropiane janë ndalur në zyrën e kryeministrit, rreth 60 minuta përpara se kreu i qeverisë të takohej me Ministren e Jashtme greke, Dora Bakojanis. Burimet bëjnë të ditur se Trojka është shprehur sërish e shqetësuar lidhur me ligjin e Dosjeve dhe i ka kërkuar qeverisë të mos e nisë zbatimin e tij, deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit prej disa ditësh ka të depozituara tre ankesa nga PS-ja, shoqata e Prokurorëve dhe Komiteti i Helsinkit të cilët kërkojnë pikërisht shfuqizimin e ligjit. Por zyrtarë të pranishëm në takimin e djeshëm bëjnë të ditur se Kryeministri Berisha nuk është tërhequr për asnjë moment nga qëndrimi i tij fillestar për ligjin e Dosjeve. Kreu i qeverisë është shprehur para Trojkës se zbatimin e ligjit e ka premtim ndaj shqiptarëve, ndërkohë që u shpreh i hapur për monitorimin e ligjit nga ekspertiza ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë Berisha garantoi se ligji nuk do të përdoret për gjueti shtrigash dhe personat e prekur prej tij mund ta çojnë vendimin në të gjitha shkallët e gjyqësorit në vend. Sipas një njoftimi për shtyp të zyrës së Këshillit të Ministrave “para takimit me ministren greke, Kryeministri Berisha pati një takim me Trojkën e BE-së, të kryesuar nga Ambasadorja e Republikës Çeke në Shqipëri, si përfaqësuese e Presidencës së radhës së BE-së, për të diskutuar çështje që kanë të bëjnë me ligjin për Lustracionin. Në këtë takim, palët ranë dakord që ekspertë çekë, të cilët kanë përvojë të rëndësishme me këtë ligj, të vijnë të ndihmojnë qeverinë shqiptare për zbatimin e tij”. Ndërkohë Parlamenti miratoi dje kalendarin tre javor të punimeve, ku përcaktohet se në seancën e të hënës së ardhshme, më 16 shkurt, do të bëhet votimi i emrave të Autoritetit të Kontrollit të Figurave. Nënkryetari i grupit të PS-së, Erion Braçe kërkoi shtyrjen e ngritjes së Autoritetit, të paktën deri sa të shprehet Gjykata Kushtetuese.

Dosjet, raporterët e KE: Të pyetet edhe Komisioni i Venecias
Ligji i Dosjeve, zgjedhjet e 28 qershorit dhe rasti “Biberaj” sjellin në Shqipëri dy raporterë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Jaakko Laakso dhe David Wilshire kanë zhvilluar dje takime me përfaqësuesit e Trojkës së BE-së, Kryetarin e PS-së, Edi Rama dhe kryetarin e Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. Në të gjitha takimet zbatimi i ligjit të Lustracionit ka qenë temë kryesore, ku përfaqësuesit e KE-së kanë marrë mendimin e përfaqësuesve politikë vendas dhe të huaj. Në takim, kreu i PS-së Rama e ka konsideruar ligjin e Dosjeve si një përpjekje të Kryeministrit Berisha për të përdorur krimet e së kaluar, në mënyrë që të mbulojë mëkatet e qeverisë së sotme. “Rama e konsideroi miratimin e këtij ligji nga ana e qeverisë, në kundërshtim me Kushtetutën dhe parimet e Këshillit të Evropës, si një përpjekje të dëshpëruar të qeverisë Berisha për të bllokuar institucionet e drejtësisë, përkatësisht Prokurorinë dhe Gjykatat në aktivitetin e tyre, për zbardhjen e disa dosjeve korruptive, ku janë të implikuar ministra dhe familjarë të Kryeministrit Berisha”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të PS-së. Gjithashtu Rama ngriti shqetësim përgatitjen e zgjedhjeve, ndërsa shkarkimin e Biberajt e cilësoi si arrogancë të Kryetares së Kuvendit. Burime nga ky takim bëjnë të ditur se përfaqësuesit e KE-së kanë pyetur kreun e PS-së lidhur me mundësinë e konsulencës së këtij ligji me Komisionin e Venecias. Rama ka theksuar se ka qenë pro këtij varianti përpara se ligji të miratohet, por që kjo sipas tij nuk është pranuar nga PD-ja. Gjithashtu raporterët janë takuar dje edhe me kreun e grupit të PD-së, Astrit Patozi. Burimet bëjnë të ditur se maxhoranca ka garantuar zbatimin e ligjit të Dosjeve. 

Bakojanis: Reforma në gjyqësor e prona

ADI SHKEMBI

OSBE vlerëson konsensusin politik në vend, por bën thirrje për vazhdimin e reformës së pronësisë, zgjedhjeve dhe luftën kundër korrupsionit. Në cilësinë e kryetares së radhës së këtij organizmi, Ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis zhvilloi dje një vizitë disa orëshe në Tiranë, ku u takua me krerët kryesorë të shtetit dhe liderin e opozitës Edi Rama.  Sipas një njoftimi për shtyp të zyrës së OSBE-së, në vendin tonë Bakojanis tha se “klima pozitive e konsensusit politik për reformat më kryesore në Shqipëri e ka forcuar stabilitetin politik. Është e domosdoshme që kjo tendencë të ruhet dhe të vazhdohet me zbatimin e reformave kyçe nëpërmjet krijimit të konsensusit. Për të vazhduar në rrugën drejt integrimit Euroatlantik, Shqipëria duhet të përparojë me reformat e saj në legjislacion dhe në gjyqësor, si dhe në fushën e pronave, zgjedhjeve dhe administratës si dhe duhet të punojë për rritjen e kapaciteteve parlamentare, anti-trafikimin dhe anti-korrupsionin”. Fillimisht Ministrja e Jashtme greke u prit nga homologu i saj, Lulzim Basha. Gjatë këtij takimi Basha njohu homologen e tij me kërkesën e Shqipërisë për të marrë Kryesinë e Radhës të OSBE-së në vitin 2012, dhe theksoi se kandidatura e Tiranës ka kredenciale të forta, që mbështeten në përkushtimin e palëkundur ndaj vlerave të OSBE-së dhe në zbatimin e vazhdueshëm të detyrimeve dhe normave të Organizatës. Ndërsa Ministrja Greke në fjalën e saj para mediave, lidhur me këtë çështje, theksoi se “do të flas shkurt mbi mundësinë e marrjes së kryesisë së organizatës nga Shqipëria në vitin 2012. Unë besoj se kjo është e mundur nëse Shqipëria bën progres të shpejtë në rrugën e reformave dhe sigurisht ne diskutuam edhe për zgjedhjet parlamentare dhe ne do bëjmë çka është e mundur për të dërguar vëzhgues sa më parë, sapo qeveria shqiptare të paraqesë kërkesën”. Në takimin me Kryeministrin Berisha, një çështje e diskutuar ka qenë ajo e ligjit të Lustracionit. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha e garantoi ministren Bakojanis se ligji i Lustracionit do të zbatohet në përputhje të plotë me parimet e shtetit ligjor dhe standardet e Strasburgut dhe se qeveria shqiptare do ta vlerësonte maksimalisht, në rast se ekspertë çekë të ligjit të Lustracionit do të mund të vinin në Shqipëri për të ndihmuar për zbatimin e tij. “Ministrja Bakojanis theksoi se lustracioni, si një çështje e rëndësishme që ka të bëjë me moralin e shoqërisë, gjen mirëkuptim nga të gjithë dhe se ajo është dakord të kërkohet ndihma e një grupi ekspertësh”, vijon njoftimi për shtyp. Ministrja e Jashtme e Greqisë u takua gjatë ditës së djeshme edhe me Presidentin Topi dhe Kryeparlamentaren Topalli. Kreu i shtetit vlerësoi rolin e Greqisë në afrimin e Shqipërisë me BE-në, ku përmendi ratifikimin e MSA-së, ndërsa Kryeparlamentarja Topalli theksoi se është me shumë interes prezenca e vëzhguesve të OSBE në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vend. Gjatë qëndrimit në Tiranë, Bakojanis tha se mandati i OSBE-së në vendin tonë nuk do të ndryshohet, ndërsa për pronat e shqiptarëve në Greqi theksoi se të gjithë shtetasit që kanë probleme të kësaj natyre, duhet t’i drejtohen gjykatave greke.

vizat
E pyetur nëse do ta mbështesë Greqia liberalizimin e vizave të Shqipërisë dhe marrjen e statusit kandidat, Bakojanis tha se “Është një pyetje shumë e thjeshtë, përgjigjja është po, po për të dy pyetjet, po ne mbështesim procesin e liberalizimit të vizave me Shqipërinë, i cili është një proces shumë i rëndësishëm për rritjen e kontakteve ndërnjerëzore midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për pyetjen e dytë, por ne mbështesim perspektivën evropiane të Shqipërisë”.

nato
Në takimin me Kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli, Ministrja e Jashtme greke bëri të ditur se javën tjetër do të ratifikohet protokolli i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. “Parlamenti grek do të ratifikojë javën e ardhshme këtë protokoll dhe jam e bindur se të gjithë vendet e NATO-s do ta ratifikojnë deri në Samitin e prillit. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe rajonin. Ky vit, theksoi ajo, do të jetë shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe besoj se gjithçka po ecën shumë mirë”, tha Bakojanis.

Sllovenia voton Protokollin e hyrjes së Shqipërisë në NATO

Parlamenti i Sllovenisë ratifikon Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Pas shtyrjes së një jave më parë të votimit për shkak të një problemi kufitar mes Sllovenisë dhe Kroacisë, Kuvendi i Lubjanës ka votuar dje dokumentin për dy vendet. Lajmi është bërë i ditur fillimisht nga Ministria e Jashtme shqiptare e cila përshëndeti votimin në Slloveni. “Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqip¸ris¸, duke falënderuar vendet anëtare të NATO-s që kanë ratifikuar Protokollet e Anëtarësimit të Shqipërisë, përfiton nga rasti t’i sigurojë ato se Shqipëria do të vazhdojë e vendosur në rrugën e pakthyeshme të reformave, në mbështetje të paqes, sigurisë dhe stabilitetit  si pjesë me drejta të plota të kësaj Aleance para Samitit të Strasburg – Kiehlit”, thuhet në njoftimin për shtyp të MPJ-së. Në të njëjtën kohë, dje pasdite, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka njoftuar seancën për votimin në Parlamentin slloven dhe i ka dërguar një letër falënderimi homologut të tij, Pavel Gantar. “Ratifikimi i Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga Asambleja Nacionale e Sllovenisë është domethënëse dhe një tjetër dëshmi e vullnetit të palëkundur të vendit tuaj mik për të mbështetur Shqipërinë në proceset integruese dhe perspektivën e saj euroatlantike. Sllovenia ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e madhe e Shqipërisë në aspiratat e saj për integrim”, thuhet në letrën e Topallit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›