E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrugë e re te Bregu i Lumit

Një investim nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, me vlerë rreth 28000000 lekë, do të bëjë të mundur rikonstruksionin e rrugës te Bregu i Lumit. Ajo bën pjesë në territorin e njësisë bashkiake numër 11. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i pranishëm gjatë fillimit të punimeve, u shpreh: "Këtu jemi në skajin fundor të kësaj periferie të Tiranës, për të mbajtur një premtim ndaj komunitetit, duke e plotësuar me këtë segment ndërhyrjen tonë në infrastrukturë. Nuk e di se çfarë e ka sjellë deri këtu Sali Berishën, për të prerë një shirit para ca kohësh, por praktikisht ne këtu do të bëjmë gjithçka duhet, nga ujësjellësi te kanalizimi, rruga, trotuaret, në mënyrë që këta fëmijë të mund të jenë këmbësorë të pakërcënuar nga makinat, të moshuarit po ashtu, dhe nga ana tjetër makinat të mund të lëvizin lirisht". Qëllimi i kësaj ndërhyrjeje është transformimi cilësor i jetës së përditshme të komunitetit që banon në këtë zonë, duke i dhënë një cilësi të re urbane. Ndërhyrja në këtë aks rrugor del e domosdoshme, duke qenë se shtresat rrugore janë tepër të amortizuara dhe me gropa të thella. Rruga ka një gjatësi prej rreth 600 metrash linearë dhe projektuesit kanë parashikuar zgjerimin e saj në të gjithë gjatësinë, nga 5 në 7 metra. Afati i ndërtimit të rrugës është 3 muaj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›