E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrugë pirate drejt gjirit të Gjipesë

Gjiri i Gjipesë, mes Dhërmiut dhe Jalit, është një zonë e pabanuar, në fund të kanionit të Gjipesë dhe konsiderohet gjerësisht si një plazh idilik. Në dokumentet e Projektit për Menaxhimin e Integruar të Bregdetit, zona e titulluar "Kanioni i Gjipesë" përshkruhet si "një karakteristikë unike gjeografike". Por drejt atij plazhi të largët dhe të pabanuar, së fundmi ka filluar të hapet një rrugë. Sipas vendësve, fadroma të paidentifikuara po zgjerojnë një shteg të lashtë këmbësorësh deri te plazhi.

Gjatë takimeve me komunitetin e zonës, punonjësit e projektit kanë pasur debat nëse drejt këtij gjiri duhet të hapet një rrugë e asfaltuar apo duhet të mjaftohet me riparimin e rrugës së kalldrëmit. "Ndërtimi do të ishte i rrezikshëm, jo vetëm pse prek vlera të rëndësishme natyrore, por edhe pse rreziku i erozionit do të ishte i lartë. Është një shans shumë i mirë për ta kombinuar përvojën edhe me ecje dhe në fund në plazh me kafe e restorante", - thuhet në një nga dokumentet e projektit.

"Përgjatë kataraktit është parashikuar një rrugë dhe komuniteti ka mbledhur fonde për asfaltimin e rrugës së vjetër me kalldrëm, për t‘u financuar edhe nga projekti! Kjo ide që është pranë zbatimit kundërshtohet me forcë nga shumica e pjesëmarrësve - në një kanion të tillë bulevard nuk shkon!", - thuhet më tutje në dokument. Megjithatë, rruga po hapet dhe askush në Vuno nuk e di se kush po i financon punimet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›