E Shtunë, 31 Tetor 2026

SOS i UNESCO-s, 2500 gjuhët që rrezikojnë

Që nga Mesjeta e trazuar dhe deri në
mesin e shekullit të 20-të, livonian
lulëzoi si gjuha mëmë për mijëra
banorë të një krahine në lindje të bregut të
Baltikut. Pushtues të ndryshëm erdhën e
ikën, dhjetëra sundimtarë morën e lanë
pushtetin, por hibridi gjuhësor, me një fonetikë
të çuditshme, i folur nga banorët e zonës
u qëndroi të gjitha kohërave dhe regjimeve.
Më pas erdhi Lufta e Dytë Botërore, pushtimi
nazist e bashkë me të aneksimi nga Bashkimi
Sovjetik. Folësit e gjuhës livoniane u
zhvendosën dhe gjuha e tyre u ndodh përballë
një presioni të madh të sulmit nga ana
e rusishtes. Sot, nga një popullsi prej 2500
vetash në mesin e viteve ‘90 që u rrit me këtë
gjuhë, numri i personave që vazhdojnë
ende ta flasin është më i ulëti i të gjitha kohërave.
Aktualisht, për ta mbajtur gjallë dhe
për ta përcjellë gjuhën dhe kulturën e kësaj
popullate baltike, ka mbetur vetëm një person.
Nuk dihet nëse zhdukja e kësaj gjuhe
do të konsiderohet si pasojë e kalimit të
viteve, apo si pasojë e globalizmit, por një
gjë është e sigurt: ky nuk është një rast i jashtëzakonshëm,
e për më tepër rasti i vetëm.
Këtë javë, UNESCO, me zyrat e saj në Paris,
publikoi bazën e parë të të dhënave në internet
në lidhje me të gjitha gjuhët që rrezikojnë
të zhduken në planet. Sipas specialistëve
të UNESCO-s, në të gjithë botën ekzistojnë
2500 gjuhë, e ardhmja e të cilave është
në pikëpyetje të madhe, përfshi 500 syresh
që konsiderohen si "tepër të rrezikuara"
dhe 199 syresh, që fliten nga jo më shumë
se 10 persona. "Ne, si qenie njerëzore, duhet
të kujdesemi për gjuhët tona në të
njëjtën mënyrë që kujdesemi për speciet në
zhdukje e sipër të florës dhe faunës", deklaroi
Kristofor Meslei, botuesi i Atlasit të Gjuhëve
në Rrezik. Çdo gjuhë përbën në vetvete
një botë unike të strukturimit të mendimit,
me lidhjet dhe veçoritë e saj, metaforat,
mënyrat e të menduarit, fjalorin,
sistemin e tingujve dhe sistemin fonetik e
gramatikën. Të gjitha këto elemente kombinohen
e funksionojnë së bashku si të
ishin pjesë të një ngrehine arkitekturore,
që është njëherazi e mrekullueshme dhe e
brishtë. E brishtë në atë masë sa një goditje
e fortë mund ta shkatërrojë përgjithmonë.
Në këtë drejtim bota moderne luan rolin e
saj. Një gjuhë, dikur e shëndetshme, mund
të vdesë për shumë arsye. Mund të vdesë,
sepse folësit e saj zhvendosen në një tjetër
kontekst gjeografik, duke iu bashkangjitur
popullatave me grupime njerëzish më të
fuqishme. Dikur kjo mund të ndodhte
përmes presioneve politike dhe përdorimit
të forcës ushtarake, ndërsa sot ka më
shumë të ngjarë që zhvendosja të ndodhë
për shkak të flukseve të migrimit nga një
zonë rurale në një qendër qytetase. Ndoshta,
dhe kjo nuk është fort për t‘u çuditur, dy
nga vendet ku një rrezik i tillë është më i
madh janë India dhe Brazili, që po kalojnë
një periudhë ndryshimesh të shpejta dhe
të mëdha ekonomike. Këto tendenca
shpesh çojnë në humbjen e mënyrave
tradicionale të jetesës dhe presioni i madh
për të folur një gjuhë të madhe me më
shumë mundësi punësimi, bën që gjuhët
e vogla të anashkalohen gjithnjë e më
shumë. Faktorë të tjerë në "rënien" e gjuhëve
variojnë nga mungesa e krenarisë për
vetveten që kanë komunitete të caktuara,
vdekjet e befta të folësve të gjuhëve, apo
përhapja në masë e gjuhëve të ashtuquajtura
"vrasëse", të tilla si anglishtja, frëngjishtja,
apo spanjishtja. Megjithatë, pavarësisht
kësaj mjegulle, ka ende shpresë. Rritja gjithnjë
e më e madhe e ndërgjegjësimit për
shpëtimin e biodiversitetit të natyrës ka
nxitur edhe lëvizjen për ruajtjen e gjuhëve.
Gjuhëtarët, për herë të parë kanë saktësisht
numrin e gjuhëve që ekzistojnë në të gjithë
botën dhe janë ndërgjegjësuar në lidhje me
faktorët që ndikojnë në dëmtimin e tyre, si
dhe mënyrat për t‘i kontrolluar ato. Këto vitet
e fundit lëvizjet për ruajtjen dhe rigjallërimin
e gjuhëve janë shtuar. Frymëzuar
nga shembujt e suksesshëm të shekullit të
kaluar, si rilindja e hebraishtes, apo ruajtja
dhe pasurimi i gjuhës së Uellsit, Katalonjës
dhe Bretanjës, fise dhe komunitete të vogla
që kanë gjuhët e tyre unike e që ndodhen
në cepat më të largët të botës po luftojnë për
të drejtat e ruajtjes së gjuhëve, sikurse kanë
bërë prej shekujsh edhe paraardhësit e
tyre. Andoa e Ekuadorit, një gjuhë që flitet
rrjedhshëm nga vetëm 10 veta në botë,
është rigjeneruar së fundi prej tyre përmes
një projekti për botimin e materialeve të
ndryshme në këtë gjuhë. Nuk ka dyshim
se një vend me një politikë mbështetjeje
qeveritare dhe vullneti të mirë nga ana e
njerëzve, mund t‘i mundësojë gjuhës së vet
një jetë të qetë dhe të pasur, pavarësisht
ekzistencës së gjuhëve të tjera të fuqishme,
apo tendencave të globalizmit. Shembull i
kësaj është Papua e Guinesë së Re.
Megjithëse është kombi me diversitetin më
të madh linguistik në planet, vetëm shumë
pak nga gjuhët përbërëse rrezikojnë zhdukjen.
Ajo që është thelbësore në ruajtjen
e gjuhëve është përpjekja njerëzore. Gjuhët
duhet të regjistrohen, duhet të shkruhen
në mënyrë që brezat e ardhshëm të
mos bazohen vetëm në gjuhën e folur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›